E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moska dhe Parisi, plan paqeje për Gjeorgjinë

Presidenti rus Dmitry Medvedev dhe ai francez Nicolas Sarkozy ranë dakord dje për të hapur bisedime për paqe përfundimtare, me qëllim që t’i jepnin fund luftës gjashtëditore në Kaukaz. Dje, Rusia njoftoi se do të zbatojë një armëpushim, dhe do t’i japë fund luftimeve që deri tani kanë shkaktuar disa mijëra të vdekur dhe dhjetëra-mijëra të shpërngulur lufte. Por Gjeorgjia dhe burime të pavarura njoftuan se luftimet vijojnë në mënyrë sporadike. Dy presidentët diskutuan për të arritur një armëpushim për më shumë se katër orë në Kremlin dhe dolën me gjashtë kushte për paqe, përfshirë tërheqjen e trupave ruse dhe gjeorgjiane në pozicionet që mbanin para fillimit të konfliktit. Por të dy palët nuk arritën të zgjidhin problemin më të madh: vendosjen në Oseti të një force shumëkombëshe. Kjo qe çështja më e debatueshme e planit të mëparshëm të hartuar nga ministri i Jashtëm Francez, Bernard Kouchner. Z.Medvedev deklaroi se “paqeruajtësit rusë” do të mbeten në zonë, pavarësisht këmbënguljes së Gjeorgjisë për t’i zëvendësuar me një forcë shumëkombëshe. “Trupat tona do të vijojnë të ruajnë paqen në Kaukaz, sepse ato janë të vetmit që mund të garantojnë siguri në Kaukaz”,- deklaroi Medvedev. Para se të nisej për në Tbilisi për të diskutuar paqen me Gjeorgjinë, z.Sarkozy deklaroi se Franca po sugjeronte një trupë paqeruajtëse nga Europa. Ministri i Jashtëm Rus, Sergei Lavrov deklaroi se nuk ka ndër mend të bisedojë drejtpërsëdrejti me Gjeorgjinë. Ai e konsideroi presidentin Shakashvili, si “i çmendur”, por deklaroi se Moska nuk ka në plan ta rrëzojë atë si President.

Në Tbilisi, presidenti Shakashvil foli para 150 mijë nënshtetasve të vet të mbledhur në protestë dhe tha se Rusia nuk do të mund ta kthejë Gjeorgjinë në një Çeçeni të dytë. Ai shpalli gjithashtu se do të tërheqë vendin e tij nga Grupi i Shteteve të Pavarura, një organizatë ndërkombëtare e përbërë nga ish-vendet e Bashkimit Sovjetik.

Në Kremlin janë të paktë ata që besojnë se një marrëveshje paqeje mund të arrihet shpejt në një rajon që ka qenë problematik për shumë shekuj. Rusia sheh me dyshim edhe planet për vendosjen e paqeruajtësve perëndimorë në një rajon që e konsideron si kopshtin e shtëpisë së vet. Kriza i la të tromaksur SHBA-të dhe aleatët e tjerë, për shkak se nuk kishin asgjë tjetër për të bërë, përveç thirrjeve diplomatike për armëpushim.

Pasojat e luftës, investimet mund të largohen

Tregjet e aksioneve në Rusi u përmirësuan disi dje, kur lajmi i armëpushimit mbërriti te investitorët, por një raport i Agjencisë së Vlerësimeve “Standard and Poor’s”, paralajmëroi se investimet e huaja direkte në Gjeorgji mund të thahen pas mbarimit të konfliktit. Investimet e huaja zunë 19% të PBB-së në Gjeorgji gjatë vitit të kaluar.

“Nuk po shohim vetëm situatën politike mes Rusisë dhe Gjeorgjisë, por edhe frikën e investitorëve. Kriza qe aq e ashpër dhe aq e papritur, sa shumë investitorë po mendojnë se çfarë duhet të bëjnë me investimet në Gjeorgji”,- deklaroi “SP”. Bursa e Moskës u rrit me 3.5% dje, ndërsa kishte humbur 6.5% vlerë totale të premten e kaluar. Rubla fitoi më shumë se 10 kopekë kundrejt dollarit dhe euros, pas njoftimit të armëpushimit. Gjithsesi rubla është ende larg kuotës së parakrizës.

“British Petroleum” mbyll naftësjellësin

Gjiganti i naftës dhe gazit “BP”, njoftoi se ka mbyllur naftësjellësin e vet të Kaukazit që transporton naftën e Kaspikut në Detin Mesdhe, si pasojë e frikës mbi sigurinë. Naftësjellësi i mbyllur, transporton 150 mijë fuçi nafte në ditë. Naftësjellësi nuk është dëmtuar, por është mbyllur përkohësisht. Edhe një gazsjellës që lidh Kaukazin me Turqinë ka ndërprerë punën. Eksportet e naftës nga Azerbajxhani për në Detin Mesdhe përmes Turqisë u ndërprenë javën e kaluar si pasojë e sulmeve të kurdëve. Ai transporton 850 mijë fuçi në ditë, shifër kjo e barabartë me 1% të konsumit botëror të naftës. Tashmë vetëm një pjesë e vogël e naftës së Azerbajxhanit, rreth 100 mijë fuçi në ditë, po transportohen me trena përmes Gjeorgjisë. Kryeministri i Kazakistanit, Karim Masimov, deklaroi se porti Gjeorgjian i Batumit që është blerë nga ky vend, është tërësisht funksional dhe nuk ka pësuar dëmtime. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë paralajmëroi dje se konflikti në Gjeorgji kërcënon eksporte nafte me rëndësi strategjike nga Azia Qendrore. Gjeorgjia përshkohet nga shumë naftësjellës e gazsjellës të ndërtuar nga investitorët perëndimorë dhe të mbështetur nga SHBA-të.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›