Ende asnjë gjurmë. Kërkohet ndihmë nga policia kufitare
Kanë kaluar tri ditë nga zhdukja e 17-vjeçares nga fshati Ujmisht, i komunës me të njëjtin emër në Kukës dhe ende nuk është gjetur asnjë shenjë prej saj. Policia ende nuk ka një version zyrtar rreth kësaj çështjeje, ndërkohë që është kërkuar bashkëpunim edhe policisë së kufirit për kërkimin e trupit të vajzës me motoskaf në ujërat e lumit Drin i Zi dhe në liqenin e Fierzës.
17-vjeçarja me inicialet R.T. u pa për herë të fundit të mëngjesin e së shtunës nga disa bashkëfshatarë në bregun e lumit, ku më vonë u gjetën një xhup, si dhe një pantofël të identifikuar nga familjarët si veshje të saj. Versioni kryesor të cilin e mbron edhe policia është se vajza është vetëmbytur në lumë, por ende nuk ka një deklarim zyrtar përderisa trupi nuk është gjetur.
Drejtues të policisë së qarkut kanë thënë se kanë vijuar kërkimet në të gjithë lumin, por nuk është gjetur asgjë. “Tani na mbetet vetëm që të kërkojmë bashkëpunimin e policisë së kufirit për të na vënë në dispozicion një motoskaf me qëllim që të kërkojmë të gjithë rrjedhën deri në thellësi për të parë nëse trupi mund të ketë rënë në thellësi të ujit të lumit apo mund të jetë bartur deri në liqen”, tha drejtori i Policisë së Qarkut, Ali Elezi. Në familjen e vajzës së humbur ka pllakosur zia dhe shpresat shuhen sa më shumë kalon koha.