E kap sëmundja teksa luante, përfundon në ujë
Një 12-vjeçar është gjetur i pajetë në grykëderdhjen e një kanali kullues në fshatin Tale, të rrethit të Lezhës. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Lezhës mësohet se M.Ll. 12 vjeç ka qenë duke luajtur me bashkëmoshatarët e tij, kur ka rrëshqitur në afërsi të një kanali me ujë. Të njëjtat burime saktësojnë se djali vuante nga sëmundja e epilepsisë dhe gjatë lojës e kanë kapur krizat, që janë bërë shkak që ai të rrëzohet dhe bjerë në kanalin me ujë. Shokët nuk kanë arritur të kuptojnë se djali ishte i sëmurë dhe kur ai është rrokullisur në kanal kanë kujtuar se ka tentuar të fshihej. Ndërsa kanë pritur që ai të dilte në sipërfaqe kanë tentuar më kot ta ndihmojnë, pasi i mituri ishte mbytur. Menjëherë kalimtarët e rastit kanë lajmëruar familjarët e 12-vjeçarit e më pas policinë, e cila ka ardhur menjëherë në vendin e ngjarjes. Djali i është nënshtruar ekspertizës mjekoligjore, e cila ka nxjerrë se në momentin kur 12-vjeçari ka rrëshqitur në ujërat e kanalit është prekur nga krizat e epilepsisë. Kjo është konfirmuar dhe nga familjarët, të cilët kanë dëshmuar se 12-vjeçari vuante prej vitesh nga epilepsia, për të cilën kurohej, por krizat ishin të paparashikueshme.