Kokalari: Erdogan erdhi për bakshish, rruga do privatizohet që Berisha të mbushë sërish xhepatNga TemaFlet aktivisti i diasporës shqiptare, Geri Kokalari Zoti Kokalari, është krejt e dukshme që ju nuk keni më respekt për zoti Sali Berisha. Pse?
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Kokalari: Erdogan erdhi për bakshish, rruga do privatizohet që Berisha të mbushë sërish xhepatNga TemaFlet aktivisti i diasporës shqiptare, Geri Kokalari
Zoti Kokalari, është krejt e dukshme që ju nuk keni më respekt për zoti Sali Berisha. Pse?
Shqiptarët supozohet se jetojnë sipas Kodit të Besës. Kur Berisha bëri fushatë në zgjedhjet e vitit 2005, ai premtoi se do të ndalonte marrëveshjen për Albtelekomin. Ai gjithashtu premtoi se do të ndiqte Fatos Nanon dhe çdo zyrtar të korruptuar të qeverisë Nano. Ai tha se do bënte shumë gjëra. Por çfarë ka bërë?
Ai i ka dhënë një kuptim të ri fjalës korrupsion dhe u ka treguar shqiptarëve se Nano ishte një amator në këtë fushë.
Ai e ka trajtuar qeverinë shqiptare sikur ajo të ishte një llogari bankare e tij, duke u siguruar që fëmijët e tij të pangopur të ushqehen mirë.
Nëse do të isha një nga shumë shqiptarët që ka probleme me jetën e përditshme dhe do të shihja këtë shfaqje të shpifur pangopshmërie nga familja Berisha dhe njerëz si Fatmir Mediu dhe Lulzim Basha, do të isha i tërbuar dhe do të kuptoja se Berisha nuk e njeh kuptimin e fjalës besë.
Për shkak se Berisha mashtroi për të mbërritur në pushtet, ai është një abuzues serial i principeve të demokracisë, qeveria e tij është me e korruptuar se çdo qeveri paraardhëse dhe ai është një diktator.
Lajmi i mirë për mua është se unë nuk jetoj me këtë bishë, por lajmi i keq është se njerëzit e Shqipërisë duhet të jetojnë me të. Sigurisht që nuk do të vijojë kështu, nëse shqiptarët do të votojnë për ndryshimin më 28 qershor.
Shqiptarët kanë fuqinë për të rrëzuar Berishën duke shkuar në ditën e votimeve dhe duke votuar kundër tij dhe gjithë hajdutëve të qeverisë së tij. Më pas ndoshta Berisha do të mësojë pasojat e thyerjes së besës.
Kryeministri turk, Erdogan, po viziton Shqipërinë për të inauguruar një rrugë të re në vend. Çfarë keni për të thënë për këtë?
Pata mundësinë që të vizitoja Turqinë përpara pak vitesh dhe mora pjesë në një drekë me Erdogan. Duhet të them që u impresionova me potencialin e ekonomisë turke dhe kisha përshtypja të mira për Erdogan në atë kohë.
Për më tepër, mendoj se është e rëndësishme për Shqipërinë që të mbajë marrëdhënie të ndershme dhe të balancuara tregtie me Turqinë, Greqinë dhe të tjerë aktorë rajonalë.
Por është e papërshtatshme për çdo lider të huaj, veçanërisht të ndonjë vendi anëtar të OSBE apo NATO-s dhe që ka gjithashtu aspiratat e veta për anëtarësim në BE, që do bëjë diçka për të ndërhyrë në politikën e brendshme të Shqipërisë, veçanërisht pak ditë përpara zgjedhjeve.
Por unë e kuptoj pse Erdogan e bën këtë, mbi të gjitha Berisha është një nga kryeministrat më të mirë që paraja mund të blejë.
Dhe Erdogan dhe miqtë e tij kanë kompensuar Berishën dhe miqtë e tij shumë mirë, kështu që ata mund të përfitojnë fuqishëm nga të bërit biznes me Berishën,
Për shembull, turqve u është dhënë dhuratë Albtelekomi për vetëm një çmim të paktë të vlerës reale të tij. Atyre gjithashtu u është dhënë një tjetër dhuratë në formë fitimprurëse, ndërtimi i një rruge me prokurim direkt nga Berisha.
Kështu që vizita e Erdogan duhet të shihet në atë formë që është - si një bakshish.
Berisha pretendon se Albtelekom do të sillte ulje të kostove të telefonatave në Shqipëri. Por me atë që më thonë, Shqipëria sërish ka sistemin telefonik më të shtrenjtin në botë. Kështu që, kur Erdogan të kthehet në Turqi, xhepat e tij do të jenë më të rëndë, ndërsa ato të shqiptarëve, më të lehtë.
Ju e keni akuzuar Berishën se po harxhon pará duke mbi-shpenzuar për rrugën Durrës-Morinë dhe ju keni pretendime se ai po shet rrugën duke e privatizuar. Përse i bëni këto akuza?
Atëherë, në fillim dua të them se nuk është më sekret që projekti ka kaluar të gjitha përllogaritjet fillestare, dhe është shkruar për këtë në publikime të besueshme për biznesin jashtë vendit, por dhe në mediet shqiptare.
