E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Rama më ofroi postin e kryeministrit dhe trafik votash nga e djathta

06/07/2009  Kreu i LSI-së akuza ndaj Ramës në një intervistë për “Zërin e Amerikës”

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, në një intervistë për “Zërin e Amerikës” ka hedhur akuza të ashpra ndaj kryetarit të PS-së Edi Rama, që sipas tij pas daljes së rezultateve i ka ofruar Metës vendin e kryeministrit dhe më pas të synonte trafikimin e votave nga e djathta. Sipas Metës, Edi Rama është fajtori kryesor që e majta është sot humbëse dhe për këtë arsye duhet të japë dorëheqjen nga kreu i Partisë Socialiste, me qëllim që kjo parti të bëjë analizat e saj dhe më pas dërgimin e së majtës drejt pushtetit. Bashkëpunimi me Berishën, sipas tij, nuk është gjë tjetër veçse shmangie e krizës politike, që mund ta çonte vendin në zgjedhje të parakohshme, të cilat mund të ishin rrënuese për ekonominë. Meta u shpreh se LSI-ja në koalicionin e djathtë do të përpiqet të implementojë dhe përfaqësojë programin e saj elektoral, në të mirë të integrimit dhe zhvillimit të vendit.

- Zoti Meta, ju dhatë dje arsyet e vendimit që morët për të hyrë në një aleancë qeverisëse me Partinë Demokratike dhe kryeministrin Sali Berisha, duke përmendur këtu refuzimin nga ana e Partisë Socialiste të një bashkëpunimi të vazhdueshëm me ju apo të vetë kryetarit socialist, përpjekjet e kësaj partie për të minimizuar peshën dhe rolin e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe ndërkohë dhatë dhe një arsye tjetër të nevojës për një stabilitet të vendit. Por a do të mjaftonin këto arsye për të sqaruar elektoratin e LSI-së për këtë bashkëpunim me Berishën, ndërkohë që gjatë fushatës elektorale ju e ngritët fushatën elektorale pikërisht mbi domosdoshmërinë largimit të kryeministrit Sali Berisha nga pushteti?

- Sigurisht që kjo është e vërtetë. Synimi kryesor ka qenë ndryshimi i qeverisjes në vend dhe në këtë drejtim është bazuar jo vetëm fushata jonë, jo vetëm programi ynë, por njëkohësisht ky ka qenë dhe thelbi i gjithë insistimeve tona të vazhdueshme për të realizuar një bashkëpunim apo qoftë dhe një koalicion të vetëm për moshumbjen e votave për shkak të sistemit edhe me Partinë Socialiste. Por të gjitha këto janë refuzuar në mënyrë stoike nga kryetari aktual i Partisë Socialiste, i cili kishte një projekt të tijin dhe të grupit që qëndronte pas tij për të arritur një pushtet absolut përmes alternativës së përjashtimit. Në thelb të gjithë kësaj alternative qëndronte përjashtimi i gjithë faktorëve të së majtës dhe jo vetëm i LSI-së, por dhe i faktorëve të tjerë, të cilët janë zhdukur dhe që të gjithë dalin sot dhe akuzojnë kryetarin e këtij koalicioni dhe kësaj partie se u ka vjedhur votat.

- Po a do t’ju kuptojë elektorati juaj?

