E fajësojnë Zotin
Shembja e dheut kishte qetësuar rrugën. Asnjë makinë nuk lejohej të kalojë andej. Përveç dy makinave dhe shiritave të verdhë të policisë, asgjë tjetër nuk shkelte në atë rrugë, e cila mbrëmjen e së premtes ishte në rrezik të madh.
Rrëshqitja e dheut dhe rrjedhja e naftës mbrëmjen e së enjtes bëri që përveç disa policëve, të premten asgjë të mos funksiononte në afërsi të vendit ku tash e sa kohë ndodhet një vrimë e madhe, mbi të cilën do të ndërtohet objekti i shumëpërfolur, 40 katesh.
E vazhdimi i bllokimit të rrugës edhe gjatë ditës së shtunë u bë për një arsye. Dheu që rrëshqiti mbrëmjen e së premtes, në vendin ku po ndërtohet 40 katëshi, vazhdon të jetë rrezik për lagjen e Lakërishtës në Prishtinë. Kjo pasi edhe një shembje tjetër është shënuar mëngjesin e së shtunës. “Është shënuar edhe një shembje e dheut sot (e premte) rreth orës 10:00 në mëngjes”, ka thënë për Express një polic, i cili po vazhdonte të qëndronte afër pompës, nga e cila tashmë është larguar e gjithë nafta që pas shembjes ka filluar të rrjedhë nga rezervarët. “Janë larguar më shumë se 150 litra naftë”, pohon ky polic.
Sipas këtij polici, disa lisa që ndodhen pikërisht prapa pompës së benzinës janë duke përbërë rrezik edhe për një shembje tjetër. “Shembja e dheut i ka nxjerrë jashtë rrënjët e lisave. Veç po presim kur do të shemben edhe ata”, thotë ky polic.
Fajin për shembjen e dheut, në vendin ku është gërmuar për ndërtimin e 40 katëshit, komuna ia lë procesit natyror. Sipas tyre, asnjë pikë të fajit nuk e ka kompania që po merret me ndërtimin e objektit. Ata thonë se nuk ka faktor tjetër që ka ndikuar në rrezikimin e qytetarëve, përveç shiut të para disa ditëve.
Muhamet Gashi, zëdhënës i Komunës së Prishtinës, thotë se deri te shembja e dheut aty ka ardhur si pasojë e ujërave nëntokësore dhe shiut të pandërprerë të para dy ditëve.
“Këto janë vlerësimet e para të ekspertëve komunalë. Kjo pasi kompania që po e ndërton objektin i ka paraqitur me kohë dokumentet e ekspertizave të ndryshme dhe gjithçka është në rregull”, pohon Gashi për Express.
Por pavarësisht kësaj, Gashi thotë se të gjitha ekipet e Drejtorisë për Emergjencë, i kanë marrë të gjitha masat e duhura dhe janë duke i përgatitur rekomandimet për kompaninë e cila është përgjegjëse e ndërtimit të 40 katëshit. “Kompanisë do ti mbetet tash që ta bëj sanimin dhe parandalimin e rrëshqitjes së mëtejme të dheut në atë lokacion”, tregon Gashi.
E derisa e gjithë kjo situatë të arrij nivelin e duhur, zëdhënësi Gashi thotë se në afërsi të vendit të ngjarjes, iu është ndërprerë puna të gjitha bizneseve. “Të hënën pritet që ekspertët e komunës të dalin me një vlerësim përfundimtar rreth kësaj çështje dhe po atë ditë pritet vendosja e masave preventive aty”, sqaron Muhamet Gashi.
Qani Kadiri ekspert i mekanikës së dherave thotë se uji gjithmonë është shkaktar i rrëshqitjeve të dheut. Por sipas tij, rasti i së premtes mbrëma, nuk ka të bëj fare me ujin.
Ai thotë se në këtë rast ndoshta uji i ka ndihmuar këtij problemi.
“Por problemi kryesor qëndron në vet dimensionimin e konstruksionit mbajtës, që janë pilotat (pjesë të betonit), të cilët në atë vend nuk janë vendosur sipas rregullave”, tregon Kadiri për Express. “Prandaj edhe kjo rrëshqitje e dheut është shkaktuar”, thotë ai.
Sipas Kadirit, kur është hapur gropa gjigante, është situr automatikisht që ajo do të rrëshqet edhe pa ndihmën e shiut e ujit, arsye për të cilën komuna thotë se ka ndodhur shembja. “Ka raste kur lëshohet sistemi i ujësjellësit dhe e ngopë atë pjesë me ujë dhe atëherë shkaktohet rrëshqitja. e kompania ka detyrë që ti parandaloj rrëshqitjet duke përgatitur konstruksionin sipas standardeve”, vlerëson Kadiri, i cili thotë se nëse preventivat do të ishin konstruktuar siç duhet, rrëshqitja nuk do të ndodhte asnjëherë.
Rrokaqielli, dheu i të cilit është shembur të premten mbrëma, ka nisur të ndërtohet para tri vjetësh dhe konsiderohet si objekti më i madh në Ballkan, përkatësisht 165 metra i lartë. Projekti do të kushtojë 400 milionë euro.