E Diel, 1 Nëntor 2026

Naomi Kempbëll: Kam frikë të plakem

Karriera e modeleve është e shkurtër sa jeta e një fluture. Ndoshta për këtë arsye supermodelet blejnë restorante, kthehen në stiliste, zgjedhin bashkëshortë super të pasur, bëjnë fëmijë, nisin karrierën si aktore dhe nuk e pranojnë kurrsesi që koha është armiku më i madh. Për to, në moshën 26 - 28-vjeçare duhet shpikur një profesion tjetër. Sigurisht që ka edhe përjashtime dhe Naomi Kempbëll është njëra prej tyre. Pantera e zezë, mbretëresha e pasarelave, e ndien se vendin e saj dalëngadalë po e zënë bukuroshet 20-vjeçare, sidomos ato të ardhura nga vendet e Lindjes. Rasti më i fundit është ai i një reklame, për të cilën modeles britanike duket se nuk i ka ardhur aspak mirë, madje e ka ndjerë veten disi të lënë pas dore. Naomi nuk u mor fare në konsideratë për fushatën e krahinës së Toskanës, e sapoprezantuar në Berlinin Lindor. Një spot ambicioz, simbolik, i titulluar "Dua të jetoj kështu". Kësaj radhe zgjedhja ishte Marta Çeketo, dhjetë vjet më e vogël se ajo, e fejuara e futbollistit Luka Toni, që mbahet mend nga të gjithë për shumë sporte publicitare dhe qindra sfilata në pasarela. Sipas disa zërave të mbledhur nga faqja e internetit "Metropolitan post", e specializuar për thashetheme dhe prapaskena të botës VIP, duket se modelja angleze ka mbetur shumë e zhgënjyer që spoti për Toskanën iu dha biondes Çeketo. E vërteta është se Naomi është shumë e lidhur me Toskanën. Sfilatën e fundit të Xhani Versaçes në vitin 1997 e kishte bërë pikërisht në Firence, me një pistoletë "lodër" në dorë, ngjarje kjo që në atë kohë shkaktoi shumë kritika. "Në Firence ndihem si në shtëpinë time. Për mua është një tokë e mbushur plot me kujtime. Kur shkoj aty më duket sikur zhytem në të kaluarën dhe ndihem me fat për gjithçka që kam arritur deri më sot. Do të doja me gjithë shpirt që t‘i bëja reklamë këtij vendi në të gjithë botën". Por, sipas zërave, /////pas mungesës ///pas kësaj fshihet frika për t‘u plakur, që mund të prekë edhe bukuroshet si ajo. "Ndonjëherë edhe bukuroshet si ne kanë frikë të shihen në mëngjes ////në pasqyrë. Gjatë një sporti publicitar në Londër, po e shihja veten në pasqyrë dhe m‘u duk aq e plakur sa nisa të qaja. Nëse më parë menaxheri të ofronte 100 punë në ditë, ndërsa tani një me zor, atëherë fillon të mendohesh mirë", tregon ajo për revistën GQ dhe kufiri për të dalë në "pension" sado që mund të shtyhet, ngelet gjithmonë aty. Askush nuk është në gjendje ta deklarojë hapur, por është e vështirë për një ish-mbretëreshë pasarelash të harrojë veten dhe bukurinë që dikur rrezatonte nëpër kopertinat e revistave të modës dhe shërbimeve fotografike. Kështu ka treguar për "Fashion TV" modelja Linda Evanxhelista: "Dikur thosha se nuk mund të ngrihem nga krevati pa më ofruar dhjetë mijë dollarë. Por, kur një rrudhë duket në fytyrën e një modeleje, nuk është thjesht shenjë plakjeje, është njëlloj sikur një monument rrëzohet, thyhet, copëtohet. Është një katastrofë". Në fakt as sajtet e internetit nuk tregohen të rezervuar. Shumë prej tyre nuk harrojnë të krahasojnë bukurinë e vajzave 17 - 20-vjeçare me ish-mbretëreshat e dikurshme të pasarelave. Naomi është mjaft e njohur për karakterin e saj të tmerrshëm, të shfaqur shpesh kundër mikeve, të fejuarve dhe kameriereve, ndërsa në maj pritet të festojë ditëlindjen e saj të 39.

