E Diel, 1 Nëntor 2026

Hapet për tri ditë një segment i rrugës Durrës-KukësNga TemaKryeministri, Sali Berisha, së bashku me homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdoğan, përuruan dje një pjesë të rrugës Durrës-Morinë, pikërisht aksin Rrëshen-Kalimash që është ndërtuar n

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Hapet për tri ditë një segment i rrugës Durrës-KukësNga Tema

Kryeministri, Sali Berisha, së bashku me homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdoğan, përuruan dje një pjesë të rrugës Durrës-Morinë, pikërisht aksin Rrëshen-Kalimash që është ndërtuar nga sipërmarrja turko-amerikane, “Bechtel-Enka”.

Në një aktivitet me ngjyrime krejt partiake, kryeministri, Sali Berisha, privatizoi një ndërtim madhështor me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Asnjë përfaqësues i opozitës nuk ishte i pranishëm, por dhe asnjë zyrtar i lartë i shtetit kosovar nuk ka marrë pjesë në ceremoni. Ishte planifikuar që aty do të ishte kryeministri Hashim Thaçi, madje ishte lajmëruar nga Kryeministria një gjë e tillë, por Thaçi nuk ka mbërritur. Më parë ishte deklaruar se në ceremoni mund të ishte dhe presidenti kosovar, por asnjë nga politikanët e vendit fqinj nuk ka preferuar të ndërhyjë në një aktivitet qartësisht elektoral.

Megjithatë, këtë e ka bërë presidenti turk, që çuditshëm është shfaqur në këtë përurim, duke ndërhyrë në garën elektorale në mënyrë krejt të kundërligjshme.

Nuk ka pasur zyrtarë amerikanë e as ndonjë emër përfaqësuesi të lartë të kompanisë “Bechtel”, çka të lë të kuptosh se punimet janë bërë nga turqit e “Enka”-s, që kanë sjellë dhe Erdoğan në Shqipëri.

Madje, presidenti i “Enka”, mik i afërt me Berishën, ishte në ceremoni. Berisha i ka rezervuar atij një pjesë të mirë në fjalën e mbajtur.

“Por unë nuk mund ta mbyll fjalën time pa i shprehur një mirënjohje të thellë mikut tim, Sharik Tara. Miku im është një nga sipërmarrësit më të mëdhenj të vendit të tij, të Turqisë. Sharik Tara është një nga sipërmarrësit më të suksesshëm, por është gjithashtu me rrënjë shqiptare, me rrënjë ballkanike. Zoti kryeministër, Sharik Tara ka vizituar gjatë këtyre viteve me dhjetëra apo qindra herë Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit, me qëllimin e vetëm për të kontribuar për paqen dhe bashkëpunimin midis tyre. I dashur Sharik unë jam krenar se së bashku realizuam një qëllim të madh, ndërtuam këtë korridor që unë kam bindje të thellë se do të jetë korridori i paqes dhe i miqësisë mes kombeve të Ballkanit”, - tha Berisha.

Problemet e rrugës

Ajo pjesë e rrugës që ka ngrënë dhe gati një miliard euro, akoma nuk është përfunduar. Qytetarët kanë lëvizur dje nëpër segmente të saj, por sërish, dhe pse është hapur në një krah, rruga ka qenë me probleme dhe një ditë pas zgjedhjeve ajo do të mbyllet.

Një pjesë e mirë e administratës ka qenë e detyruar që të marrë pjesë në këtë takim e dhjetëra e qindra makina të shtetit kanë vërshuar për në Rrëshen.

Në pjesët e tjera të rrugës po punohet, por sërish duket se perspektiva që rruga të vijojë me katër korsi në të gjithë shtratin e saj është e largët. Ndoshta pas dy ose tre vitesh e gjithë rruga do jetë e kompletuar.

Në pjesën prej Milotit deri në Rrëshen rruga ka pasur shumë probleme e nuk është përfunduar. Gjithashtu, po punohet që rruga nga Lezha në Durrës të bëhet me katër korsi, po edhe aty punimet duken të avashta.

Pjesa nga Kalimashi deri në Morinë ka ecur, por dhe aty ka probleme me disa vepra arti tejet të vështira për t’u realizuar.

Berisha: Ata që nuk duan rrugën, janë shqiptarofobë

Berisha i ka quajtur shqiptarofobë ata që kanë qenë kundër ndërtimit të rrugës.

