E Diel, 1 Nëntor 2026

E drejta ndërkombëtare dhe pavarësia e Kosovës

Beogradi për një periudhë të gjatë është krejtësisht e pamundur të ndryshojë. Më datë 27 gusht 2006, në Kuvend miratoi me 186 vota pro dhe 23 abstenime mocionin e Qeverisë, sipas së cilit “Kosova është pjesë e shtetit Serb dhe përfshihet në sovranitetin e saj”, gjë e cila u sanksionua në Kushtetutën e re të saj. Edhe pse Kosova me përfundimin e operacionit ushtarak të NATO-s të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është shkëputur plotësisht nga ndikimi politik dhe ekonomik i Serbisë dhe për 8 vjet ndodhet nën juridiksionin e Kombeve të Bashkuara, vazhduesit e Miloshevicit jo vetëm nuk kanë nxjerrë mësime nga pushtimi padrejtë që i kanë bërë Kosovës që prej vitit 1913, por kërkojnë të ligjërojnë ripushtimin e saj në kushte krejtësisht të reja. Një konceptim dhe një ligjësim i tillë për të ardhmen e statusit të Kosovës është jo vetëm një kthim mbrapa dhe me pasoja të rrezikshme për Kosovën, paqen dhe stabilitetin e brishtë rajonal e më gjerë, por edhe në kundërshtim të plotë me të drejtën ndërkombëtare. Cështja e pavarësisë territoriale e Kosovës nga Serbia u zgjidh përfundimisht në vitin 1999 dhe në këtë kuadër nuk ka asnjë të drejtë historike, ligjore apo të drejtës ndërkombëtare të diskutojë dhe ligjësojë Beogradi statusin e Kosovës, duke e vendosur atë pjesë integrale të Serbisë. E vetmja e drejtë e Beogradit me Kosovën sipas të drejtës ndërkombëtare është diskutimi dhe përcaktimi marrëdhënieve bilaterale që do të vendosen midis Serbisë dhe Kosovës, si dy shtete kufitare. Me përcaktimin kushtetues dhe pretendimet e Beogradit të mbështetura padrejtësisht nga Moska, Serbia një ditë do të kërkojë rivendosjen e saj edhe ushtarakisht në Kosovë, ta drejtojë politikisht dhe ekonomikisht Prishtinën në kuadrin e Serbisë, pavarësisht se sipas saj do t’i jap të drejtat e autonomisë më të zgjeruar. Nacionalizmi serb historikisht i ka sjell shumë luftëra dhe konflikte Ballkanit. Politikanët serb edhe pse deklarohet për integrimin në Evropë, akoma nuk reflektojnë dhe nuk duan ta kuptojnë të drejtën legjitime të Kosovës. Kosova është protektorat ndërkombëtar me Kuvendin dhe Qeverinë e saj. Populli kosovar e ka zgjedhur rrugën e tij, shtet i pavarur, sovran me kryeqytet Prishtinën dhe i integruar në Evropë. Këto nuk janë as dëshira dhe as qëndrime nacionaliste, por realitete që ja njeh edhe e drejta ndërkombëtare. Dhe kjo e drejtë asaj do t’i jepet formalisht nga Komuniteti Ndërkombëtar.

