E Diel, 1 Nëntor 2026

Festa turke e Flamurit mes katolikëve të MirditësNga Antena brenda familjesFlamuri ishte njeriu që e pësoi më së shumti dje në Rrëshen. Mori gjithë njerëzit e mitingjeve nga Kukësi dhe arriti që në mëngjes në Rrëshen. Bëri gati tribunën dhe këngëtarë

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Festa turke e Flamurit mes katolikëve të MirditësNga Antena brenda familjes

Flamuri ishte njeriu që e pësoi më së shumti dje në Rrëshen. Mori gjithë njerëzit e mitingjeve nga Kukësi dhe arriti që në mëngjes në Rrëshen. Bëri gati tribunën dhe këngëtarët filluan ahengun dy dorë para. Çdo gjë po dukej sikur po shkonte në rregull, kur ia plasi lajmi i parë. Hashim Thaçi nuk do të vinte. Flamuri kishte dërguar nja 300 vetë në Morinë që ta shoqëronin deri te tuneli. Lajmi që s’do të vinte, e mërziti.

“E ka bërë Edi Rama, - tha, - ai është armiku i rrugës. Do të na prishë festën.”

U lidh me atë burrin në telefon.

- Si do t’ia bëjmë këtij lajmit për Thaçin, se më pyesin gazetarët e huaj? - tha Flamuri.

- Flamur, ai duhet me thënë se është për të ik në SHBA këtë javë dhe duhet të pushoj. Është rrugë e gjatë Flamur deri në SHBA, duhet të pushoj. E mirkuptojm, thuj. S’ke ç’thu. Dëgjo, Edi Rama e ka bërë, po mos i thuj njeriut. Ai është i verbuar nga urrejtja që ne do festojmë sot. Kjo është Rrugë e Kombit Flamur, kështu thuaju të gjithëve.

- Atë po bëj, - i tha Flamuri dhe mbylli telefonin.

Njerëzit që e kuptuan që foli me atë burrin e rrethuan menjëherë dhe e pyetën si është puna.

- Puna është shumë mirë, - tha Flamuri. - Kjo është Rruga e Kombit, Rruga e Kombit. Duhet të bërtisni fort Rruga e Kombit! Rruga e Kombit! kur të fillojë ceremonia.

- Po baballarët e kombit do vijnë? - pyeti njëri.

- Do vijnë patjetër, - tha Flamuri. - Do vijë Erdogani, ç’do tjetër ti? Pse për Thaçin do pyesim ne?

- Tingëllon pak si ters, zoti Flamur, - i tha militanti, - se duket sikur Babai i Kombit tonë është kryeministri turk. Kemi një shekull që jemi ndarë me ta. Madje gjykatat tani as pronën nuk ta njohin, po e ke nga Turqia.

- Të drejtë ke, - tha Flamuri, - po e kisha fjalën për doktorin. Nejse, vendosni shpejt këta flamujt e PD dhe banderolat në tribunë dhe rrotull. Të jetë çdo gjë në vend të vet.

- I kemi vendosur, - tha militanti, - po kemi harruar të marrim flamur shqiptar. Edhe Rrugë e Kombit, edhe vetëm me flamuj turq është punë dreqi.

- Ashtu, - tha Flamuri. - Harruam fare. S’vëmë dot as flamuj amerikanë, as të BE, se ky Erdogani i paska zët. Le se e zgjidhim ndryshe, - tha. - Më thërrisni Astrit Meminë.

- Tanrı Bayrak, Tanrı Bayrak, - dëgjoi një zë Flamuri.

Ktheu kokën i çuditur kush i fliste. Një punëtor turk i afrohej gjithë emocion dhe vazhdonte t’i thoshte: “Tanrı Bayrak”.

- ǒështë kjo Tanrı Bayrak që më thotë ky?! - i tha një përkthyesi aty.

- D.m.th., zoti Flamur, - i tha përkthyesi.

- Tanrı Bayrak, hair amerikan bayrak

- Zoti Flamur, jo flamuj amerikanë, - i tha përkthyesi.

- Po pse mo, ç’ka ky me flamujt amerikanë? - tha Flamuri.

- Biz kardeş, - i tha turku, - hair amerikan bayrak.

- Jemi vëllezër, jo flamuj amerikanë, - i tha përkthyesi.

- Ik o turk, - i tha Flamuri, - se unë s’po gjej shqiptar, jo amerikan.

Thirri Astrit Meminë që merret me regjistrimin e mitingut.

- Dëgjo Astrit, - i tha, - kamera t’i marrë flamujt turq nga larg të duket vetëm ngjyra e kuqe se dro duken si flamuj shqiptarë. Se paskemi harruar të marrim flamuj shqiptarë.

Ndërkohë helikopteri u ul dhe sheshi buçiti nga brohoritjet e 3 mijë punëtorëve turq që bërtisnin: “Hallall Erdogan!” “Hallall Erdogan!”

Flamuri doli i pari dhe i zgjati lulet.

- Dua t’ju uroj për mirëseardhjen, - tha, - dhe për kontributin e Turqisë për popullin e Mirditës. Këto treva nuk ua harrojnë kurrë atë që keni bërë në shekuj për ne, - tha Flamuri.

Pasi ia përkthyen, Erdogani tundi kokën duke përsëritur: “Marshallah, marshallah!”

Flamuri vijoi më tej duke theksuar se qeveria e tij dhe ajo turke do vazhdojnë akoma bashkëpunimin dhe në vepra të tjera të mëdha si kjo…

- Ishallah, ishallah, - tha Erdogani duke hedhur sytë nga Tareku, biznesmeni që ka marrë mbi 1 miliard euro për rrugën 60 km.

- Ne do t’i shtrijmë rrugët tona drejt Evropës, - i tha Flamuri që e kapi delli i mitingut, - dhe do jemi gjithmonë bashkë në këto projekte…

- Allah, Allah! - tha Erdogani i çuditur në fytyrë, pasi ia përkthyen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›