E Shtunë, 31 Tetor 2026

E do Championsin e tretë

Jose Mourinho synon ta fitojë Ligën e Kampionëve për herë të tretë me tri klube, për ta shkruar emrin e tij në histori të futbollit evropian. Trajneri portugez, i cili thotë se është i lindur për futboll, nuk është pishman që nuk mundi të bëhej futbollist i madh, derisa nuk mendon se është person arrogant.

Jose Mourinho i ka zbuluar objektivat e tij të ardhshëm në një intervistë dhënë të përditshmes turke ‘Hurriyet’, ku ka folur për karakterin e tij, synimet dhe marrëdhëniet me lojtarët e tij.

“Futbolli është përcaktimi im, gjithmonë ka bërë pjesë në jetën time. Për shembull, kur jam lindur, babai im ishte në fushë dhe kur vajza ime është lindur, unë isha në fushë. Kjo tregon se sa i rëndësishëm është futbolli”, ka thënë fillimisht trajneri i Real Madridit, duke treguar se sa është i lidhur për futbollin.

Ai ka fituar tituj të shumtë në karrierë si trajner. Por, portugezi nuk e ka ndërmend të ndalet. “Do të dëshiroja ta fitoja Ligën e Kampionëve për herë të tretë me klubin e tretë. Në këtë mënyrë, emri im do të kishte vend të veçantë në historinë e futbollit. Unë do ta arrij këtë”, është i bindur ish trajneri i Portos, i Chelseas dhe i Interit.

‘Special One’ shton se e admiron babanë e tij, si baba dhe si futbollist. Ai rrëfen se është rritur në një familje jo dhe aq të pasur, por as të varfër jo. Mourinho ishte arsimuar dhe dëshironte të udhëtonte rreth e rrotull botës, gjë që ia kishte arritur si fëmijë.

Ai nuk është pishman që nuk mundi të bëhej futbollist i madh, sepse thotë se nuk ka rregull ku shkruan se mund të jesh i mirë në çdo aspekt të jetës. “Kur isha 14 ose 15 vjeç, isha i mirë në futboll, por kur shkona në universitet, kisha dy mundësi: të bëhesha një lojtar mesatar apo një trajner i shquar. E zgjodha opsionin e dytë”, vazhdoi ai.

‘Mou’ ndihet mirë kur dëgjon fjalë të mira nga njerëzit për të. Ai shton se njerëzit e dinë se ka punë stresuese, por është e çuditshme se atij nuk i duket aq stresuese sa mendojnë njerëzit. Portugezi nuk mendon se është persona arrogant. Në të kundërtën, ai thekson se është i shoqërueshëm, posaçërisht me fëmijët.

Në shtator, në ndeshjen e kthimit të Superkupës së Spanjës, ai ia kishte futur gishtin në sy asistentit të Pep Guardiolës, Tito Vilanova. Mourinho e tregon versionin e vet për këtë rast, pas të cilit u dënua me dy ndeshje.

“Në futboll ekzistojnë emocionet dhe nganjëherë provokohesh nga të tjerët. Ndonjëherë reagon në atë mënyrë, të cilën nuk e dëshiron. Në atë rast, ata na provokuan neve. Po, ndoshta veprova keq, por veprova në mënyrë natyrale”, shtoi ai.

Mourinho tregon se nuk e ka vështirë t’i menaxhojë yjet e shumtë në Real Madrid. Atij nuk i intereson kombësia e futbollistëve, pasi që e kërkon vetëm maksimumin nga secili. Në fund, Mourinho shpjegon se bashkëshortja e tij nuk e do futbollin dhe se është e martuar me Josen, jo me Mourinhon.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›