E Shtunë, 31 Tetor 2026

“E ftuam dhëndrin për drekë, ai më vrau burrin e nipin”

06/07/2009  Dëshmia me videokamer e të mbijetuarës në ekzekutimin e trefishtë në Allias

TIRANE- Për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe shkaqet kryesore, që çuan të premten e javës së kaluar në vrasjen e tre personave dhe plagosjen e një tjetri, përfaqësues nga Prokuroria dhe policia e Tiranës, gjatë kësaj kohe kanë kryer një sërë veprimesh hetimore. Mësohet se ekspertët, sapo janë njoftuar se shëndeti i të mbijetuarës së vetme të kësaj tragjedie Nadire Gjoni është përmirësuar, dje anëtarët e grupit hetimor kanë shkuar menjëherë në urgjencë, ku pas këshillimit me mjekët e spitalit “Nënë Tereza”, kanë mundur të hyjnë në dhomën e reanimacionit ku ndodhej shtetasja 65-vjeçare Gjoni. Gjendja e vështirë shëndetësore dhe rreziku se mbase ajo nuk do i përballojë plagët e marra, ka detyruar prokurorët që të gjithë deklarimet e Nadire Gjonit, t’i regjistrojnë me një videokamer si dhe ti dokumentojnë në një procesverbal. Megjithëse 65-vjeçarja nuk ka treguar me imtësi të gjitha detajet e krimit të rëndë, Nadire Gjoni nëpër dhëmbë ka mundur të pohojë para hetuesve se dhëndri i saj, Petrit Zaimi, pas disa fjalë kontradiktore që shkëmbeu me vjehrrin e tij, Azbiun, ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar në drejtim të tij. E moshuara është deklaruar: “Ishe kohë dreke. Së bashku me burrin, një ditë më parë kishim biseduar me dhëndrin tonë Petritin për disa probleme familjare që kishte ai me vajzën tonë Brunildën. Për t’u sqaruar më mirë si dhe për të marrë një vendim për lidhjen midis tyre, vendosëm të ftojmë ditën e premte në shtëpi Petrit Zaimin. Duke qenë se ai erdhi në mesditë, unë si gruaja e shtëpisë përgatita drekën, ndërkohë që Azbiu dhe Petriti filluan të diskutonin, ndërsa Klevisi shikonte televizor. Sapo kam shtruar drekën në tavolinë, dhëndri filloi të bërtiste dhe më pas ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar”. Këto janë fragmentet e vetme që mban mend 65-vjeçarja Gjoni, pasi gjendja psikologjike dhe shëndetësore e saj është tepër e rënduar. Veç të tjerash e mbijetuara me vështirësi ka mundur të tregojë se pasi ka parë vrasjen e burrit të saj, ajo ka bërtitur dhe më pas është qëlluar dy herë nga 40-vjeçari Petrit Zaimi. Ndërkohë që për sa i përket rrethanave të ekzekutimit të 13-vjeçarit Klevis Zaimi, e mbijetuara nuk ka dhënë sqarime. Aktualisht grupi hetimor që është ngritur posaçërisht për këtë çështje, po kryen edhe hetime të tjera, ku në ditët në vazhdim do të merren edhe deklarimet e personave të tjerë, që mendohet se kanë dijeni për çështjen. 65-vjeçarja nga Skrapari është dëshmitarja e vetme që ka qenë e pranishme në vendin e ngjarjes. Burimet thanë se në qoftë se shëndeti i saj do të mund të normalizohet ndjeshëm, ajo do i nënshtrohet edhe një herë pyetjeve të hetuesve. Ndërkohë që arma si dhe gëzhojat e sekuestruara në vendin e krimit, i janë dërguar ekspertëve të laboratorit kriminalistik.

Shkaqet e masakrës

Motivi kryesor për krimin e rëndë mësohet se ka qenë divorci midis çiftit Brunilda dhe Petrit Zaimi. Mësohet se Brunilda është larguar edhe disa herë të tjera nga burri i saj, duke jetuar më pas në banesën e prindërve. Siç duket këtë radhë ajo i kishte dhënë përfundimisht fund marrëdhënies së saj me Petritin, nga e cila ajo humbi djalin 13-vjeçar, burrin, babanë si dhe ka në gjendje kritike për jetën nënën e saj.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›