E Shtunë, 31 Tetor 2026

E drejta dhe e padrejta për Osetinë dhe Abkhazinë

Një analist i të drejtës ndërkombëtare shpjegon pse e drejta e vetëvendosjes nuk përkon me kërkesat e dy krahinave gjeorgjiane

Osetia e Jugut dhe Abkhazia u ftohën pas shpërbërjes së BS më vitin 1991 me Gjeorgjinë dhe iu afruan Rusisë. Gjeorgjia dhe Rusia iu kthehen pretendimeve për të drejtën e popujve, për të përligjur veprimet e tyre.

Ka qenë e drejtë shkëputja e Osetisë Jugore nga Gjeorgjia në vitin 1992? A i përgjigjet ky hap të drejtës së popujve, të drejtës së çdo populli për vetëvendosje? Për ekspertin e së drejtës ndërkombëtare Andreas Cimerman (Zimmermann) nga Universiteti i Kilit në Gjermani, kjo çështje është e qartë. Edhe nëse oseto-jugorët njihen ndërkombëtarisht si popull, dhe u jepet e drejta për vetëvendosje, nuk do të thotë se ata kanë të drejtë të shkëputen.

“E drejta për vetëvendosje nuk do të thotë e drejtë për shkëputje, por pretendim për autonomi, për respektim të të drejtave të pakicës dhe të tjera si këto. Këto të drejta kthehen në të drejta për shkëputje, nëse kemi të bëjmë me një situatë gjenocidi, pra kur nuk respektohen më të drejtat fondamentale dhe ato të njeriut. Para këtij sfondi, ekzistojnë arsyet për të marrë të drejtën e shkëputjes, siç e mori Kosova në vitin 1998. Sipas mendimit tim, tani nuk kemi situatë të tillë as në Osetinë Jugore as në Abkhazi".

Prandaj, duke folur për Abkhazinë dhe Osetinë Jugore, eksperti i të drejtës ndërkombëtare thotë se: “De jure, ato vazhdojnë të jenë pjesë e shtetit të Gjeorgjisë”.

Ky fakt i lejon Gjeorgjisë që të vendosë sovranitetin e vet brenda territoreve shtetërore. E formuluar ndryshe, nga pikëpamja e të drejtës ndërkombëtare, Tiblisi nuk duhet të lejojë shkëputjen prej tij të rajoneve të veçanta. Kjo do të shihej ndryshe nëse Osetia Jugore do të ishte de-facto një shtet më vete, atëherë Gjeorgjisë do t'i duhej të ushtronte dhunën normale ndërshtetërore. Si në rastin, për shembull, të Republikës Popullore të Kinës dhe Tajvanit. Por Osetia Jugore është larg të qenit nga pikëpamja strukturore de-facto një shtet më vete:

“Ajo që mungon, është njohja nga shtete të treta, mungon pushteti i vërtetë shtetëror në territoret shtetërore që kanë qenë gjithnjë të diskutueshme midis Gjeorgjisë dhe Osetisë Jugore. Kjo është një gjë që është e paqartë, por e sigurt është që nuk është shtet”.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Gjeorgjia duhet të përdorë dhunën kundër civilëve në rajonin e ndarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›