- Elektorati i vërtetë i LSI-së jo vetëm që e mirëkupton, por do të shumëfishohet, për arsye se kjo parti nuk është krijuar thjesht për të qenë në funksion të ambicieve të Partisë Socialiste, aq më tepër të një kryetari të përkohshëm të saj, por është krijuar për të qenë në funksion të një programi të qartë integrues për Shqipërinë, është krijuar pikërisht për t’u shërbyer interesave të vendit. Në një situatë të tillë për LSI-në ka vetëm dy mundësi: ose të kthehet në një faktor destabilizues duke kontestuar zgjedhjet, ose të pranojë bashkëqeverisjen me PD-në në interes të integrimit europian të vendit. Por këtu ka një problem të madh, sepse agresioni më i madh ndaj LSI-së nuk është bërë nga PD-ja, edhe pse nuk ka munguar dhe nga PD-ja, por në radhë të parë nga lidershipi i PS-së, nga vetë Edi Rama, që ka dirigjuar personalisht një operacion policesko-financiar, i cili ka synuar kryesisht korruptimin e anëtarëve të LSI-së përmes marrjes sipas metodave të Sigurimit të Shtetit dhe databaset e LSI-së me gjithë adresat dhe numrat e telefonave të anëtarëve tanë dhe së dyti korruptimin e numëruesve edhe të Partisë Demokratike, në mënyrë që votat e LSI-së apo dhe të partive tjera të majta të numëroheshin si të PS-së dhe votat e partive të djathta të numëroheshin si të PD-së. Mua me vjen keq që kryetari i PS-së vazhdon të sillet në mënyrë tepër hipokrite dhe kalon në sulme personale, ndërkohë që duhet të mbajë premtimin e tij për të dhënë dorëheqjen për këtë humbje, e cila është e tija personalisht, sepse ka qenë ai që ka insistuar për Kodin Zgjedhor, i cili i ka humbur së majtës 12 mandate, ka qenë ai që ka përjashtuar çdo tentativë për bashkëpunim që i është ofruar nga ana jonë. Ndërkohë që ai dërgonte përditë të tëra emisarë të opozitës të më propozonte mua për kryeministër dhe ai të na siguronte disa vota të trafikuara nga mazhoranca e djathtë, në mënyrë që të hiqnim Berishën, por kjo u refuzua nga ana ime, sepse kjo nuk mund të pranohej nga askush dhe çdo përpjekje për të anatemuar këtë koalicion është jo vetëm arkaike, pra i takon së kaluarës, është jo vetëm folklorike, por e them me bindje të plotë se është antikombëtare, sepse synon kompleksimin e Ilir Metës dhe kompleksimin e LSI-së për t’u bërë bashkëfajtor në një skenar për destabilizimin e vendit, të shtetit dhe të institucioneve në një situatë tepër kritike.

- Ju përmendni shpesh stabilitetin e vendit, po kur ju kërkonit rrëzimin e kryeministrit Sali Berisha?

- Unë e kërkoj me votë, nuk mund të dal në rrugë sot, siç më thotë Edi Rama “hajde dalim në rrugë se janë vjedhur zgjedhjet”, kur mua zgjedhjet në radhë të parë m’i ka vjedhur Edi Rama! Ne për këtë kemi kaseta filmike, kemi fakte, kemi çdo gjë. Nga ana tjetër nuk mund të bashkohem me mendim e rrëzimit të Sali Berishës, i cili, pavarësisht nga dëshira jonë, pavarësisht nga dëshira e cilit, në fund të fundit përfaqëson koalicionin fitues.

- Zoti Meta, duke tundur në mënyrë figurative çelësat e pushtetit tuaj, a nuk duket se ju shmangni një zotim që kishit marrë se do të rishikonit pozicionin tuaj në këtë parti, nëse nuk do të merrnit të paktën 30 deputetë?

- Absolutisht që unë jam i hapur për çdo vendim të forumeve të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe çdo gjë do të vendoset në forumet e kësaj partie, për më tepër që në fillim vjeshtës besoj se do të kemi një ripërtëritje të gjithë strukturave dhe forumeve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, përfshirë këtu edhe postin e kryetarit të kësaj lëvizje dhe pa asnjë diskutim që unë do t’i nënshtrohem vullnetit të të gjitha këtyre strukturave.

- Në të vërtetë procesi zgjedhor ende nuk ka përfunduar, ndërkohë që nuk ka as ndonjë urgjencë për formimin e qeverisë për sa kohë që parlamenti i ri nuk do mund të mblidhet dot para shtatorit. Pse ju nxituat për të bërë një marrëveshje të tillë, aq më tepër që ju thatë se ishte një ndër vendimet më të vështira të karrierës tuaj politike?

- Momenti ishte i tillë që të gjithë kërkonin mesazh stabiliteti, nuk mund të pritej tre muaj për të diskutuar se çfarë do të bëhej dhe si do të bëhej dhe qytetarët do të ishin në ankthin e një pasigurie se çfarë do të ndodhë, apo nën frikën e zgjedhjeve të tjera, te cilat do të bëheshin prapë me këtë kod, prapë me këtë lloj fryme dhe me këta aktorë politikë. Njëkohësisht të mos harrojmë se ekonomia është në një situatë problematike, ndërsa marrëveshja do të realizohet kur ajo të nënshkruhet dhe pa asnjë diskutim që do të ketë negociata, në radhë të parë për programin e kësaj qeverie apo të këtij koalicioni. Dhe në këtë aspekt unë e kam bërë të qartë se çdo gjë do të jetë e hapur, asgjë nuk do të jetë si në natën e 21 prillit.

