E Diel, 1 Nëntor 2026

"Shumë pushtet në duart e super-Sarkozisë"

E keqja e Francës është përqendrimi i pushtetit, lart dhe poshtë. Por, veçanërisht lart, thotë Zhak Lang, socialist, ish-ministër Kulture në kohën e Miterranit, ndërsa sot vëzhgues i pavarur në një vend që e ka zakon të dashurohet pas një lideri, edhe duke e ditur se më pas do ta shohë në gijotinë.

Monsieur Lang, nuk mendoni si shumë të tjerë se Nikolas Sarkozi rrezikon të kthehet në një Napoleon III?

Besoj se historia nuk përsëritet. Shpesh paralelizmat veç i banalizojnë rastet. Parapëlqej të flas për realitetin. Pastaj, përse të flasim për Napoleonin III dhe të mos flasim për Napoleonin e parë të periudhës kur ishte konsull?

Po ju lexoj një paragraf nga Kushtetuta e vitit 1852, e aprovuar nën Napoleonin e Tretë: "Vetëm ai ka të drejtën e vendosjes së ligjeve... Ministrat varen vetëm nga kreu i shtetit". Nuk është ajo që po ngjet tani?

Po, por kjo nuk është e re. Në Francë ndodh kështu që prej vitit 1958 dhe pas Republikës së Pestë të De Golit. Ishte ai që krijoi këtë sistem hiper-presidence. Që në atë kohë kaluam nga një teprim te tjetri: nga regjimi me bazë Asamblenë e Republikës së Katërt, te një President me të gjitha pushtetet në dorë dhe një Parlament të boshatisur. Ishte De Goli, jo Sarkozia.

Por nuk mund të mohohet se edhe Sarkozia ka shtuar diçka nga ana e vet: funksioni i Kryeministrit praktikisht është zhdukur, ministrat janë kthyer në ekzekutorë të thjeshtë. Edhe kjo parashikohej nga Kushtetuta e De Golit?

Është e vërtetë. Sarkozi mbulon në të njëjtën kohë rolin e Presidentit, Kryeministrit dhe të gjithë ministrave. Ai ka zakonin të përqendrojë pushtetet e ekzekutivit në duart e veta. Por i duhet njohur edhe merita e provokimit të nismës për rishikimin e Kushtetutës, me qëllim rritjen e pushtetit të opozitës.

Ju ishit i vetmi socialist që votuat në favor të atij modifikimi të Kushtetutës dhe jeni kritikuar shumë për këtë...

Nuk është e vërtetë, kam pasur vetëm ndonjë sulm të rrallë.

Megjithatë, vetëm para pak ditësh keni publikuar një libër, në të cilin ndaleni tek ajo zgjedhje. Jeni penduar?

Absolutisht jo. Do të veproja njësoj po të më jepej rasti. Ato modifikime e forcojnë fuqinë e opozitës. Sigurisht, bëhet fjalë për një progres modest, por ndodhi. Në fund të librit kam reflektuar pak për faktin që këto rregulla të reja duhen aplikuar seriozisht në rregulloren e Asamblesë. Këtë do ta shohim dhe unë do jem shumë i vëmendshëm.

Në Francë, çështja e superfuqisë është tepër aktuale. Një vëzhgues i kujdesshëm si drejtori i "Le Monde", Edui Plenel, këmbëngul se po ndodh një grusht shteti i drejtuar nga Elizeja. Për shembull: Sarkozi e ka marrë në dorë fuqinë për të emëruar presidentët e televizioneve dhe radiove publike. Çfarë mendoni?

Nuk do ia vija emrin grusht shteti, por jam krejtësisht kundër këtyre vendimeve të marra nga ana e mazhorancës. Sigurisht, ky është hap prapa kur vjen fjala te liria. Kisha propozuar ekzaktësisht të kundërtën, pra që emërimet të bëheshin nga një këshill i përzgjedhur me tre të pestat e votave nga Asambleja.

Duke qenë se po flasim për lirinë, si e shpjegoni që Franca është në krye të listës së vendeve perëndimore në betejën për kontrollin e internetit?

Nuk më duket se është kështu.