“Ky korridor për nga përmasat e tij vetëm në segmentin Rrëshen-Kalimash tejkalon 4 deri në 5 herë HEC-in e Fierzës dhe mbi 2,8 herë tërë kaskadën e Drinit. Korridori i kombit i jep Kosovës daljen në detet e shqiptarëve, korridori kthen kombin shqiptar në të gjitha trojet ku ndodhen, drejt detit dhe deteve të veta. Korridori është gjithashtu korridori i miqësisë dhe bashkëpunimit. Të gjithë ata, të cilët të nisur nga shqiptarofobia bënë çdo gjë për të penguar ndërtimin e tij, dua t’i siguroj se shqiptarët udhëhiqen dhe do të udhëhiqen nga fryma e miqësisë dhe bashkëpunimit dhe se ky korridor do t’u shërbejë, jo vetëm shqiptarëve, por të gjithë popujve të rajonit, maqedonasve, serbëve, boshnjakëve, bullgarëve dhe të gjithë të tjerëve. Rruga dhe urat e saj, tuneli i saj do të shndërrohen në një faktor të madh të bashkëpunimit, integrimit rajonal dhe evropian”, - tha Berisha.

Kryeministri tha se, përveç rrugës, qeveria e tij ka sjellë shumë ndryshime të tjera në vend.

“Ky korridor u ndërtua në 2 vjet e pak muaj, kjo është vepra më e madhe publike e të tëra kohërave që kanë ndërtuar shqiptarët, por krahas ndërtimit të tij, qeveria ime dyfishoi të gjitha pensionet e fermerëve shqiptarë, qeveria dyfishoi rrogat për 60 mijë mjekë, infermierë, mësues të vendit. Qeveria ndërtoi rreth 6000 km rrugë në të katër anët e vendit, qeveria ndërtoi mbi 1012 shkolla apo i rindërtoi ato, qeveria shtriu internetin në të gjitha shkollat e Shqipërisë dhe po sjell Shqipërinë me shpejtësi në moshën dixhitale. Në këtë hark të shkurtër kohor Shqipëria ndryshoi më shpejt dhe më shumë se kurrë, kjo është merita e lirisë, e pasurive të pashtershme të saj. Një mirënjohje të thellë ndaj jush, qytetarë shqiptarë, ndaj taksapaguesve shqiptarë, ndaj miqve tanë kudo në botë për mbështetjen e madhe që na dhanë!” - tha Berisha.

Erdoğan: Shpresoj që rruga të lidhë zemrat

Në fjalën e tij kryeministri turk, Recep Tayyip Erdoğan, tha se shpreson që kjo rrugë të lidhë njerëzit, por dhe të lidhë zemrat.

“Unë dëshiroj të falënderoj, të përshëndesë dhe të përgëzoj në praninë tuaj mikun tim, Sali Berisha, ministrat shqiptarë, dhe të gjitha ata që punuan për këtë vepër. Unë kam bindjen e plotë se kjo rrugë nuk do të bashkojë vetëm vendet, vetëm qytetet, por do të bashkojë zemrat tona, do të afrojë më shumë njerëzit me njëri-tjetrin. Unë besoj me gjithë zemër se kjo rrugë do të ndikojë së tepërmi për forcimin e mëtejshëm dhe zhvillimin e mëtejshëm e Kosovës, të cilën kemi nderin dhe kënaqësinë tani ta kemi pranë nesh, tani, si një shtet të pavarur

Ndoshta e dini se fjala Ballkan ka kuptim vargmale. Megjithëse midis vendeve tona ka male, ne mundëm që gjatë gjithë historisë të jemi afër me njëri-tjetrin, të realizojmë së bashku në vëllazëri të plotë idealet tona për një jetë më të mirë, gjithnjë së bashku. Ne i kapërcyem këto male dhe gjithmonë duke lënë mënjanë ndarjet fetare dhe etnike, ne gjithmonë kemi qenë së bashku, i kemi çarë malet dhe jemi afruar me njeri-tjetrin. Dëshiroj të theksoj se ne, në vendin tonë, të gjithë shtetasit turq, me origjinë ballkanike i shohim si persona që kanë pasuruar dhe zhvilluar vendin tonë. Të gjithë shtetasit tanë turq me origjinë shqiptare, kosovare, boshnjake, ne i konsiderojmë si pjesë tonën, pa asnjë dallim. Ne në të njëjtën kohë shtetasit tanë turq që punojnë në Kosovë, në Shqipëri i shikojmë si një urë lidhëse që fuqizon akoma më shumë miqësinë mes vendeve tona”, - tha Erdogan.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›