E Hënë, 2 Nëntor 2026

E dinë, por frikësohen ta thonë

Liderëve politikë të Kosovës shumë rrallë ose asnjëherë nuk u kanë dalë të sakta datat ose nuk kanë arritur ta përmbushin atë që kanë premtuar. Kjo pasaktësi u ka ndodhur edhe kur e kanë premtuar pavarësinë, edhe kur kanë premtuar zhvillimi ekonomik të Kosovës, por edhe atëherë kur kanë premtuar luftimin e krimit.
Kjo për dy arsye: e para, kanë qenë tepër euforik në premtime ose shumë vetëbesues, që do të thotë kanë bërë premtime pa mbulesë. E dyta, kanë besuar në mënyre naive në premtimet e palës tjetër, por që pastaj ka rezultuar se janë “mashtruar”.
Por, edhe pse si rezultat kanë pasur dështimet në vend të përmbushjes së premtimeve, ata asnjëherë nuk kanë marr mundin të thonë, kërkojmë falje pse nuk e arritëm apo nuk e përmbushëm këtë apo atë kërkesë brenda kohës që kishim premtuar dhe arsyet janë këto. Është njerëzore të kërkohet falje dhe shumë me e ndershme sesa bërja sikur ia “lëshuam” edhe kësaj radhe opinionit publik, përkatësisht qytetarëve.
Ne e dimë se asnjëri nga liderët politikë të Kosovës nuk është “profet”, edhe pse shpesh kanë tentuar të dëshmohen si të tillë, sa të arrijnë t’i parashikojnë ngjarjet që do të pasojnë. Po ashtu asnjëri nga ta nuk e ka ndier vetën përgjegjës para dështimeve të veta, madje dështimet kanë tentuar t’i arsyetojnë në forma të ndryshme dhe aspak bindëse, duke deklaruar se, ashtu u është thënë dhe në ato premtime kanë besuar. Kjo qasje e lidershipit kosovarë ka tetë vite që vazhdon, pa bërë asnjë tentim që të ndryshohet diçka në këtë drejtim. Asnjëherë nuk kanë provuar të shndërrohen nga politikan ose liderë që besojnë, në liderë që u duhet besuar. Prandaj, edhe frazave të tyre, ose “këngës” që këndojnë sa herë që paraqiten në publik ose shkojnë e vijnë nga ndonjë takim ndërkombëtar, se po këmbëngulin ose nuk pranojnë asgjë me pak se pavarësinë e Kosovës, i ka dalë “moda”, dhe e kanë demoduar si fjalë, koncept dhe ideal shumë të dashur për popullin e Kosovës, sa që nuk do t’i dimë lezetin kur të ndodh realisht.
Megjithatë, shumica e liderëve politikë e kanë ditur dhe e dinë se pavarësia nuk arrihet lehtë dhe as që ka pasur mundësi të realizohet brenda afateve që ata kanë proklamuara. Por, tek të gjithë ka ekzistuar dhe ekziston frika që ta thënë haptazi këtë gjë. Për t’i paralajmëruar qytetarët se nuk do të jetë ashtu siç deklarohet në publik, liderët politik të Kosovës u propozojnë gazetarëve që ta kumtojnë tek opinioni i gjerë i Kosovës këtë të vërtet. Për liderët politik të Kosovës, gazetarët duhet të luajnë rolin e “zëdhënësve” të tyre, sepse ata vet nuk kanë guximin të dalin publikisht dhe të thonë, kjo nuk është ashtu, por është kështu, madje ata as nuk kanë guxim të kërkojnë falje për mospërmbushjen e atyre premtimeve që kanë bërë paraprakisht. Kjo injorancë e tyre ka të bëjë me faktin se, ata frikësohen nga ndëshkimi apo reagimi i qytetarëve. Prandaj, thonë liderët politik, këtë që ne po ua themi juve, ju lutem ua thoni ju qytetarëve, sepse ne nuk mund ta themi publikisht. E vërteta është se liderët politik e dinë, por nuk kanë guxim ta thonë që pavarësia nuk do të ndodhë këtë vit. Çfarë është kjo, përveç injorancë politike ose injorim i atyre që të kanë votuar. Nuk është zgjidhje e një politikani që të kërkohet nga gazetarët të luajnë rolin e politikanit, sepse kjo nuk është detyra jonë. Madje ata janë politikan qyqarë, sepse edhe ndihmën e gazetarëve e kërkojnë vetëm atëherë kur janë ngushtë dhe nuk kanë ide se, si të sillen në situata të caktuara.