Nga diskutimet që zhvillojnë politikanët shqiptarë dhe masmedia jonë rezulton se cështja e Kosovës, në raport me të drejtën ndërkombëtare nuk njihet dhe nuk trajtohet sic duhet. Do të ishte me interes kombëtar që kjo cështje të diskutohej me analistë të mirëfilltë dhe të aftë për t’u përballur me shpjegime shkencore qëndrimeve shoviniste serbe dhe paragjykimeve të Rusisë dhe disa shteteve evropiane të lëkundura. Duhet nënvizuar fortë se Kosova sipas të drejtës ndërkombëtare nuk ka qenë asnjëherë pjesë përbërëse e Serbisë, realitet i cili nuk përdoret si argumenti kryesor në mbrojtje të statusit të pavarësisë së Kosovës në të gjitha organizmat ndërkombëtare. Për ta bërë bindës këtë realitet duhet që politikanët dhe diplomatët shqiptarë t’u referohen pikave kulmore të historisë së Kosovës në raport me të drejtën ndërkombëtare, të drejtë të cilën Moska me Beogradin e shtrembërojnë dhe e keqpërdorin. Për këtë qëllim duhet filluar me Kongresin e Berlinit të vitit 1878, kur fuqitë e mëdha të Evropës siguruan pavarësinë e Serbisë pas gati 450 vjetësh të supremacisë Osmane. Në atë kohë Kosova nuk ishte pjesë përbërëse e Serbisë. Në të njëjtin vit, Lidhja e Prizrenit u mblodh në Kosovë me përfaqësuesit e të gjitha zonave të banuara nga shqiptarët dhe kërkoi një shtet të pavarur shqiptar, që do të përfshinte Shqipërinë e sotme, Kosovën dhe pjesën perëndimore të Republikës së sotme të Maqedonisë. Në vitin 1881, ushtria osmane rimori zonat e banuara nga shqiptarët. Gjatë viteve 1910-1912, shqiptarët u ngritën edhe një herë në revolta kundër administratës osmane dhe deklaruan një Shqipëri të pavarur që përfshinte edhe Kosovën. Ushtria serbe, ndërkohë hyri me dhunë në Kosovën e porsa cliruar dhe në Konferencën e Fuqive të Mëdha të vitit 1913, Kosova ju la për herë të parë Serbisë, megjithëse, sipas statistikave osmane të viteve 1908-1909 shqiptarët etnikë përbënin mbi 90% të popullsisë së Kosovës. Pranimi i pushtimit serb të Kosovës nga Fuqitë Evropiane dhe mungesa e mirëkuptimit të tyre ndaj kërkesës legjitime të kosovarëve për pavarësi janë shkaqet e trashëguara të problemit të Kosovës. Qeveria e Ismail Qemalit më 2 janar 1913 në memorandumin e Konferencës së Ambasadorëve në Londër kërkoi që “tokat shqiptare, të cilat pa të drejtë i janë dhënë Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë duhet t’i kthehen sovranitet të përhershëm të Shqipërisë”. Të njëjtën gjë ka kërkuar më 15 shtator 1920 udhëheqësve të Konferencës së Paqes në Versajë, kryetari i shtetit shqiptar Turhan Pasha. Por fatkeqësisht, edhe pse 14 nenet e Vilsonit për shtetet etnike i jepnin të drejtë kërkesës shqiptare, diplomacia evropiane u justifikua se “Këto toka i jepen Serbisë si kompensim lufte dhe si aleate e francezëve”, duke e kthyer Kosovën në mall tregu. Kryesorja është se pushtimi Kosovës nga Serbia në vitin 1912 nuk u pasua me shkrirjen zyrtare të Kosovës me Serbinë, në bazë të Kushtetutës serbe të vitit 1903. Traktati i Paqes së Londrës i vitit 1913 ndërmjet shteteve ballkanike dhe Perandorisë Osmane, i cili ja jep Kosovën Serbisë, nuk është ratifikuar asnjë herë nga Serbia. E njëjta gjë ndodhi edhe me Traktatin e Stambollit të vitit 1913. Për këto arsye historiani Noel Malcolm në librin e tij të vitit 1998 “Kosova, histori e shkurtër” ka nënvizuar se Kosova, sipas të drejtës ndërkombëtare nuk është pjesë e Serbisë, por pjesë e ish-Jugosllavisë, që aktualisht nuk ekziston më dhe që përputhet edhe me traktatin e Ankarasë së vitit 1925. Pavarësia e Kosovës nga Serbia, sipas të drejtës ndërkombëtare mbështetet fuqimisht edhe nga vlerësime të tjera. Popullsia etnike shqiptare që në fillim nuk është mirëpritur në “Mbretërinë e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve”, duke filluar nga emërtimi që mbante Jugosllavia në vitin1918. Edhe pse kjo mbretëri kishte më shumë shqiptarë se sa sllovenë, shqiptarët nuk përfaqësoheshin në emërtimin e kësaj mbretërie. Kjo gjendje vazhdoi deri me miratimin e ligjit jugosllav mbi shtetësinë në vitin 1928, kur shqiptarët etnikë u konsideruan shprehimisht qytetarë jugosllavë dhe jo serbë. Ky ishte një gabim tjetër ligjor që bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare, për arsye se shqiptarët nuk kanë asnjë lidhje me sllavët. Shqipja është një gjuhë e vjetër indo-evropiane, pa asnjë lidhje me serbo-kroatishten. Kultura shqiptare ndryshon rrënjësisht nga ajo e popujve sllavë të ish-Jugosllavisë. Populli serbisht folës i ish-Jugosllavisë i ka trajtuar shqiptarët si qytetarë të dorës së dytë, të varfër dhe inferiore. Kështu që tre milionë shqiptarët etnikë, të cilët përbënin grupin e tretë më të madh të popujve në Jugosllavi dhe që radhiteshin mbas serbëve dhe