Gruaja nga Berati që nuk po i ndahet Edvinit
Tashmë në psikikën e majtistëve shqiptarë, Berati është shndërruar në vendin e “mallkuar” ku gjithmonë rrezikohet uniteti dhe solidariteti i të Majtës, nga përplasjet dhe “keqkuptimet” në gjirin e lidershipit. Pikërisht kështu ndodhi në Berat në Plenumin e famshëm të KQ të PPSH të tetorit 1944, ku shokët... iu vërsulën shokut Enver duke e akuzuar se ai dhe partia “po shkisnin nga oportunizmi në sektarizëm”, dhe anasjelltas. Madje kulmi arriti kur shokët vendosën ta “bindin” shokun Enver me kobure tek koka, nëse do të nevojitej. Pas dy vitesh do të ishte vetë shoku Enver ai që do të hidhte në Byronë Politike “tezat për rishikimin e Plleniumit të Beratit”, ku “u hodh baltë mbi partinë, mbi udhëheqjen e saj dhe mbi luftën”. Dhe shoku Enver nuk ua fali shokëve “tradhtinë dhe puçin kundër tij dhe partisë në Berat”, ndaj dhe ndërmori lëvizjen që kryqëzoi fillimisht kokën e komplotit, Sejfulla Malëshovën, për ta vazhduar më pas me Nako Spirun, Bedri Spahinë, Tuk Jakovën, Liri Gegën, Dali Ndreun, Gjin Markun etj.
Afro 60 vjet më vonë, bash në një pllenium partie në Berat, shokët trashëgimtarë majtistë të PPSH u grindën në mes tyre, derisa e detyruan një shoqe delegate socialiste nga salla për t’u ngritur dhe thënë: “... amani more vëllezër, amani more shokë Fatos dhe Ilir, amani mos u zini me njëri-tjatrin. Ruajeni unitetin dhe solidaritetin..., sepse ne anëtarët e thjeshtë të partisë nuk duam dhe nuk kërkojmë asgjë nga ju, as bukë e as ujë, as punë e asgjë tjetër... Duam që vetëm ju të shkoni mirë, për të mirën e partisë...”. Por Fatosi nuk dëgjoi nga ai vesh dhe i hodhi prapa shpine thirrjet profetike për pajtim, duke e vazhduar luftën kundër Metës dhe të tijve, derisa i detyroi të iknin nga Partia dhe të krijonin një parti të re, LSI-në. Mundësi që në vitin 1946 nuk e patën ata që nuk mendonin si Enver Hoxha për unitetin dhe solidaritetin, apo edhe për Luftën..., dhe ishin kundër tij.
Dhe si për ta vazhduar mallkimin majtist, pikërisht në Berat shpërthyen edhe sherret midis Erionit dhe një ish polici kandidat për deputet i LSI përballë Braçes më 3 korrik 2005, e që kish mundur të gërmonte nëpër arkivat e Policisë në fillimvitet ‘90, ku ish-polici e akuzoi publikisht kundërshtarin shtatlartë në mes të fushatës, në një studio televizive për “xhepist”, sherr që vazhdoi edhe më vonë, në janar-shkurt 2007, pasi ish polici kundërshtar i egër i Braçes hodhi kandidaturën për kryetar komune në emër të LSI, çka u kundërshtua ashpër nga Erioni, por pa sukses, pasi ai jo vetëm u përzgjodh si kandidat i së majtës së bashkuar por edhe fitoi në zgjedhjet vendore si kryetar komune.
Tanimë pas dy vitesh, po nga Berati, “Enveri junior” në krye të PS lëshoi thirrje për mirëkuptim midis të majtëve, duke ndërmendur fjalët profetike të gruas delegate socialiste..., ndonëse vetë e përzuri Nanon nga partia, bashkë me 6 deputetët mbështetës që votuan pro zgjedhjes së Presidentit aktual. Deputetë të cilët sot po ngarendin drejt LSI për t’u bashkuar me të, pasi në PS nuk gjejnë dot hapësirë për t’u shprehur lirisht si të mandatuar nga zgjedhësit.
Pra Berati, si sindromi i përçarjes së lidershipit majtist dhe njëkohësisht
si sindrom shprese i bazës së PPSH-PS për unitet të çeliktë të shokëve udhëheqës në këmbim të moskërkimit të asgjëje, pasi as buka, as uji, as puna dhe asgjë tjetër nuk ka vlerë para majtistëve përveç unitetit dhe solidaritetit - rëndon ende në ndërgjegjen e partisë së themeluar më 8 nëntor 1941.
Re. Po