Në fillim të vitit në një nga gazetat tona ditore kisha publikuar mendimet i një lideri shumë të rëndësishëm politikë të Kosovës, i cili si edhe këta të tjerët ishte “mashtruar” nga politikanët dhe diplomatët ndërkombëtar se, pavarësia e Kosovës do të ndodhë, nëse jo në mars apo maj, me së largu në shtator të vitit 2007. Ky politikanë ishte i bindur në atë që thoshte, nisur nga kontaktet e afërta që kishte me liderët politikë ndërkombëtar, por që rezultojë se edhe ai kishte renë në grackën e premtimeve pa mbulesë, ose e kishin zgjedhur si instrument për të ndikuar në mbajtjen e situatës nën kontroll, nisur nga ndikimi që kishte.
Ndërsa që këto ditë vazhdojnë negociatat shtesë prej 120 ditëve për statusin e Kosovës, po kjo elitë politike deklaron se Kosova do të jetë e pavarur brenda vitit 2007 ose para Krishtlindjeve. Por, erdhi shtatori dhe u hapën punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe ende Kosova nuk është e pavarur dhe nuk po ndodh ashtu siç deklarohej se në këtë sesion do të merrej vendimi për njohjen e shtetit të Kosovës. Edhe pse arrijnë deklarata nga qendrat, diplomatët dhe politikanët me të rëndësishëm ndërkombëtar se, për Kosovën nuk ka zgjidhje tjetër përveç pavarësisë, megjithatë asnjëri na ata nuk arrin të thotë se, kur Kosova do të jetë e pavarur? Prandaj koha se kur do të ndodhë pavarësia, është karta që po “djeg” liderët politikë të Kosovës.
Lidershipi politik i Kosovës e dinë se kjo situatë do të vazhdoj aq gjatë, sa këtë e duan liderët e rëndësishëm botërorë. Kjo gjendje ku Kosova mbetet në pritje të pavarësisë do të zgjas deri në momentin kur, për këtë do të thonë mjaft burrështetasit ndërkombëtar. Prandaj, sa do që lidershipi politikë i Kosovës deklarohet rreth kohës se kur do të realizohet pavarësia, ata nuk mund të marrin vendim dhe kjo me mirë se asnjë herë tjetër shihet tani, kur e kanë hequr nga fjalori i tyre premtimin për datë të pavarësisë, duke deklaruar tani se, pavarësia do të ndodhë në kohën e duhur. Ata në takime interne me gazetarët thonë se nuk presin pavarësi për Kosovën para verës së vitit 2008. Sipas liderëve politikë të Kosovës janë dy arsye, pse do të zvarritet vendimin për pavarësinë e Kosovës ose pse duhet pritur edhe me tutje që të njihet vullneti i qytetarëve të Kosovës.
E para, është duke u pritur mbajtja e zgjedhjeve në Kosovë, për të parë se nga do të orientohet shoqëria kosovare. Kjo arsyetohet me faktin se ata presin të shohin dëshmi të mjaftueshme dhe të qarta nga qeveria e re e Kosovës në përmbushjen obligimeve që do të marrin dhe mënyrën se, si kjo qeveri do t’i qaset zgjidhjes së problemeve në Kosovë. E dyta, është duke u pritur mbajtja e zgjedhjeve në Rusi, të cilat do të mbahen në mars të vitit 2008, për të parë orientimin e diplomacisë se re ruse. Pas stabilizimit të qeverisë së re ruse dhe marrjes së një raporti për punën e qeverisë së re të Kosovës, pritet të merret vendimi për statusin e Kosovës. Deri atëherë do të ketë shtyrjet të reja që do të arsyetohen me përmbushjen e këtyre dy prioriteteve, por në anën tjetër do të vazhdoj premtimi i amerikanëve dhe i ndonjërit prej shteteve të BE-së se, Kosova do të jetë e pavarur në kohën e duhur dhe shumë shpejt, si masë parandaluese për ta mbajtur edhe me tutje situatën nën kontroll.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›