E Diel, 1 Nëntor 2026

E dua Interin

Jose Mourinho ka mohuar njoftimet se është i gatshëm të kthehet në Premierligë dhe është i pakënaqur me mediat angleze për publikimin e një lajmi të tillë. Mourinho ishte cituar nga e përditshmja angleze The Times duke thënë : futbolli im është futbolli anglez dhe se jam i gatshëm për një fazë të re të karrierës sime duke shtuar spekulimet se mund të zëvendësoj Sir Alex Fergusonin në Manchester United pas pensionimit të strategut skocez.

Mirëpo, ai ka mohuar të ketë bërë komente të tilla. Jam takuar me gazetarin Patrick Barclay (autori i artikullit) kohë më parë dhe kam dhënë intervistë për një libër të dedikuar për Sir Alex Fergusonin tha Mourinho për uebfaqen zyrtare të Interit (www.inter.it).

Nuk kam folur për ngjarjet aktuale me këtë gazetar, por vetëm për atë se si është të punosh në shtete të ndryshme dhe rreth karakteristikave të karrierës sime profesionale. Kam theksuar dallimet historike dhe kulturore për të treguar se një përvojë si ajo e Sir Alex Fergusonit në Manchester United është përjashtim i jashtëzakonshëm në profesionin tonë shtoi ai.

Mourinho ka konfirmuar dëshirën e tij për të vazhduar drejtimin e Interit ku erdhi në vitin 2008 ndërsa udhëhoqi ekipin drejt titullit të kampionit në Serie A sezonin e kaluar dhe aktualisht janë lider në kampionat me pesë pikë epërsi ndaj Juventusit.

E dua Interin, jam i kënaqur në klub dhe me punën për Interin. Ky është realiteti dhe do të jetoj në këtë mënyrë deri në përfundim të kontratës e cila më lidh me këtë klub. Më vjen shumë keq që një homazh i sinqertë për Sir Alex Fergusonin është keqpërdorur për të sjell informacione të ndryshme prej atyre që kam thënë dhe është nevojitur intervenimi im përfundoi Mourinho.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›