A e di Rama se për kë bien këto daulle?
Të lejosh rikandidimin e Ramës në Kongres dhe ta zgjedhësh atë kryetar partie, u ke garantuar të majtëve humbjen e sigurtë edhe për dy mandate të tjera qeverisëse. Natyrisht, një të djathti kjo do t’i pëlqente, por, gjithkush mendon se pluralizmit i duhet një opozitë dinjitoze. Ndaj gasnjë nuk gëzohet me katandisjen kështu të kësaj pasurie politike. Tashmë e kanë kuptuar edhe gurët e Shqipërísë se vetëm e djathta do ta shpjerë Shqipërínë në Europë. Ai që i ka hipur kalit me shalë, nuk mund ta ketë zili këmbësorin. E djathta ka ngritur lart shumë ëndrra për shqiptarët. Ndërkohë Partisë socialiste i duhen shumë reformime që të fitojë atributet e një të majte demokratike. Ajo ka mbetur tek enverizmi, te shpifja dhe mashtrimi, tek akuzat false për t’u mbajtur me paterica në politikë. Etalon negativ i është bërë Edvin Rama. Edhe një herë që iu dha rasti të tregohej modern e i rinovuar, transparent e i sinqertë, ai e zhyti në terr Asamblenë Kombëtare.
Kush vjen nga bota e mëkatit, duhet të ketë devizë pendesën. Kurse Rama sajoi dhe brenda partisë armiq imagjinarë. Akuzoi, bilé, ata më të pafajshmit, komisionerët e tij. Për karrieristin enverist ndershmëria mbetet një sentimentalizëm. Rama u tregua haptas kontradiktor, por dhe hipokrit. Njerí që vazhdon të tallet pa mëshirë me veten. Ky është mjerimi i një drejtuesi, që guxon të mohojë privacionet e një tranzicioni të vështirë. Dhe ka deklaruar që s’është politikan dhe ngulmon të rikandidojë. Argumenti ? Meqë e shpuri në humbje partinë e vet. Virtyti i çdo misionari është mugesa e ambicies personale. Kurse Rama, që mori mbi supe bashkimin e së majtës, e bëri këtë kashtë e kokër. Si altruist, nuk duhej t’i trembej transparencës. Si reformator, lypsej të lejonte analizën e shkaqeve të humbjes. Si kryetar humbës, duhej t’i dorëzohej fisnikërisht dorëheqjes. Si misionar, i takonte të ngrihej mbi veten e të frymëzonte partinë me besim për të ardhmen.
Rama, që kërkoi ta votonin dhe të djathtët, humbi dhe besimin e të majtëve të devotshëm. Ndërsa synoi lartësimin e vetëdijes politike të elektoratit, i trajtoi përfaqësuesit e të majtës si mercenarë. Vetëm me futjen e partisë në Parlament, pranoi që ka dalë i mundur. Por kjo, amá, e shpie vetiu te dorëheqja? Largimin nga kryetar i partisë e çmon si linçim prej të shiturve te kundërshari. Kështu, duke u prishur me të vetët, Rama po prish dhe imazhin e zgjedhjeve të lira. Thelbi i konfliktit të tij mbetet lufta me veten, ambicia për pushtet me çdo kusht. Askush nuk i ka faj. Të gjithë e mëshirojnë vetëm ngaqë nuk di se ç’bën. Kjo, ndoshta, e fyen më shumë Ramën, ndaj ngulmon të rrijë doemos në krye. Nuk rritet lisi në një vazo lulesh - ka thënë një filozof. Koha e skllevërve “idealistë” ka perënduar. Keqardhja nuk e justifikon më vetëflijimin. Nga gjithë e majta Rama po shihet si delja e zezë. Dëshirat e mira nuk u shndërrokan lehtë në vlera morale. Të gjithë kanë të drejtë të pretendojnë një jetë më të mirë. Askush nuk i hedh në erë energjitë duke ndjekur pas eksperimente fantastiko-shkencore. Rama nuk paskësh pasur as program? Le të bëjë taní detyrën që i takon. Të tregojë se vërtet i dhimbsen njerëzit, partia, atdheu. Ai nuk duhet të kandidojë për kryetar dhe aq më pak të rizgjidhet. Misionarët nuk e kanë barazuar fatin e tyre me atë të nevojtarëve. Humbja e një beteje nuk është fundi i botës. Hekuri e tregon veten në zjarr. Përballimi fisnik i një disfate lartëson, madje, edhe mëkatarin. Rruga e ringjalljes nuk kalon përmes ambicies, por mposhtjes së saj. Qëndrimi i Ramës në krye të socialistëve ia lehtëson fitoren e ardhme të djathtës. Por kjo forcë konstruktive parapëlqen më mirë një mandat të fituar me “luftë” të ndershme, sesa pushtetin e dhuruar si e keqja më e vogël. Jo! Me Ramëm kryetar opozita e ka të humbur davánë. Besimi i publikut te donkishotizmi i Ramës ka rënë shumë poshtë. Lufta politike është mjet progresi në demokrací. Prandaj duhet opozita dinjitoze. Prandaj lypset të lazgohet Rama. Vetëm sharlatanët politikë kërkojnë t’i nxjerrin gështenjat nga zjarri me duart e botës. Elektorati i majtë është pjekur politikisht. Nuk e sakrifikon ai alternativën e vet për egon e një njeriu. Të majtës i duhet doemos një lider që të shohë përtej hundës së vet. Shpërbërja e socialistëve hyn taní në “altarin” e turpit të Ramës. Ashtu si është trajtuar nga forca politike që ka kryesuar, Rama duhej të sillej shpirtmadh ndaj saj. Dorëheqja, largimi dinjitoz, braktisja prej fantazmagorive nuk mund të barabiten me dëmin që po u shkaktohet çdo ditë socialistëve. A nuk qe një turp i madh Asambleja me dyer të mbyllura ? Ky është, vallë, rinovimi dhe transparenca e të “viktimizuarve” prej tradhëtisë së komisionerëve të majtë? Prandaj thuhet që partia socialiste ka shumë punë me veten. Kurse Problemet e Ramës janë “qiqra në hell”. Nuk mund të prishet dasma - thotë populli - për një kokër limon. Shqipëria është në prag të anëtarësimit në BE. Ka perënduar koha kur populli bëhej “kurban” për udhëheqësin mendjendritur, që e la në mjerim Shqipërinë. Kongresistët duhet ta mbajnë parasysh të ardhmen e fëmijëve të tyre, kur të votojnë për kryetarin e ri të partisë. Atë që të sjell minuti, nuk ta sjell shekulli. Nuk vlen karriera e një Rame, sa lumturia e brezave në familjen europiane. Askush nuk beson që, pasi t’i kalojë dufi i pikëllimit, Rama të mos marrë vendimin që duhet. Për këtë ditë i duhen shokët. Shkrimtari gjerman, H.Grim, ka thënë: “Rreziku i përbashkët i bashkon njerëzit!”. Po vetë Rama a i dëgjon, vallë, se për kë bien këto daulle?!...
...