Por ajo çka e bën më të keqe këtë, është se dihet tashmë se “Bechtel” ka një histori të hershme të tejkalimit të kostove.
Në fakt, në Shtetet e Bashkuara ka qenë lajmi kryesor në gazetat e mëdha, e nëse ndokush nuk e beson këtë, le të kontrollojë lajmet në internet për “Bechtel” dhe “gërmimin e madh”.
E ashtu siç Berisha ishte paralajmëruar për piramidat, është paralajmëruar dhe për “Bechtel”. Por ai tani i ka dhënë një kontratë direkt pa tender “Bechtel”. Kjo është një nga gjërat që vetëm diktatorë të papërgjegjshëm si Kim Jong II mund ta bëjnë. Kështu që përgjegjësia për shpenzimin e qindra-miliona dollarëve bie mbi ushtarët e Berishës.
Për sa i përket shitjes së rrugës, jam në kontakt me shumë njerëz nga vende të ndryshme të botës dhe më ka mbërritur informacioni për këtë, ashtu si dhe për rastin e New World Telecom dhe AEY.
Një burim i besueshëm më ka thënë se Berisha po mban negociata sekrete për të shitur rrugën. Dhe besoj se Berisha po mban takime me Damir Fazlliç për këtë çështje.
Ajo që mund të them, është se shqiptarët janë të lirë ta besojnë këtë ose jo. Por është e thjeshtë për t’u kuptuar që Berisha ka hapur një vrimë të madhe ekonomike me këtë rrugë dhe po e merr në konsideratë seriozisht privatizimin e rrugës, për shkak se opsionet e tjera janë të kufizuara.
Kjo nuk duhet të jetë shokuese për çdo njeri që kujton lojërat që luante Berisha me Fatos Nanon dhe turqit për privatizimin e Albtelekomit.
Kjo nuk duhet të surprizojë askënd që pretendon se tenderi për ARMO-n ishte transparent dhe që personi që qëlloi të kishte kontrollin e saj ndodhi që ishte një mik me Berishën. Mendoj se Berisha nuk ka respekt për shqiptarët, për shkak se mendon se mund të bëjë të tilla marifete dhe ata mos ta vënë re.
A duan shqiptarët që Berisha dhe familja e tij të përfitojnë të tjera pará me rrugën e re që është ndërtuar me kaq shumë kosto për ta?
Çfarë dini për shpërthimin e makinës, ku gjeti vdekjen Aleksandër Keka?
Di atë që kam lexuar. Di gjithashtu që ka shumë raste të pazgjidhura vrasjesh në Shqipëri dhe Berisha duket se është gjithmonë në atmosferë, kur gjëra të tilla ndodhin.
Dhe kur mendon për vrasjen e Kosta Trebickës e të Remzi Hoxhës, të vjen ndërmend Berisha si personi që ka pasur motivet për këtë. E njoh situatën e Kosta Trebickës mirë, për shkak se kam pasur një komunikim shumë të ngushtë me të, përpara se të vritej.
Kosta më kontaktoi mua që ta ndihmoj për çështjen e AEY dhe unë jam personi përgjegjës që historia doli në faqen e parë të “New York Times”.
E di që Kosta po bëhej nervoz, për shkak se po merrte kërcënime, dhe pak përpara se të vdiste ai më paralajmëroi se ishte shumë i shqetësuar në lidhje me disa njerëz afër Berishës. Ai më tha se ishin njerëz të rrezikshëm që kishin lidhje me Shkëlzen Berishën.
Nisur nga rrethanat e vdekjes së Kostës, kërcënimet që kishte marrë, shqetësimet që më kishte parashtruar dhe natyrën e të ashtuquajturit aksident, unë besoj se Kosta është vrarë.
Për sa i përket historisë së të ashtuquajturit ekspert amerikan që pretendon se vdekja e tij ishte aksident, sipas meje, ky është më shumë se një manipulim.
Fakt është që Teter, i ashtuquajturi ekspert nga Amerika, ka qenë një polic, dhe, edhe pse e respektoj shumë punën e madhe që bëjnë ata, ai nuk ka qenë një mjek ligjor që të dalë në përfundime të tilla. Dhe me aq sa di unë, ai nuk e ka inspektuar kurrë skenën e të ashtuquajturit aksident të Kostës.
Kështu që, sipas meje, konkluzionet e tij kanë pak kuptim, por dua të di se çfarë roli ka luajtur Berisha në realizimin e kësaj fasade.
E vetmja mënyrë që unë të besoj se vdekja e Kostës ka qenë një aksident është që një mjek ligjor patolog, i pavarur dhe me reputacion ndërkombëtar, të ekzaminojë trupin e tij.
Atëherë, e vetëm atëherë ne do mësojmë se çfarë ka ndodhur me Kostën. Deri atëherë unë do të besoj se Kosta është vrarë e që vdekja e tij është urdhëruar nga Sali Berisha. Di që shumë shqiptarë ndjehen njësoj. Kështu që ç’të mendoj se i ka ndodhur Aleksandër Kekës? Me Berishën gjithçka është e mundur.