99-shat, në protesta që po demaskojnë shoqërinë civile
Megjithëse është pohuar vazhdimisht nga gazeta për lidhjet e ndërsjella që ekzistojnë ndërmjet Partisë Socialiste dhe OJF-së, të etiketuar me termin Mjaft!, në dëm të reformave të qeverisë dhe nismave për strukturimin dhe përmirësimin e sektorëve jetikë të vendit, tashmë po duket akoma më e qartë kjo bashkëjetesë e filluar që nga koha kur në krye të PS-së u zgjodh në mënyrë arbitrare, Edvin Rama. Ekzistenca e kësaj lidhjeje bashkëjetesore ndërmjet PS-së dhe lëvizjes së drejtuar nga njëri nga anëtarët aktualë të 99-shave, Erion Veliaj po duket akoma më i qartë në sajë të politizimit që i është krijuar kësaj OJF-je nga thundrat avangarde populiste dhe aspak me ide politike të Edvinit. Lëvizja Mjaft dhe PS, organizuan dje, së bashku një protestë përpara Kryeministrisë, kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Ndonëse, kompleksi i treguar nga MJAFT është i kuptueshëm për shkak se ish drejtuesi i saj, që ka ende influencë në të, po përgatitet që të iniciojë një lëvizje politike të quajtur G 99 dhe tenton të shmangë çdo lloj instrumentalizimi të organizatës që e katapultoi në jetën politike. Në një kohë që sjellja e PS-së në këtë rast është e pakuptimtë dhe duket se dëshmon një mungesë të theksuar dëshire për të bërë oponencë dhe që nuk i mbetet gjë tjetër veçse të bëjë apele me kontekst anarkike.
Aksioni i lëvizjes Mjaft filloi që gjatë ditës së djeshme, kur aktivistë të saj, mbanin trastat në duar dhe duke shpërfytyruar tregun filluan shitjet e produkteve ushqimore, kryesisht bukë me 50 lek të reja, në mënyrë ironike ndaj asaj çka sjell rritja e çmimit të energjisë elektrike në vend. Pretendimet Mjaft-it se mbetet një OJF pa ngjyrim politik, pak kush e ve në dyshim, tashmë duket qartë se lidhja e ndërsjellë me Edvinin është kurorëzuar që në kohën kur kjo lëvizje apolitike drejtohej nga 99-shi aktual, Erion Veliaj. Erion Veliaj e ka shprehur edhe vetë mediatikisht se PS-ja, është partia që rrit prodhueshmërinë dhe adoptimin e programimeve OJQ-iste, siç janë në rastin konkret ato të Mjaft-tit. Sot, Edvini dhe Erioni do të bëjnë sehir në largësi duke e vënë në dyshim nëse do të vijnë njerëz në protestë apo jo dhe në mënyrë ironike të dy plotësojnë kështu një nga interesat politike të ditës. Ideja për të protestuar, është një standard për çdo vend demokratik. Por ajo që mbetet e papranueshme i takon asaj se kush fshihet konkretisht në keqpërdorimin dhe diskriminimin e shoqatave invalidëve apo pensionistëve? Sigurisht, përgjigjja është e qartë, MJAFT-ti dhe PS-ja. E ç’mund të ndodhë pas këtij demaskimi të shoqërisë civile: thjesht një militantizëm i Erion Velisë që do të kërkojë çeljen e një furre buke, edhe pse duket se s’do të jetë i gatshëm t’i paguajë taksat dhe detyrimet shtetërore. Helbete, është mësuar të veprojë në mënyrë informale, edhe me donacionet që merr lart e poshtë, pa asnjë lloj bilanci e llogaridhënieje.