E Diel, 1 Nëntor 2026

E drejta e pronës, një çështje e komplikuar në Shqipëri, ndërsa zgjedhjet afrohenNga Adam Tanner, Reuters Ksamil- Fatmir Murati e pëlqente aq shumë një copë tokë publike që shtrihej matanë rrugës ku ndodhet apartamenti i tij, saqë vendosi t

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

E drejta e pronës, një çështje e komplikuar në Shqipëri, ndërsa zgjedhjet afrohenNga Adam Tanner, Reuters

Ksamil- Fatmir Murati e pëlqente aq shumë një copë tokë publike që shtrihej matanë rrugës ku ndodhet apartamenti i tij, saqë vendosi të ndërtojë një shtëpi aty.

I mbushur me limona dhe portokaj, terreni është një fushë beteje politike.

Fakti që mijëra si ai nuk e kanë të qartë se kush e ka pronësinë mbi tokën, është një trashëgimi e regjimit të tejzgjatur stalinist në Evropë.

Gjithashtu është një nga çështjet kryesore të fushatës zgjedhore në Shqipëri, një demokraci në tranzicion që shpreson të anëtarësohet me Bashkimin Evropian dhe që mban zgjedhjet në fund të këtij muaji.

Të dy, Sali Berisha, figura dominante politike në vend që pas rënies së komunizmit në vitin 1991 dhe sfidanti socialist, Edi Rama, thonë se titujt e pronësisë janë një prioritet, në një moment kur Shqipëria kërkon investime të huaja.

Vendi u bë në prill anëtari i 28-të i NATO-s, pas një dekade të trazuar, përfshi një valë krimi, zgjedhje të manipuluara dhe zhytje në anarki. Shumë shqiptarë humbën kursimet e tyre në skemat piramidale dhe më shumë se 3 mijë persona u vranë në dhunën që pasoi.

Qartësimi do të ndihmonte kapitalin të zhvillonte industrinë dhe të pasuronte potencialin turistik të vendit në veri të Greqisë, përgjatë brigjeve të Adriatikut dhe Jonit.

Prodhimi i Brendshëm Bruto për kokë është 7.420 dollarë, por Shqipëria është poshtë Surinamit dhe poshtë Perusë në vitin 2007, sipas të dhënave të Bankës Botërore.

Murati thotë se ai po përpiqet të legalizojë vendin ku ka ngritur ambiciet e tij, por përgjigjja për rezultatin zgjedhor duket se do të vijë shumë më shpejt sesa qartësimi se kush e mban titullin e pronësisë.

“Askush nga ne nuk ka një leje për të ndërtuar”, - thotë ai, ndërsa na tregon një ambient, ku ai shpreson që të vendosë një pishinë. “Por deri më tani nuk kam patur ndonjë problem me bashkinë.”

51-vjeçari përllogarit se atij do i kushtojë rreth 20 mijë dollarë që të legalizojë tokën që ka zënë që në vitin 1994. Me të ardhurat nga dhomat që lëshon me qira me 12 deri në 20 euro nata, ai mbështetet te remitancat e dy djemve të tij në Greqi prej 3 mijë eurosh në muaj për të ndihmuar punimet e mëtejshme.

“Ky është një problem shumë, shumë i madh, veçanërisht për investitorët e drejtpërdrejtë”, - tha një diplomat, duke folur në kushtet e anonimitetit, për shkak se komentet e tij ishin kritike për sistemin.

“Kush mund të japë koncesione për sipërmarrjet e huaja, kur nuk e dinë se dokumentet e pronës janë të tyret?”

Pavarësisht urgjencës, politikanët duket se pak po i kushtojnë vëmendje kësaj çështjeje, ndërsa shumë njerëz nuk kanë një leje të posaçme për ndërtimet.

Ekspertët thonë se nuk ka të dhëna të besueshme, por ata që kanë ndërtuar pa leje, ndoshta mund të kalojnë ata që kanë pretendimet të vjetra pronësore.

“Ata po luajnë në të dy krahët”, - tha një zyrtar ndërkombëtar në Tiranë, duke kërkuar gjithashtu të qëndrojë në anonimitet. “Të gjitha rrugët përfundojnë te regjistrimi, që është gjithashtu një fushë e korrupsionit politik.”