- Ju keni thënë dje se kjo nuk do të jetë një marrëveshje për karrige, megjithatë që të jetë arritur me një “po” xhentëlmenësh duket pak sa vështirë, duke pasur parasysh historinë e marrëdhënieve tuaja me zotin Berisha, kritikat tuaja ndaj tij, kritikat e tij ndaj jush. Po jua shtroj pyetjen ndryshe: cila do të jetë pesha e LSI-së në këtë koalicion?

- Unë deri tani nuk kam diskutuar me askënd për asnjë karrige kam pasur vetëm një ofertë nga Edi Rama që të bëhesha kryeministër si kandidat i këtyre 70 deputetëve të opozitës (po i konsiderojmë 66+4) me garanci se ai do të blinte disa nga deputetët e Partisë Demokratike.

- I bie që ju bëni një kapërcim ylberi pa asnjë lloj kushti!

- Nuk është asnjë lloj kapërcimi ylberi, LSI-ja edhe në vetë emrin e saj, edhe në vetë misionin e saj ka si qëllim kryesor integrimin, integrimin e Shqipërisë në Europë dhe integrimin e Shqiptareve këtu, dhe pa asnjë diskutim që do të jetë një faktor shumë i rëndësishëm për moderimin e politikës shqiptare. Ne jemi forcë e re, që kur jemi krijuar kemi sjell risi. Kjo është një risi e jashtëzakonshme në politikën shqiptare dhe nuk mund të kuptohet mirë nga të gjithë, sepse natyrisht që ajo është një sfidë ndaj atij mentaliteti të vjetër dhe folklorikë në politikën shqiptare dhe pa asnjë diskutim që do të funksionoj për mendimin tim, sepse e imponon rezultati i këtyre zgjedhjeve, e imponon ato reforma që duhet të realizojmë pa tjetër gjatë katër vjetve që vijnë ashtu si kurse këto imponojnë një bashkëpunim me opozitën e partisë socialiste, ku ne pa asnjë diskutim do të jemi shumë luajal me ta. E majta ka dy rrugë: një rrugë përmes LSI-së, për vetë rezultatin që është arritur, pra që të kontribuojë në stabilitetin e vendit dhe për qeverisje e tij; dhe e dyta për një opozitë sa më të shëndetshme, që ta kontrollojë këtë qeveri.

- Ju insistoni në këtë fakt po edhe unë po këmbëngul, sepse i bie që ju keni bërë një marrëveshje ku të keni dhënë garanci që kryeministri të mbajë edhe një mandat tjetër dhe nuk keni marrë asgjë në këmbim.

- Ne nuk kemi bërë asnjë diskutim, as për kryeministrin dhe as për ndonjë funksion tjetër. Ne kemi dhënë garanci se do të jemi faktorë stabilizues, kemi qëllim kryesor integrimin europian të Shqipërisë, përballimin e efekteve të krizës, garantimin e këtyre standardeve për pavarësinë e gjyqësorit, për të cilat Shqipëria është kritikuar shpesh. Në fund të fundit, kjo do të jetë një marrëveshje me Partinë Demokratike.

- Ju vetë do të jeni pjesë e ekzekutivit?

- Për mua kjo nuk ka asnjë lloj rëndësie. Për mua është e rëndësishme programi i këtij koalicioni, është i rëndësishëm që Lëvizja Socialiste për Integrim të ofrojë kapacitete nga më të mirat, nga më të spikaturat, në mënyrë që të kontribuojnë për një ritëm më të lartë të reformave. Për mua nuk ka asnjë lloj shqetësimi, asnjë lloj preokupimi, çdo gjë do të diskutohet dhe ju do ta merrni vesh në kohën e duhur. Deri më sot vetëm një ofertë kam pasur për kryeministër nga Edi Rama, por ishte një ofertë e cila kishte në bazë të saj trafikun dhe blerjen e deputetëve të palës kundërshtare, që pa dyshim do të sillte një kaos në vend. Unë s’mund të pranoj që të jem kryeministër me trafiqe votash.

- Po në qoftë se do të ketë kalime të tjera nga e majta drejt këtij koalicioni, i bie që të jeni sërish pjesë e këtij trafiku?

- Kalime të tilla mund të kishte dhe pa pjesëmarrjen e LSI-së në qeverisje, por unë mendoj se edhe zoti Berisha tregoi një përgjegjshmëri duke lexuar rezultatin e zgjedhjeve. Sepse me sa di unë, ka pasur shumë kandidatë për të kaluar nga e djathta, por pa dyshim që qeveritë nuk mund të mbahen dhe kurrsesi nuk duhet të mbahen mbi trafiqe të tilla deputetësh, ato duhet të mbahen mbi marrëveshje politike dhe mbi programe të qarta e transparente.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›