E, megjithatë, para pak ditësh ministrja e Kulturës, Kristin Albanel, tha saktësisht këto fjalë: "Aksesi në internet nuk është pjesë e të drejtave themeltare".

Nuk e kam dëgjuar, por është një shprehje tepër e papëlqyeshme, madje një absurditet i papranueshëm. Megjithatë mendoj se një problem ekziston: gjetja e ekuilibrit mes lirisë së lundruesve të internetit dhe të drejtave të krijuesve, artistëve, të cilët, siç themi ne francezët, nuk jetojnë veç me dashuri e ujë të freskët. Dhe të drejtat e artistëve duhen mbrojtur: në rast se librat, këngët, filmat e tyre shfrytëzohen pa i shpërblyer financiarisht, ky është rrënimi i krijimtarisë. Propozimi mbi këtë ligj është punuar nga një njeri i së majtës, Denis Olivien, drejtor i "Nouvel Observateur". Pra, nuk ekziston asnjë objektiv politik i së djathtës pas këtij propozimi.

Një tjetër dosier tepër i nxehtë është i ashtuquajturi "Aferi Perol", ish-zëdhënës i Elizesë, i emëruar president i një gjiganti të ri bankar lindur prej shkrirjes së Arkave të Kursimit dhe Bankës Popullore. Thuhet se Sarkozi tani u bë me bankë. Çfarë mendoni ju?

Temperamenti e shtyn Presidentin tonë të kërkojë të vendosë mbi shumë çështje. Por përtej karakterit të Presidentit, edhe kjo çështje zbulon një të keqe shumë të madhe franceze: në politikë, ekonomi dhe në jetën intelektuale pak njerëz grumbullojnë në duar shumë pushtet. Nuk ekziston ndarja e duhur mes pushteteve të ndryshme, përkundrazi ekziston një shkrirje e dyanshme mes pushtetit ekonomik dhe atij politik. Për shembull, deputetët francezë nuk duan t‘u vihet në diskutim e drejta për të qenë edhe kryetarë bashkie, apo presidentë rajonesh. Është një absurditet që ndodh vetëm në Francë. Jemi mbretëria e krerëve të vegjël, Napoleonëve të vegjël. Siç e shikoni, problemi nuk shtrihet vetëm në Elize.

Është nevoja për një opozitë të vërtetë. Mendoni se Martinë Obri, e sapozgjedhur sekretare e parë e Partisë Socialiste është liderja e vërtetë e opozitës? Apo ndoshta është i riu Olivier Besankeno, trockisti që tashmë është numri një i partisë antikapitaliste, tepër i fortë në sondazhe, ai që do ta nxjerrë sekretaren e socialistëve në plan të dytë?

Ufff... Opozita franceze është Partia Socialiste që qeveris qytetet e mëdha dhe të gjitha rajonet me vetëm dy përjashtime. Po të mbaheshin sot zgjedhjet kombëtare, me shumë gjasa partia socialiste do të fitonte.

Në këtë detaj të vogël, ndryshimet me Italinë kanë qenë gjigante...

Në Itali e majta është më e ndarë. Më erdhi shumë keq që Valter Veltroni nuk pati sukses, është njeri me cilësi shumë të mira. Nuk dua të bëj paralelizma banale, situatat janë të ndryshme, por besoj se Berluskoni ka më shumë pushtet se Sarkozia: zotëron televizionet komerciale, ndërsa në Francë, edhe pse Elizeja mund të marrë në dorë emërimin e drejtorëve të televizioneve e radiove, di të ketë gjithë rezistencën nga ana e gazetarëve.

Por, në ndryshim të Berluskonit, Sarkozi ka përkrah mbretëreshën e tij...

E njoh shumë mirë Karlën, është një grua e zgjuar, sigurisht ka luajtur rol pozitiv, i bëri publicitet në botë. Kur shkuan në Nju Jork, në shtator, e mori me vete për të vizituar tri muze. Diçka e re në jetën e Sarkozisë. Por në politikë kjo është e pamjaftueshme, nuk mund ta shpëtojë nga rënia e fortë e popullaritetit. Nëse për sa i përket politikës së jashtme jam dakord me të, në politikën e brendshme jam dakord me gjithë opozitën: shumë fuqi në duart e tij.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›