E Diel, 1 Nëntor 2026

E ëma e Bleonës: Kam përgjime me krime të familjes Mata

KUKES-Një-vjetori i zhdukjes në rrethana tejet misterioze të Bleona Matës nxjerr fakte të reja dhe tronditëse. Është e ëma e saj, Bukuria e cila mes lotëve telefonon nga Lojme, fshati i fëmijërisë së saj në të cilin tashmë edhe jeton te dy prindërit e saj dhe rrëfen detaje të reja të kësaj ngjarjeje të rëndë dhe të paprecedent.
Gruaja tregon për "GSH" se zotëron përgjime dhe video me akte kriminale të familjes së ish-burrit të saj e konkretisht të ish-vjehrrit Zenel Mata. Sipas saj në këto prova që ajo disponon janë të përfshirë njerëz shumë të afërt të Bleonës dhe që do të vihen në dispozicion të Prokurorisë së Krimeve të Rënda si dhe të Policisë së Shtetit. Gjithashtu nëna e 7-vjeçares së zhdukur në Zapod të Kukësit bën me dije se tashmë dihen edhe personat të cilët kanë rrëmbyer Bleonën, të cilët sipas saj janë banorë të dy fshatrave të vogla në afërsi të vendin të ngjarjes. "Janë dy vajzat, Qamilja dhe Gentiana ato që dinë gjithçka në lidhje me zhdukjen e vajzës", - rrëfen Bukuria. Sipas saj ato të dyja dinë edhe dy personat që kanë gisht dhe që janë të implikuar në rrëmbimin e saj. Gruaja tregon emrat e dy fshatrave që janë afër Zapodit prej të cilëve ajo pretendon se janë edhe dy personat që kanë rrëmbyer vogëlushen. Pretendimi i saj shkon deri atje sa këto persona vazhdojnë të jenë në kontakt me dy vajzat dhe për pasojë të akuzuarat e saj dinë gjithçka mbi ngjarjen që në fillimet e saj e deri më tani. Bukuria bën të ditur se nga informacionet me të fundit që ajo zotëron mbi vendndodhjen e vajzës së saj të rrëmbyer një vit më parë në kullosë, vetëm pak metra larg shtëpisë së Zenel Matës, tregojnë se vajzën e kanë lëvizur sërish në drejtim të Greqisë, pasi ajo kohëve të fundit është mbajtur në Tiranë.

Pavarësisht se kaloi një vit që nga momenti i zhdukjes, Policia dhe as Prokuroria për Krime të Rënda nuk kanë mundur të fiksojnë dot një pistë në të cilën të mundësojnë vijimin e hetimeve. Madje, pak kohë më parë u fol që dosja e zhdukjes së Bleonës ishte drejt pezullimit.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›