E keqe me rrënjë
Skandali “Lavitola” në Itali ia behu si rrufe në qiellin e zhurmshëm të Shqipërisë plot gegë e toskë. Iu shtua bubullimave të shqipes, ndohmës nga plehrat e bashkuara (sidomos buzë lumenjve a ku të munden), shkuljes së jetës nën thellësitë e Bulqizës, rrjepjes së skrapit dhe zhgarravitjes së drejtësisë me fshesë në dorë për gjetjen e gjurmëve, kur ujkun me zë, me figurë e me ulurimë e përkund në krah si qengj të butë.
Gjëmën e ndezi një foto e vetme, e shkrepur ashtu si padashje, siç mediat shqiptare raportojnë e pasqyrojnë përditë e 24 orë në ditë, në rolin e engjëjve të helmuar që vjellin pafund tmerre e mynxyra, të fshehura nën tisin e fytyrave të pavrenjtura e syve pa ndjenjë. Por krejt ndryshe nga ndryshku që na ka zënë, në Italinë fqinje u dridh vendi nga një foto me kostume e me kravata, që të vërtetën e nxirrte lakuriq, ashtu të shëmtuar dhe të shpifur si barqet plot dhjamë të babëzisë së pangopur.
Ziles së çjerrët të telefonit Ilir Meta do i jetë përgjigjur gjithë përtesë, ashtu i nxënë, përveç të tjerash, me kokëdhimbje Fullanrësh gjyqtarë e guvernatorë. Por siç dihet në zë, seç mban dhe një tingull miqësor e të butë të veshur me fjalët vëlla e flori, që në italisht kumbonin mu si në muzikën e përzgjedhur nga Fiks Fare për të shoqëruar takimin korruptiv Prifti-Meta.
“Buonasera. Ilir parla e molto bene, molto bene. E poso parlare con capo di cabineto”.
Për italishten, bashkë me Saliun e përfaqësojnë njëlloj koalicionin e ç’integrimit. Por kjo është më e pavlera. Habia e patericës 120 mijë votëshe, plasi ashtu krejt e kulluar dhe naive për një “morr” në Itali përballë “kaut” që duhet të fshehë në Gjirin e Lalzit: “Nuk e kuptoj se përse duhet të ndihet turp. Fotoja është zyrtare, ai personi është aty”, që të sjell ndërmend vetvetiu: “Ç’të keqe ka, ka ndonjë problem? Zgjidhe pra! Bëje, pse se bën!”
Ndërsa italianët bërtasin e çirren për skandalet e një pseudo-gazetari sekser, të dëbuar nga urdhri i profesionit, shqiptarët që panë vezullimin e mandateve të florinjta me zë, me figurë e me euro, u vranë si kokëpalarë dhe ulën kryet e ndjekin si të vobektë e të çuditur debatin që po trondit Italinë.
Ashtu me psherëtima e mallkime, gëlltisim arrogancën që na hidhet fytyrave, durojmë mynxyra që tjetërkund, politikanët njësoj të babëzitur nuk mund t’i shohin as në ëndërr. Ku mund ta gjejë luksin Lavitola t’i thotë gazetarit Italian: “Adeso la saluto, o degli impegni, buonasera”, sjellje që buron nga filozofia e qeverisë me surratin e zi si këpuca pas dy shpullave rresht vit pas viti: “gazetarët pyesin ç’të duan, unë them ç’të dua”.
“Sa budallenj” këta italianët, ç’pyetje bëjnë dhe ata, sikur nuk e dinë se ç’do përgjigjet njëri a tjetri, që kontrollon filanin e fistekun, që kërcënon Shamikuqen e flak jashtë me gërvishtje Socialisten, që rrjep skrap e krom e vret kokëpalarë miniere dhe bulevardi (etj..etj.eh sa shumë ka; pafund). Si s’mësuan të bëjnë pyetje si në studiot tona dhjetëra-milionëshe ku dalin të nderuar të gjithë, edhe të pavarurit, edhe të varurit dhe ata që do të meritonin të varen në litar, nëse s’do kishim hequr ligjin e dënimit me vdekje me kohë, e me të drejtë, se edhe ndëshkimet e tjera vlejnë nëse zbatohen një ditë e siç duhet.
Nën qiellin e nxirë nga mega-skandalet transparente si zgjedhjet e Tiranës, rrufeja “Lavitola” ndjell gudulisje. Larg pyetjeve acaruese e të papëlqyeshme, të përkëdhelurit tanë me lëkurën e trashë si sholla e këpucës preferojnë ti bien tenxhereve në studiot me bubullima, gjela plehu, vota mielli e dialog evrope, të mbështjellë si nga fundi i ndonjë pusi a grope pak a shumë kështu: “Zoti Meta ju falendërojmë shumë që pranuat të vini në studio e të flisni. Faleminderit për përgjigjet e sinqerta që na dhatë”, e me përgjigjen vesh më vesh: “Ishte kënaqësi që isha i ftuar dhe përshëndes të gjithë shikuesit tuaj.”
