E Shtunë, 31 Tetor 2026

El Anamorava

Nëse Spanja e ka El Clasicon, edhe Kosova e ka El Anamoravën. I madh e i vogël në Gjilan vëmendjen e kanë te derbi i rivalëve të përbetuar, Gjilani dhe Drita. Të dyja ekipet do të përballen mes veti të mërkurën në super-derbin e Anamoravës, i cili konsiderohet si ndër më të mëdhenjtë në futbollin kosovar. E në kësi rivaliteti natyrisht që ekipet luftojnë vetëm për fitore.

Edhe pse jemi larg për nga cilësia, edhe Kosova sikurse Spanja ka një derbi të ngjashëm si El Clasicon. Ai është njëri prej derbive më të mëdhenj të futbollit kosovar, në të cilin përballen dy rivalët e përbetuar të qytetit gjilanas, Gjilani e Drita. Të dyja këto skuadra do të ndeshen të mërkurën në kuadër të xhiros së nëntë të Superligës së Kosovës.

Se sa i madh është ky derbi, më së miri e përshkruan edhe fakti se tash e disa ditë qyteti i Gjilanit qëndron plotësisht nën hijen e kësaj ndeshjeje, pasi gjithandej shihen vetëm flamuj të ‘Skifterave’ të Gjilanit dhe të ‘Intelektualëve’ të Dritës.

Pra, prej ditësh qytetarët gjilanas i kanë lënë anash problemet e ndryshme ditore me të cilat ballafaqohet shoqëria kosovare, si ato sociale-ekonomike, dhe ‘i madh e i vogël’ mendtë i kanë vetëm kah super-derbi i Anamarovës.

Madje, jozyrtarisht mësohet se të mërkurën pasdite në Gjilan pritet të ketë edhe çrregullim të procesit mësimor nëpër shkolla, pasi të rinjtë patjetër duan të jenë të pranishëm në tribuna. Andaj, një gjë është e sigurt – stadiumi i qytetit të Gjilanit do të jetë i vogël për t’i zënë të gjithë tifozët e interesuar për ta shikuar këtë super-sfidë.

Edhe pse sivjet Drita është dukshëm skuadër më kualitative sesa rivali i saj Gjilani, të mërkurën favorit nuk do të ketë. Aktualisht, Gjilani gjendet kah fundi i tabelës me vetëm shtatë pikë të tubuara. Por, duke pasur parasysh se përballë do ta ketë rivalin e përbetuar, skuadra vjollcë me çdo kusht do të mundohet t’ia shkaktojë humbjen e parë Dritës. Sipas trajnerit Muharrem Sahiti, ky derbi ka bërë që Gjilanit t’i kthehen shumë ish tifozë dhe ish themelues, që i kanë munguar kohëve të fundit.

“Andaj jemi të mobilizuar. Skuadra jonë përbëhet vetëm me lojtarë gjilanas, të cilët karrierën e kanë nisur duke ëndërruar që një ditë të luajnë në këtë derbi. Ata tani kanë rastin për t’u dëshmuar. Lojtarët janë jashtëzakonisht të motivuar. Në këtë derbi favorit nuk ka, edhe pse Drita sivjet është më cilësore. Por, tradicionalisht Gjilani ka qenë më i suksesshëm. Megjithatë, ne do të bëjmë çmos në suaza sportive që Dritës t’ia shkaktojmë humbjen e parë. Neve veç sa na ka motivuar fakti që Drita ende s’ka përjetuar humbje”, deklaroi Sahiti për Express.

Në anën tjetër, edhe bardhekaltrit janë të përqendruar maksimalisht në këtë sfidë, të cilën duan ta fitojnë.

“Në këto ditë është kënaqësi të jetosh në Gjilan. Gjithçka për rreth ka të bëjë me derbin. Tifozët tanë janë tërësisht nën ngjyrat bardh e kaltër. Andaj nuk duam t’i zhgënjejmë ata. Jemi të përgatitur dhe të koncentruar. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm, sepse në këtë derbi s’ka favorit. Por, duam t’i shpalosim aftësitë dhe kualitetet tona. Do të insistojmë të vazhdojmë me serinë e rezultateve pozitive. Pra, fitorja është objektivi ynë”, ka thënë trajneri i Dritës, Bekim Isufi, i cili me djelmoshat e tij sivjet synon ta rrëmbejë titullin e kampionit.

Premia për fitore

Duke e parë rëndësinë e kësaj loje, shkaku i rivalitetit tepër të madh që kanë mes veti, kryesia e Gjilanit dhe e Dritës kanë vendosur t’i hapin kuletat e tyre. Burime të Expressit nga të dyja taboret kanë konfirmuar se krerët e Dritës, por edhe ata të Gjilanit kanë vendosur t’i shpërblejnë me premi futbollistët e tyre në rast fitoreje.

Ende nuk dihet se me nga sa para do të shpërblehen futbollistët triumfues nga ana e kryesisë së tyre. Udhëheqësit e klubeve kanë vendosur që shumën t’ua bëjnë të ditur lojtarëve të tyre pak kohë para se të nisë ky super-derbi.

Superliga – Xhiroja e nëntë

E mërkurë

Lepenci – Trepça ‘89

Besa – Vëllaznimi

Trepça – Hysi

KEK-u – Drenica

Gjilani – Drita

Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 15:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›