Rioshet

Paguhen mijëra euro për një sfilatë dhe janë femrat imazh të markave më të njohura. Vijnë nga Polonia, Australia, Kanadaja. Ndërsa lind pyetja se kush janë modelet më të mira të momentit që kanë eklipsuar Naomin dhe Kejt Mos? E para është Xhema Uard, 20 vjeçe, me origjinë australiane. Uard ka qenë shpesh protagoniste e faqeve rozë të gazetave, ////për shkak të lidhjes së saj me aktorin Heath Ledger, që humbi jetën për shkak të një overdoze. Revista e miliarderëve "Forbes", e rendit atë mes modeleve më të paguara të botës, domethënë mes atyre që fitojnë më shumë se 13 milionë dollarë në një vit nga sfilatat dhe shërbimet fotografike. Pëlqehet sidomos në Japoni. Por të ardhurat e Xhemës vijnë kryesisht nga Lindja e Largët dhe nga gjiganti i kozmetikës japoneze, i quajtur "Kose". Ajo që vlerësohet më shumë është pamja e saj si kukull, ndaj është shpesh edhe e preferuara e gjigantëve të modës, si "Valentino", "Dior", "Dolçe&Gabana", "Karl Lagerfeld", "Swarovski" dhe "Luis Vuiton". Xhema zëvendësoi Kate Mosin në reklamën e parfumit të "Calvin Klein", "Obsesion Night" për meshkuj. Thuhet se pas pasarelave e ka të siguruar vendin edhe në kinema. E dyta në listë është Anja Rubik, 22-vjeçarja me origjinë polake. Për fansat e shumtë është modelja më e bukur që ka kapërcyer ndonjëherë kufijtë polakë. Anja ka shëtitur gjithë botën për të qenë gjithmonë pranë prindërve të saj. Ka jetuar në Greqi, Kanada, Afrikën e Jugut dhe Francë. Pikërisht në Paris lindën edhe kontaktet e para me botën e modës, fillimisht si një punë qejfi gjatë pushimeve verore e më pas si një profesion, të cilit i dedikon shpirtin dhe mbi të gjitha trupin. Sot është imazhi i pazëvendësueshëm i markës së famshme "Belstaff". Shumë persona mendojnë se Anja do të jetë superylli i ardhshëm. Pasioni i saj është letërsia, arti dhe zhytja nën ujë. Nuk ngelet pas edhe Kim Norda, 21 vjeçe, me origjinë holandeze. Me gjatësinë e saj 1 metër e 80 centimetra, për të cilën shprehet se është dhuratë nga Zoti, konsiderohet si një nga modelet më të preferuara për "haute couture". Kim është ikona më seksi e Holandës. E lindur në Amsterdam, më 22 prill të 1986-ës, top-modelja bionde bukuroshe, me sy të kaltër, të magjeps me freskinë, ëmbëlsinë dhe klasin e saj. "Më saktë, është modelja më e kërkuar e momentit dhe kjo e shpjegon suksesin", shprehet një stiliste e famshme holandeze, e cila që kur e njohu në moshën 17-vjeçare i kërkoi menjëherë të nënshkruanin kontratë. Për agjencinë ku punon, Kim është një lloj bingoje. Të gjithë duan ta shikojnë bukurinë e saj magjepsëse. Kim ka sfiluar për mjaft marka të njohura si: "Lanvin", "Miu Miu", "Chloé", "Hermès", "Chanel" dhe "Givenchy". Këto janë vetëm disa prej tyre.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›