E Shtunë, 31 Tetor 2026

Superkupa, për fillim të mbarë

Dy skuadrat më të mira të edicionit të kaluar, Prishtina dhe Trepça ’89 do të dalin sërish në mejdan. Kësaj radhe, ekipi prishtinas dhe ai mitrovicas do të tentojnë që ta rrëmbejnë Superkupën. Bardhekaltrit, e po ashtu edhe gjelbërezinjtë synojnë që ta nisin mbarë sezonin e ri.

Pas pushimit veror, futbolli kosovar të shtunën do të rikthehet në aksion. Në stadiumin ‘Shahin Haxhiislami’ në Pejë do të zhvillohet ndeshja e Superkupës së Kosovës në futboll, ndërmjet Prishtinës dhe Trepçës ’89.

Pa dyshim, ky duel pritet të jetë shumë interesant për faktin se do të përballen mes veti dy skuadrat më të mira të edicionit të fundit, të cilat ishin në luftë të rreptë për ta fituar titullin e kampionit, por që në fund atë trofe e fitoi Prishtina, derisa 89-shi e rrëmbeu Kupën.

Ndërkohë, prishtinasit janë të interesuar që të shtunën ta nisin me trofe edhe sezonin e ri, për ta dëshmuar edhe një herë superioritetin e tyre përballë mitrovicasve.

“Jemi përgatitur mjaft shumë gjatë këtyre javëve, andaj jemi gati për duelin ndaj Trepçës ’89. Ne jemi optimistë se do ta fitojmë Superkupën, me qëllim që edicionit të kaluar t’i japim fund me trofe, e njëkohësisht kampionatin e ri ta nisim me trofe. Mund ta bëjmë këtë, sepse kemi cilësi dhe me ardhjen e disa përforcimeve, e kemi bërë një ekip kompakt”, theksoi sulmuesi i prishtinasve, Astrit Fazliu.

Siç dihet, gjatë verës bardhekaltrit ia kanë dalë t’i konsolidojnë mirë radhët e veta për edicionin e ri. Përveç trajnerit Ejup Mehmeti – Kapiti, prishtinasit i kanë siguruar shërbimet edhe të Argjend Malës (KEK), Florim Bërbatovcit (Hysi), Leondrit Marajt (Nurnberg), Kushtrim Mushicës (Vëllaznimi), Liridon Kukajt (Trepça ’89) e Labinot Ibrahimit (Ulpianë).

Ndërsa, për dallim nga sezoni i kaluar, Trepça ‘89 sivjet është më e dobësuar pasi nga stadiumi ‘Riza Lushta’ kanë ikur disa lojtarë cilësorë si Ilir Nallbani, Liridon Ahmeti, Berat Hyseni, Liridon Kukaj, Agron Beqiri, Emin Baliqi, Sylvester Ambe, Festim Krasniqi etj.

Ndërsa, deri më tani, ‘Xehetarët’ janë përforcuar me Lorik Maxhunin (Drenica), Edmond Turkun (Trepça), Samir Sahitin (Drenica) dhe së fundmi me supermesfushorin Isuf Llumnica (Winterthur).

Pavarësisht këtyre ndryshmeve të mëdha, 89-shi beson se ka mundësi ta fitojë Superkupën përballë kampionit aktual. “Ne jemi të përgatitur mirë për këtë ndeshje. Do ta japim maksimumin dhe jam i bindur se mund t’ia dalim të triumfojmë, edhe pse Prishtina konsiderohet favorite”, ka deklaruar sulmuesi i rrezikshëm i ‘Xehetarëve’, Kastriot Rexha. Përballja mes prishtinasve e mitrovicasve nis në ora 17:30.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›