Grabitja e pronave

Nën komunizmin stalinist, pronësia private e tokës, makinat dhe varkat ishin të ndaluara. Kur u rrëzua regjimi i vjetër në vitin 1991, shumë grabitën atë çka mundën pas dekadash të tëra privimesh.

Guvernatori i Bankës Qendrore, Ardian Fullani, thotë se reforma e titujve të pronësisë është esenciale: “Pa tituj pronësie, të gjitha gjërat e tjera do të jenë shumë, shumë të vështira”, - i tha ai Reuters shtatorin e shkuar, përpara se të niste fushata.

Edhe pse pak të njohura ndërkombëtarisht, resortet bregdetare si Ksamili kanë potencial të madh. Në Jonin e kristaltë, vetëm 17 kilometra larg është Butrinti, qyteza e rrënuar romake, një nga vendet më të bukura dhe më mbresëlënëse në Shqipëri.

Zgjerimi i Ksamilit ka qenë aq i shpejtë, sa pjesë të tëra duket se janë shkretëtira me ndërtime, shumica e të cilave presin të përfundojnë.

Duke tundur duart në drejtim të kodrave përgjatë brigjeve, dixheji Erion Kondi është i mërzitur: “Nuk është mirë këtu”, - thotë ai. “Këtu nuk ka infrastrukturë”.

Kjo panoramë kaotike ka shtyrë një nga investimet me profil më të lartë të Shqipërisë, që daton para pesë vitesh. Bëhet fjalë për një plan të kompanisë franceze “Club Mediterranee” për të ndërtuar një resort turistik.

Një tjetër zyrtar ndërkombëtar përllogarit se rreth 80% e Shqipërisë ka tituj pronësie, por ai thotë se problemi janë zonat që kanë më shumë interes për investitorët, përfshi këtu pjesë të bregdetit të Jugut dhe të kryeqytetit, Tiranës.

Një përplasje e veçantë daton që në vitin 1967, kur lidershipi ateist e komunist i vendit i mori pronat Kishës Ortodokse Shqiptare në qytetin jugor të Përmetit, pak sipër sheshit kryesor. Në vend të saj u hap një qendër kulturore.

Gjykata kryesore e vendit vendosi që qyteti mund të mbante pronën, por murgjit lokalë, që e kanë pushtuar ndërtesën në vitin 2001, refuzojnë të largohen.

“Ju keni një vendim gjykate të afirmuar nga të gjitha shkallët e gjyqësorit dhe që thotë se godina i përket bashkisë”, - thotë kryetari i Bashkisë së Përmetit, Edmond Komino, në një kafe një bllok larg pronës së diskutueshme.

“Bashkia nuk është një lojë - ne po flasim për një vendim gjykate.”

Vetëm një tërmet

Kryeministri, Sali Berisha, thotë se çdokush që ka humbur pronën do të marrë kompensim të plotë, por ata që kanë pushtuar pronat duhet të jenë në gjendje të paguajnë për legalizimin e tyre.

“Kjo është shumë e komplikuar”, - i tha ai Reuters në fillim të qershorit. “Ne duhet të njohim borxhet ndaj qytetarëve tanë”, - tha ai. “Po bëj sa mundem, shumë seriozisht. Nuk është dhe kaq e shpejtë, për shkak se duhen miliarda e miliarda, për të cilat ka nevojë Shqipëria.”

Kandidati i opozitës socialiste, Edi Rama, tha se Shqipëria ka nevojë që të rishkruajë ligjet e saj. “Ne duhet të kemi si fillim një rinovim të legjislacionit… shumë ligje që lidhen me pronat, bien në kontradiktë me njëri-tjetrin”, - tha ai në një intervistë.

“Nuk ka një zgjidhje 100%; kjo zgjidhet vetëm hap pas hapi”, - tha Rama.

Suela Pogaçe, menaxhere e përgjithshme e “Hotel Adriatik” në Durrës, një qytet në Adriatik, afër Tiranës, i përshkruan kështu mendimet e saj, kur shikon kaosin e egër të ndërtimeve përgjatë bregut.

“Dua të rrëzohet çdo godinë, dua të ketë një tërmet”, - thotë ajo në një kafe afër hotelit të saj, të parit në Durrës që prej vitit 1962. “Është e vetmja mënyrë që të zgjidhet kjo gjë.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›