E Diel, 1 Nëntor 2026

Mallkimi i të qenit hero në kryeqytet

Qyteti që nuk respekton figurat historike. Tirana, në ritmin e shpejtë të ndërtimit, vlerëson gjithmonë e më pak kujtesën kombëtare. Vendimi i Bashkisë për t’i dhënë lirinë e duhur sheshit të “Ushtarit të Panjohur”, është hapi i parë drejt respektimit të vlerave të harruara historike.

Herën e fundit që u përshëndetëm, në dorë mbante një shishe plastike birre, nga këto që në dyqanet me shumicë mund t’i gjesh edhe me 70 lekë. Nuk dukej të ishte e dehur, por paguren e kishte bosh. U ktheva nga rruga ku isha nisur, dhe bëra detyrën që duhet të bëjë çdo qytetar që ndjen sadopak respekt për figurat e kombit. “Nënë Tereza”, ka bërë mjaft të mira për njerëzimin dhe nuk e meriton një trajtim të tillë, sikur të ishte jo një shenjtore por një barbone rrugësh. Është pak të thuash turp! Mirë që bustin ia kanë kthyer me portret nga fast-foodet përballë Akademisë së Arteve, dhe jo nga sheshi të cilit i ka dhënë emrin, por guxojnë deri aty sa ta stolisin me “bizhu” që nuk kanë lidhje me misionin që ajo përmbushi në të gjallë. Në fakt, ky është trajtimi që ne si shoqëri u bëjmë figurave të tilla. “Nënë Tereza”, nuk është as e para dhe as e fundit viktimë e injorancës kolektive apo individuale, që karakterizon kulturën e qendrave urbane sot në përfundim të dekadës së parë të mijëvjeçarit të dytë. Keqtrajtim, në këtë apo në një tjetër formë, pësojnë edhe monumentet e tjera, çka tregon se respekti ynë për historinë lë ende vend për të dëshiruar. Sjellje të tilla primitive që nuk nderojnë kërkënd, vihen re edhe me monumentet e tjera, që në Tiranë nuk bëhen më shumë se 20 të tilla.

Në moshën 15-vjeçare, pësova zhgënjimin e parë. Në kërkim të një shkolle të mirë ku të kryeja arsimin e mesëm, u ndala me tim atë në shkollën “Demokracia” (sot Arben Broci), që ishte në vitin e parë të aktivitetit të saj. Vetëm pak muaj para se të ndërronte pamje, shkolla shërbente për edukimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara fizike dhe mbante në hyrje të saj, emrin e Ministrit të parë të Arsimit Shqiptar dhe të parit Drejtor të Normales së Elbasanit, Luigj Gurakuqi. As dje, as sot, nuk e di se çfarë lidhje ka figura e Luigj Gurakuqit me institucionin në fjalë. Por ajo që më dëshpëroi pa masë në atë kohë ishte përçudnimi që individë të papërgjegjshëm i kishin bërë bustit të personalitetit të shquar. Portreti i sakatuar i Luigj Gurakuqit më shumë ngjante me kullesë makaronash, sesa me imazhin e njeriut që sakrifikoi një jetë të tërë për të ndërtuar Shqipërinë e lirë. Dukej që ishte tërbim inatçor, pasi ndryshe nuk mund të justifikohej një veprim i tillë. E nëse në atë vit, Luigj Gurakuqi e kishte (megjithëse të sakatuar) një bust të tijin, sot nuk e gëzon më këtë të drejtë. I vetmi institucion arsimor që mban emrin e figurës së shquar të Pavarësisë, është Instituti i Nxënësve që nuk Shikojnë dhe Dëgjojnë.

Shembull tipik i diskriminimit të emblemave historike, është edhe Monumenti “Ushtari i Panjohur”, në qendër të kryeqytetit. Është i njohur fakti se në të gjithë botën, ky moment simbolizon ushtarët e rënë dhe ata që luftuan në Luftën e Dytë Botërore, dhe si i tillë gëzon një respekt të veçantë nga shoqëria. Por në Shqipëri është ndryshe. Monumenti simbol rrethohet nga matrapikë dhe sekserë. Veteranët, çdo përvjetor të Çlirimit të Atdheut janë të detyruar të nderojnë të rënët në rrugë të madhe. Të paktën kështu ngjau në vitin e kaluar, pasi duke nisur nga ky përvjetor, gjërat priten të ndryshojnë për mirë. Bashkia e Tiranës ka vendosur të rikonceptojë sheshin, për t’i dhënë atij pamjen që meriton. Është bërë e ditur tashmë se në sheshin e “Ushtarit të Panjohur”, nuk do të kemi më banjo publike. Kjo është shenjë e mirë se gjërat po lëvizin në krahun e duhur. Por gjithsesi nuk mjafton. Tani i takon ndërgjegjes qytetare të shkundet nga letargjia dhe të ndalojë dhunën ndaj figurave historike, në mos do të vijë një ditë, që çdo monument të ketë një polic në krah.

Gjyslyket e Qemal Stafës dhe ilegalët e natës

Qemal Stafa e ka pësuar më paq nga të gjithë. Edhe tani, kur thuhet se shpirti i ka rënë në qetësi, koniunktura të caktuara ekstremiste nuk e lënë rehat. Syzet e Qemal Stafës, janë bërë shpeshherë objekt agresioni nga individë të caktuar, të cilët janë aq të mefshtë, sa mendojnë se duke i hequr gjyzlykët, do të arrijnë ta poshtërojnë. Vite më parë e shkulën nga lagjja ku ra dëshmor, dhe e transferuan në sheshin përballë Presidencës. Por as këtu nuk e lanë rehat. Punonjësit e Ndërmarrjes së Mirëmbajtjes së Objekteve jo rrallëherë janë parë në mëngjes herët, të lyejnë me gëlqere, parullat që stisen në bust gjatë natës. E shajnë komunist, ndërkohë që vetë Qemal Stafa, në të gjallët e tij, i tillë ka qenë. Ec e gjeje po deshe. Një tjetër aspekt që të bën të vesh gishtin në kokë, është edhe mungesa e respektit që tregohet për figurat historike nga vetë strukturat shtetërore. Shumë individë që i kanë bërë nder kombit me punën e tyre, mbeten të pavlerësuar për kontributin që kanë dhënë. Nga viti 1991 e deri më sot, në Tiranë janë ngritur më pak se 10 monumente, në respekt të figurave historike, ndërkohë që po kaq janë zhdukur pa lënë nam e nishan.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›