E Diel, 1 Nëntor 2026

E drejta e Kosovës dhe padia serbe

1.

Serbia dhe Rusia vazhdimisht klithin se e "drejta ndërkombëtare" në raport me Kosovën i takon Serbisë!!! Ato mbështeten në shumë vendime të bashkësisë ndërkombëtare që ka ndërmarrë në të kaluarën, e me të cilat e pati legjitimuar Serbinë për t‘ia rrëmbyer shumë pjesë Kosovës që nga Molla e Kuqe, afër Nishit, e deri në kufijtë e sotëm të Kosovës e, më pas, e pati legjitimuar edhe pushtimin. Serbia dhe Rusia u mbështetën fort tek ato vendime të padrejta të së kaluarës, në kurriz të shqiptarëve e të Kosovës. Edhe pas qershorit të vitit 1999, kur Kosova u çlirua, me këtë "argument" bënë përpjekje të vazhdueshme që ta bindnin bashkësinë ndërkombëtare të mos e përkrahte pavarësinë. As kur Kosova e shpalli atë, më 17 shkurt të vitit të kaluar, Serbia (e përkrahur fuqishëm nga Rusia) nuk u bind se duhet të heqë dorë nga vendi, që për shumë vjet e mbajti të okupuar me dhunë.

Në vend që ta pranonte realitetin, ngriti padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, për gjoja jolegjitimitetin e shpalljes së pavarësisë. Madje, edhe disa shtete, për shkak të kësaj pallavre të Beogradit, po ngurrojnë ende ta njohin pavarësinë e Kosovës. Ato ende nuk e kanë kuptuar se të gjitha vendimet e së kaluarës ishin të padrejta, nuk e kanë kuptuar ende se vendimet e njëpasnjëshme që favorizuan Serbinë në raport me Kosovën e kanë pas lënduar rëndë të drejtën ndërkombëtare…

2.

E drejta ndërkombëtare do të konsiderohet e tillë vetëm nëse Gjykata Ndërkombëtare e Hagës do ta hedhë poshtë padinë e Serbisë. Me vendime të padrejta ndaj Kosovës, e drejta ndërkombëtare do të konsiderohej e tillë vetëm në letër, por kurrën e kurrës nuk do ta kishte kuptimin e mirëfilltë kjo sintagmë juridike. E drejtë ndërkombëtare nuk mund të konsiderohet, nëse në të kaluarën, me vendime të padrejta, është legjitimuar okupimi i një territori nga një shtet tjetër, dhe ky legjitimim i atëhershëm të merret për bazë në një kohë tjetër e në një realitet të ri. Në këtë rast, pushtimi i Kosovës nga Serbia deri në vitin 1999 jo vetëm që nuk duhet të merret si argument i Serbisë për ta kërkuar "drejtësinë", por Gjykata Ndërkombëtare duhet ta shpallë fajtore atë për gjithë atë dhunë e gjenocid që ka ushtruar ndaj shqiptarëve për vite me radhë.

Realiteti i pasluftës është i vetmi që duhet të respektohet nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, i vetmi që përkon me të drejtën ndërkombëtare. E kjo, sepse pavarësia e Kosovës, më 17 shkurt, është dhe mbetet legjitime dhe se vendimet e padrejta në të kaluarën për Kosovën janë thjesht padrejtësi të mëdha ndaj shqiptarëve. Si të tilla, ato kurrë nuk duhet më të shërbejnë si bazë që Serbia të kapet për to. Ato duhet të trajtohen nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë si vendime të padrejta, që i takojnë vetëm së kaluarës dhe që nuk duhen përsëritur. Po ashtu, edhe ato shtete që po hezitojnë ta njohin pavarësinë e Kosovës, duhet të fillojnë procedurat për ta njohur atë sa më parë. Duke e njohur pavarësinë e Kosovës, ndihmojnë edhe Serbinë që përfundimisht të çlirohet nga dëshirat e saj shoviniste. Por ndihmojnë edhe Ballkanin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›