E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krasiteni administratën

Rikthimi i Kosovës në programet e FMN-së nuk do të jetë punë bash e lehtë. Paraprakisht institucionet financiare këshillojnë Qeverinë e Kosovës që të bëjë kujdes në shpenzime dhe të merret me të punësuarit në sektorin publik, numri i të cilëve shkon mbi 80 mijë. Kërkohet kategorizimi i punëtorëve e me pas edhe reduktimi i tyre. Nga Agon Sinanaj më 25 shtator 2011 në ora 08:03

Qeveria e Kosovës do të kthehet në programet institucioneve ndërkombëtare financiare vetëm nëse i kryen detyrat e shtëpisë.

Kategorizimi i punëtorëve dhe me këtë edhe reduktimi i numrit te të punësuarve në sektorin publik janë vetëm disa nga problemet me të cilat do të përballen institucionet kosovare në raport me ndërkombëtaret.

Express ka mësuar se Fondi Monetar Ndërkombëtar, pas rritjes se pagave njëanshëm, do t’i parashtrojë detyra të rënda Qeverisë, nëse do që të ketë sërish marrëveshje me të. Por, këtij institucioni nuk i kishte mbetur hatri vetëm pse u rritën pagat.
“Një çështje tjetër që ka ndikuar që FMN-ja ta shkëpusë marrëveshjen është administrata publike e ngarkuar. Gjithashtu kategorizimi i punëtorëve ka ngecur”, kanë shpjeguar për Express burime brenda institucioneve ndërkombëtare në Kosovë.

Shkurtimi i vendeve të punës në administratën publike ka qenë kërkesë e vazhdueshme e FMN-së. Por, pas rritjes së pagave dhe daljes nga marrëveshja me FMN-në, kjo çështje u rikthye serish në tavolinë.

Ligji për shërbyesit civilë është miratuar nga Kuvendi në vitin 2010, por ndërkombëtaret nuk janë të kënaqur me zbatimin e tij.

Statistikat zyrtare tregojnë se të punësuar që marrin paga nga buxheti i Kosovës janë 76702. Ndërsa në Shërbimin Civil të Kosovës punojnë 21189 nëpunës.
Në fakt, këto të dhëna kanë qenë të vetmet që ka mundur të sigurojë Ministria e Administratës Publike për këtë çështje në pyetjet e gazetës. Ata nuk kanë arritur të sqarojnë pse nuk po gjen zbatim Ligjit për shërbyesit civilë dhe si qëndrojnë relacionet me ndërkombëtaret për këtë punë.

Veç Fondit, këto shqetësime lidhur me administratën i ka adresuar edhe Banka Botërore. Ky institucion këshillon Qeverinë e Kosovës që të mbajë një regjistër të mirë-menaxhuar të nëpunësve publikë, duke përfshirë përshkrimet e tyre të punës dhe informacionin për pagat. Kjo i mundëson Qeverisë të planifikojë më mirë kërkesat e saj për personel dhe të buxhetojë burimet e nevojshme financiare.

“Duke pasur parasysh burimet e pakta fiskale në dispozicion dhe krizën e vazhdueshme ekonomike që po e prek rajonin, është e nevojshme për Kosovën që të menaxhojë me shumë kujdes shpenzimet e saj publike, përfshirë pagat, që të sigurojë qëndrueshmërinë e tyre”, kanë thënë nga zyra e Bankës Botërore në Kosovë.

Sa i përket administratës, ky institucion po e financon “Projektin e Modernizimit të Sektorit Publik”, për të ndihmuar në zbatimin e ligjeve që e rregullojnë ketë çështje. Partner në ketë është Ministria e Financave dhe ajo e Administratës Publike.
Megjithatë, zyrtarët e BB-së pranojnë se ky proces vetëm sa ka filluar dhe shumë punë duhet të bëhet për të aplikuar këtë legjislacion dhe për të zhvilluar kapacitetet e administratës publike.

”Ne po mbështesim këtë reformë qenësore sepse ne besojmë se një administratë publike që funksionon mirë, me personel të përbërë nga profesionistë, me një perspektivë të qartë për zhvillimin e karrierës së tyre, është thelbësore për menaxhim të shëndoshë të burimeve publike, për ofrimin e shërbimeve publike qytetarëve të vendit, dhe që Kosova të bëjë progres drejt qëllimit të saj strategjik për integrim në BE”, thonë ata.
Ndryshe, punët me këto institucione dolën nga binari pas vendimit të Qeverisë për rritjen e pagave, pa izën e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Si pasojë, Fondi ndërpreu marrëveshjen 18 mujore “stand-by” me Qeverinë e Kosovës, duke humbur kështu fondet prej 156 milionë eurove.

Aktualisht, Kosova me ketë institucion ka vetëm marrëveshje monitorimi, nga e cila dalin shumë obligime të vendorëve, përfshirë këtu edhe çështjen e administratës publike.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›