E Shtunë, 31 Tetor 2026

E dobësuar, por me synime të mëdha

Me të përfunduar sezoni, Drenica mbeti pa tetë lojtarë dhe pa trajnerin Bylbyl Sokoli. Pas këtij eksodi, kuqezinjtë rikthyen në skuadër Tahir Lushtakun dhe u përforcuan me katër lojtarë. Duke i marrë parasysh këto shkuarje e ardhje, trajneri drenicas vlerëson se ekipi është i dobësuar në krahasim me vitin e kaluar. Megjithëkëtë ai është i bindur se ekipi i tij do të dalë më i suksesshëm sesa ai i Sokolit.

Edhe pse kampionatin e fundit e përmbylli si e shtata në tabelë, Drenica me mund të madh e pati siguruar mbijetesën në Superligë, për çka pati luftuar thuajse deri në fund të edicionit.

Ndërsa, me të përfunduar kampionati, ekipin kuqezi fillimisht e braktisi trajneri Bylbyl Sokoli, e më pas edhe rreth tetë futbollistë kryesorë, si Lorik Maxhuni, Faruk Statovci, Samir Sahiti, Samir Zeneli dhe të tjerë.

Më vonë, krerët e klubit postin e shtabit teknik ia besuan Tahir Lushtakut, i cili e njeh shumë mirë klubin kuqezi. Ndërsa, drenicasit më pas angazhuan Liridon Zeqirin (Ferronikeli), Berat Hysenin (Trepça ’89), Fitim Llapashticën (Prishtina) e Denis Bejlerin (Shqipëria) në vend të të ikurve. Por, Lushtaku vlerëson se Drenica e tij e sotme është më e dobët sesa Drenica e Bylbyl Sokolit.

“I kemi bërë disa përforcime të qëlluara siç janë Hyseni, Llapashtica, Bejleri, por kemi nevojë edhe për dy mbrojtës dhe dy mesfushorë. Kjo pasi fondi i lojtarëve është shumë më i dobët sesa në edicionin e kaluar. Me ikjen e Sokolit, nga skuadra janë larguar edhe tetë lojtarë të 11-shes së parë, andaj me këto përforcime dhe me lojtarë vendorë po mundohemi t’i mbulojmë ato pozita”, deklaroi Lushtaku për Express.

Lushtaku njihet si njeri i lidhur me ngjyrat kuqezi të Drenicës, të cilën skuadër mundohet gjithmonë ta çojë sa më lart që është e mundur. Synime të tilla ka edhe për edicionin e ri, pavarësisht asaj që thotë se sot kjo skuadër është më e zbehtë për dallim prej kampionatit të kaluar.

“Do të jemi ekip i fortë për çdo skuadër tjetër. Shpresoj të përforcohemi edhe pak në mesfushë e mbrojtje dhe të luftojmë të paktën për mesin e tabelës apo për ndonjë pozitë të pjesës së epërme të tabelës”, shtoi ai.

Për këtë Lushtaku po mundohet t’ua mbushë bateritë futbollistëve të tij. “Skuadra i ka nisur përgatitjet kah 10 korriku, ndërsa unë jam duke punuar gati qe një muaj. Përgatitjet janë duke shkuar mirë, po punojmë me seriozitet. Disa lojtarë të rëndësishëm janë në formë, kurse disa të tjerë jo. Ata nuk e kanë të sigurt ekipin e parë”, përfundoi Lushtaku.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›