BB - FMN: Shqipëria në vitin 2013 rritje ekonomike 2.5 për qind, më të lartën ndër vendet e Ballkanit

Raporti më i fundit i Bankës Botërore, i hartuar në bashkëpunim me Fondin Monetar Ndërkombëtar publikuar menjëherë pas konferencës së quajtur “Takimi i Pranverës” që u mbajt në Uashington, parashikon përmirësim të situatës ekonomike në Shqipëri.
Për vitin 2013, institucionet më të larta financiare ndërkombëtare parashikojnë se Shqipëria do të ketë rritje ekonomike pranë nivelit 2.5 për qind, ndërkohë që mesatarja e Ballkanit pritet të jetë 1.6 për qind. Ekspertë të ekonomisë mendojnë se nxitja e prodhimit, punësimit dhe mbështetja ndaj biznesit kanë bërë që Shqipëria të qëndrojë sipër nivelit mesatar të rritjes ekonomike të rajonit. Parashikimet optimiste tregojnë gjithashtu efikasitetin e reformave ndaj efekteve të krizës në Eurozonë.
Ekspertët e Bankës Botërore në raport shprehen optimiste për ecurinë e vendeve të rajonit. Por shohin si shqetësim rritjen e papunësisë në disa vendet. Për këtë kërkohet që punësimi të jetë prioritet kryesor dhe një sfidë urgjente nga ana e qeverive.