kroatëve, nuk kishin siguruar Republikën e tyre në Federatën Jugosllave të pas Luftës së Dytë Botërore, kur popuj më të vegjël si malazezët, maqedonasit dhe sllovenët kishin marrë statusin e Republikës. Qeveria serbe jo vetëm që i ka konsideruar shqiptarët etnikë si qytetarë të dorës së dytë, por ajo ka përdorur genocid të vazhdueshëm ndaj tyre. Rezistenca shqiptare ndaj ushtrisë serbe të viteve 1918-1919 rezultoi me vrasjen e 6040 shqiptarëve dhe shkatërrimin e 3873 shtëpive shqiptare. Luftimet vazhduan edhe në vitet pasardhëse. Në vitin 1921 “Komiteti Kosovës” ka deklaruar se kanë qenë 12 371 të vrarë, 22 110 të burgosur dhe mbi 6000 shtëpi të shkatërruara. Sipas demografit të shquar, Ivzi Islami, rreth 300 000 shqiptarë etnikë midis dy luftërave botërore janë detyruar me forcë të shpërngulen në Turqi, ndërsa 250 000 shqiptarë të tjerë mbas luftës së dytë botërore emigruan në Turqi. Në vitet ‘70-të gjendja e shqiptarëve të Kosovës filloi të ndryshonte. U krijua universiteti i Prishtinës dhe Kushtetuta e vitit 1974 i dha Kosovës një nivel autonomie, e barabartë me atë të Republikave jugosllave, por pa të drejtën e shkëputjes. Ardhja në pushtet e Miloshevicit e rëndoi shumë gjendjen në Kosovë. Ndaj kërkesave në rritje të kosovarëve, Miloshevici në vitin 1989 anuloi autonominë e Kosovës. Ai dërgoi forcat e policisë, të cilat së bashku me 70 000 ushtarët serb të dislokuar në Kosovë mbyllën universitetin e Prishtinës. Synimi tij ishte aneksimi i Kosovës dhe kthimi në një shtojcë për Serbinë e Madhe. Reagimi kosovar ndaj shtypjes serbe është bërë për krijimin e institucioneve të veta në bazë të deklaratës të 2 korrikut 1990 (për pavarësi). Zgjedhjet u zhvilluan në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe u injoruan me të drejtë ato jugosllave. Gjatë vitit 98 ushtria e Miloshevicit zhvilloi një luftë të përgjakshme kundër popullsisë shqiptare të Kosovës, nën pretekstin e krijimit të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës. Me këtë pretekst Miloshevici shkatërroi fshatrat në pjesën veriore dhe perëndimore të Kosovës, për të shpërngulur shqiptarët nga zonat e pasura me minerale dhe toka bujqësore. Sipas të dhënave zyrtare, në ato vite u shkatërruan 44 000 shtëpi, u therën bagëtitë, 420 zona fshatare u shkatërruan dhe rreth gjysmë milionë njerëz ngelën pa strehë. Këto detyruan NATO-në me në krye SHBA të ndërhyjnë ushtarakisht dhe të realizonte luftën e tyre më të rëndësishme humane në historinë mbi 50-vjecare të kësaj organizate, luftë e cila e cliroi përfundimisht Kosovën nga pushtimi ushtarak serb. Këto fakte historike të argumentuara sipas të drejtës ndërkombëtare vërtetojnë plotësisht se Kosova nuk ka qenë ligjërisht asnjë herë pjesë përbërëse e Serbisë. Në këto rrethana është utopike të diskutohet e ardhmja e statusit të Kosovës me Beogradin. Mbi c’argumente të të drejtës ndërkombëtare mund të diskutohet përsëri raporti Kosovës me Serbinë. Kosova tani ka nevojë të marrë pavarësinë me njohje ndërkombëtare dhe jo pavarësinë territoriale, të cilën e fitoi edhe me gjakun e sa. Gjithashtu edhe në të kaluarën Kosova nuk ka qenë asnjë herë, sipas të drejtës ndërkombëtare, pjesë e Serbisë. Por Rusia, e cila kërkon me cdo kusht të ribëhet njëri nga faktorët e politikës dhe sigurisë ndërkombëtare përdorë dy standarde për të drejtën e popujve. Shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik nga ish-republikat e saj, me dashje ose pa dashje e pranoi duke ato krijuan shtetet e tyre sovrane dhe të pavarura. Ndërsa këtë të drejtë ndërkombëtare e shkel me të dy këmbët për Kosovën dhe duke përdorur të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit e vonoi dhe ua kaloi institucioneve të tjera shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Historia përsëritët. Boshti Moskë-Beograd-Athinë kundër Shqipërisë dhe botës shqiptare u rigjallërua. Diplomacia agresive e Beogradit aktualisht e realizoi qëllimin e saj në OKB. Statusin përfundimtar të Kosovës e shtyri për një kohë tjetër dhe ka vënë në pikëpyetje të madhe zbatimin e Planit Ahtisari. Në këto zhvillime Prishtina dhe vecanërisht Tirana zyrtare ishin tepër inaktive. Zëri i tyre pothuajse nuk dëgjohej fare. Prandaj në mbështetje të të drejtës ndërkombëtare që gëzon Kosova duhet të ndizen të gjitha bateritë e politikës, diplomacisë dhe media së Tiranës dhe Pristinës. E vetmja zgjidhje e padiskutueshme është shpallja e pavarësisë dhe e sovranitetit të Kosovës brenda 120 ditëve që u është lënë në dispozicion për ridiskutimet. Cdo vonesë do të jetë në disfavor të pavarësisë së Kosovës dhe të kombit shqiptar.

*Drejtor i Institutit të Politikave të Sigurisë Kombëtare

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›