E Diel, 1 Nëntor 2026

Një fjali ndjese që nuk e kam dëgjuar në 20 vjet

SHËNIM I REDAKTORIT - Artikulli i mëposhtëm, është një ngjarje e jetuar. Na është dërguar në Kontakt nga një ish-i dënuar politik, Ramazan Taka. Është një dëshmi e shkurtër prekëse, për shkatërrimin e një familjeje, si pasojë e burgimit të kryefamiljarit.

Kur u ktheva nga burgjet dhe kampet politike ku vuajta dënimin, në familjen time gjeta të vdekur nënën time, djalin 27 vjeçar, Tahirin, djalin tjetër, Hysniun, të çmendur, ndërsa gruan e gjeta në grahmat e fundit të jetës.

Dita e parë e lirisë time koincidoi me ndarjen e bagëtive tek stallat. Sapo më panë, njerëzit shtangën dhe u kthyen nga unë. Mendova se duhej të flisja, ndaj ju thashë: “Po gëzohem për dy gjëra. Së pari, po ndani atë pasuri që ka tepruar. Së dyti, i ndakeni pa sherr, pa dhunë, pa u çarë në kokë njëri me tjetrin...”.

Ndërkohë dy burrave më të moshuar, Shaqir dhe Hazis Gj., iu thashë larg turmës: “Gruaja ime është në grahmat e fundit të jetës. Meqenëse në trungun e familjes sime keni varrosur dy kufoma pa mua, edhe këtë varroseni ju...”.

Gjykova se nga padrejtësitë që kishin bërë ndaj meje me vite, nuk mundeshin të ma jepnin dorën. Ndaj u largova nga fshati.

Kur u ktheva, mbas dy ditësh, sipas traditave tona, i gjeta të gjithë në varrimin e gruas sime. Ishin edhe ata që kishin dhënë dëshmi të rreme ndaj meje. Iu thashë: “Ua kthefsha në gëzime, në familjet tuaja. Qofshi të falur nga unë që pata shtatë lëkurë dhe ju mi rropët tetë. Kërkoj veç të vëllazërohem me ju...”. Por shpejt e kuptova se fajtorët, faljen e quajnë dobësi.

Djali im, Hysniu, u trondit thellë në momentin kur më hodhën hekurat në prani të afro 500 vetave, banorë të shtatë fshatrave. Ai pësoi një tronditje psikike dhe mbeti i sëmurë për gjithë jetën. Gjithsesi, drejtuesit e kohës së monizmit i lidhën djalit të sëmurë një pension nën moshë. Pas daljes nga burgu, shkova në degën e Sigurimeve Shoqërore për të kërkuar atë çfarë djalit tim i takonte. Drejtuesit e sigurimeve nuk më dhanë asnjë përgjigje. U drejtova në Gjykatën e Matit. Çështja i takoi gjyqtarit M.Ll. Sigurimet nuk bindeshin. Bëra edhe dy gjyqe të tjera me ish-kryetarin e Gjykatës, A.K. Pasi përfundoi gjithçka në favor të djalit tim të sëmurë, Hysniut, i thashë gjyqtarit: - “Për respekt, dua me të dhanë një kafe...- Ai ma ktheu: - Respekt është kur ta jap unë kafen ty...”.

Shkova tek M.Ll., dhe ai më tha: - E pifsha për mort të fëmijëve të mi... Sa herë më kujtohen këto fjalë të tij, më rrëqethet trupi. Këto fjalë kaq prekëse nuk i kam dëgjuar tek asnjë pushtetar i 20 viteve të fundit...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›