E Diel, 1 Nëntor 2026

Pepa: Do të privatizoj shërbimin e sanitareve në QSUT

Sipas drejtorit të QSUT-së, shërbimi i sanitareve do të kalojë me koncesion. Kjo do të përmirësojë higjienën në spital

Sanitaret do të kalojnë me koncesion, çka do të thotë se ky shërbim në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” do të privatizohet. Ky projekt do të vihet në zbatim në mënyrë të domosdoshme vitin tjetër nga i cili pritet përmirësim të këtij sektori në spital. Kështu u shpreh për “Shekullin” drejtori i QSUT-së, Mati Pepa, i cili bëri të ditur projektin pas ankesave të sanitareve që u larguan nga puna 2 muaj më parë.

Shërbimi

Duke pranuar se sektori i pastrimit është shumë problematik në spital, çka reflektohet edhe në nivel dhe sidomos në disa shërbime, kreu i QSUT-së, Pepa pohon se ka ardhur koha që në këtë shërbim të bëhen reforma të thella. “Duke filluar nga viti që vjen, shërbimi i sanitareve do të jepet me koncesion. Kjo do të thotë se ato do të jenë të nënkontraktuara nga një firmë private”,- pohon Pepa. Sipas tij, dhënia me koncesion i këtij shërbimi, do të përfshijë ambientet e jashtme dhe të brendshme të spitalit. Ndërkohë ai pohon se nga kjo reformë pritet që të përfitohet një shërbim më cilësor se ky që është aktualisht, duke u nisur edhe nga praktika që është ndjekur me privatizimin e shërbimit të kuzhinës dhe të hotelerisë. “Kjo ka qenë në projektet tona, por këtë vit nuk mundëm ta realizojmë për faktin se janë shpenzuar shumë fonde me rregullimin e godinave të reja në spital dhe me privatizimin e hotelerisë. Megjithatë, e them me siguri që vitin tjetër edhe shërbimi i sanitareve do të jepet me koncesion”,- pohon Pepa.

Higjiena

Si shumë probleme të tjera, edhe mungesa e higjienës në shumë pavione lë për të dëshiruar në spitalin më të madh të vendit. Kjo duket qartë duke filluar nga Spitali i Sëmundjeve të Brendshme, apo siç njihet ndryshe 6-katëshi, deri tek Pediatria e në shërbime të tjera. Mangësitë sa i takon nivelit të higjienës i pohojnë edhe vetë pacientët, të cilët nuk janë aspak të kënaqur nga kjo situatë. Në fakt, shkak i një higjiene jo korrekte janë bërë edhe infeksionet që kanë marrë pacientët në spital. Madje për këtë arsye shpesh ka ndodhur që të bllokohen edhe sallat e operacionit për ditë të tëra.

Drejtori: Sanitaret e larguara, përgjigje deri në fund të javës

Sanitaret e larguara 2 muaj më parë nga puna kanë vazhduar protestat e tyre para Drejtorisë së QSUT-së, për rikthimin e tyre në punë. Duke e quajtur të padrejtë dha pa asnjë kriter largimin e tyre, ato kërkojnë drejtësi. “Kam më shumë se 30 vjet që punoj në këtë spital dhe jam kryefamiljare. Me këtë rrogë ushqej fëmijët, ndaj duhet të më rikthejnë në punë”,- pohon ish-sanitarja Tufane Bushaj. Drejtori i QSUT-së i ka quajtur me vend ankesat e sanitareve por për shkurtimin e tyre ai ka fajësuar organikët e ardhur nga Ministria e Shëndetësisë. Megjithatë, ai pohon se është ngritur një komision dhe po shqyrton të gjitha rastet e sanitareve të larguara dhe deri në fund të javës, do të marrin përgjigje nëse do të rikthen në punë apo jo. “Janë kategoria më e varfër pasi duke pastruar mbajnë familjen dhe kanë të drejtë të ankohen. Por kjo reformë nuk është marrë nga Drejtoria e QSUT-së, megjithatë ne po shohim të gjithë mundësitë për t’i rikthyer në punë”, - pohon Pepa duke shtuar se një mundësi është tek spitali i ri që po ndërtohet, ku do të ketë edhe vende të reja për sanitaret.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›