E djathta si identitet dhe tezat e politologut Alain de Benoist
Angazhimi maksimal i qeverisë in pectore për të hyrë në BE, po merr të gjitha energjitë intelektuale dhe të shoqërisë civile nga debati sesi ne shohim filozofinë e politikës së Brukselit, e cila merr dritën jeshile nga parlamenti i Strasburgut për startin e afrimit të shteteve të Ballkani Perëndimor. Ky parlament që vendos fatet popujve të kufirit të Evropës juglindore është i ndarë në dy shtabe kryesore: në të majtë liberale dhe të djathtën popullore konservatore. Siç dihet ne jemi pro-evropianë, por s’jemi evropianë në mendësi. Konstaton fare qartë këtë me komplekset qe na kapin sa herë ka një “refuzim” apo si kësaj here shqyrtimi i liberalizimit të vizave nga Komisioni i zgjerimit të BE na krijon atë kompleksin të qënit të vetëm, të humbur,mish i huaj, të pa denjë për BE. Dhe pa një pa dy dalin teza nga më të ndryshmet: ata na konsiderojnë aziatikë, islamikë, po na kërdisin me standardet, e kanë me ne, gjithëfarësoj të tjerash etj. Mbarimi i fushatës zgjedhore dhe zgjedhjeve në përgjithësi sikur i ka lënë pa frymë këto nxitues pushteti. E vetmja që përgjigjet është qeveria shqiptare in pectore, e cila po shfrytëzon të gjitha lidhjet që ka në klubin konservator Evropian, ku PD bën pjesë, për të bërë lobim në favor të integrimin në BE. Është një që për t’u lavdëruar, por nuk është koha për të thënë këtu këto fjalë, sepse sovrani i ka votuar më shumë se fjalët e mia.
Mirëpo ne po i kërkojmë mbështetje Klubit demokratik Evropian, por përveçse kërkojmë, ne çfarë i japim këtyre politikave të djathta konservatore evropiane? Ky është një këndvështrim tjetër i të qenit qytetarë të Evropës. A kemi për të dhënë ide, mendime, zhgënjime, manovrime, azhornime të vlerave? Nuk dihet me kthjelltësi. Siç duket, paqartësi kanë vetë politikanët kur implementojmë programin politik dhe etik të partisë së tyre, përpos se ky konfuzion etik po mbetet në qarkullim në media derisa vetëm ngritja e dorës dhe njohja subjektive që ka ndonjëri nga ne për vlerat e djathta të bëhen program politik.
Sot perspektiva e një të djathtë evropiane kalon nga ideja një partie konservatore popullore, si element i normalizimit demokratik. Ne si komb përpara komunizmit kishim se çfarë të jepnin Evropës, jam i bindur plotësisht për këtë: pra me gjithë vështirësinë e kohës ne kishim të fortë idenë e traditës, të tokës, të nderit, të punës, të drejtësi dhe çfarë është më e rëndësishme ideja e kombit në tërësi. Vlerat për të cilat po flasim janë të së djathtës konservatore shqiptare përpara vitit 1945, sot pak politikanë të djathtë kanë trashëguar këto vlera të djathta, se partitë e mëdha janë bërë si ato kontejnerë e transportit që mbajnë brenda gjithçka. Sot në Shqipëri këto vlera janë shartuar me Kushtetutën, rigjetjen e shtetit ligjor dhe të tregut si katalizator i mendimeve të së djathtës shqiptare. Ne nuk duhet të kthejmë kokën bas duhet të ecim përpara duke afruar qytetarët me vlerat e djathta, që janë po ato të baballarëve tanë.
E djathta e re sipas filozofit francez: Alain de Benoist
Me këtë intervistë do t’u shpjegojmë edhe se ku po shkon reformimi i të djathtës evropiane. Kjo intervistë do të na shërbejë si pikë referimi për t’u reformuar me tej.
Po e nisim me nje pyetje paksa të fortë: a është kjo e tanishmja një djathtë pa shpirt dhe pa ide, e dominuar nga paraja?
Përgjigjet me e-mail “Alain de Benoist”, filozof francez i konsideruar si një teoricien e së djathtës së re, i cili flet pa dorashka, kur i bëhen pyetje.
“Në të vërtetë ekzistojnë shumë të djathta, por të gjitha të bashkuara nga tregtia liberaliste. Ato rryma të së djathtës evropiane që në të kaluarën shikon me dyshin paranë, individualizmin dhe mbi fuqinë që kishte ekonomia mbi politikën sot e kanë pranuar këtë perspektivë, duke hyrë in toto në kapitalizëm dhe në treg”. Në të kaluarën, anti-modernizmi ishte një dhënë karakteristike e së djathtës”.
Është akoma gjallë kjo frymë?
“Jo. Paradoksalisht, sot ideja e progresit i përket më shumë të djathtës sesa të majtës. Kritika kundër formave të progresit bëhen kryesisht nga të gjelbrit, që në shumtën e rasteve janë majtas. E djathta e ka përfaqësuar shumë hapur globalizimin dhe logjikën e fitimit që i bashkëngjitet”.
Globalizimi në të vërtetë ve në dyshim një princip themelues të së djathtës, d.m.th një atdhedashuri ndaj territorit dhe kombit...
“Po, është e vërtetë, në fakt këtu lind edhe skizofrenia e saj. Në planin e retorikës e djathta evropiane nuk e ka lënë mënjanë lidhjen me territorin dhe kombin, por në praktikë ajo përqafon një sistem ekonomik që vë në dyshim në mënyrë radikale këto nocione, duke synuar hapjen e kufiri dhe humbjen e njëfarë identiteti kombëtar. Më një llaf, një e djathtë që mbron një sistem që lufton në mënyrën e vet atë çka ajo mbron”.
Pra kjo mund të shpjegojë edhe një komponent sado të vogël të së djathtës ekstreme, që nganjëherë shfaqet arrogante ndaj emigrantëve, edhe atyre shqiptarë?
“Po, ky mund përbëjë një shpjegim të pjesshëm të dukurisë, në të vërtetë ndodh, se e djathta me kockë të fortë do të shpëtojë identitetin nacional, duke menduar që rreziku vjen nga emigrantët, në të vërtetë, rreziku real vjen nga kapitalizmi vetë, në të cilën ka një treg të madh që kërcënon mënyrën e jetesës lokale dhe popullore të vendeve në zhvillim sesa vetë emigrantët në Evropë”.
Po bëj avokatin e djallit: A është pabarazia akoma pjesë e aparatit konceptual të së djathtës Evropiane?
“Tanimë çështja e pabarazisë nuk është më kockë e politikës së majtë evropiane. E djathta pranon pa vështirësi barazinë ligjore të drejtave politike dhe të oportuniteteve të çdo njeriu. Madje ka aplikuar në maksimum të drejtat e njeriut. Në planin e lirisë ka diçka, duke qenë se mbron tregun e lirë, dhe po këtu lind dhe vështirësia e vendimmarrjes përpara krizës ekonomike botërore. Nuk kam guximi të them se nuk ekziston më një mendim, një filozofi ose një vizion i botës djathtas, por transformimi që ka marrë tatëpjetën në dy dekadat e fundit kanë shthurur identitetet ideologjike dhe një nga problemet që e djathta sot është të dijë se çfarë është e djathta do të identifikojnë në të ardhmen”.
...