Dëshmi e këmbëve zvarrë për në BE!
E. Rama, përgjegjësi nr. 1 i ruajtjes së mendësisë enveriste
Le të shihen të dy fotot anësore, me Ramën me shallin e kuq ceremonial, në mes. Nga njëra prej revistave të ilustruara të vitit 2002, janë marrë këto foto të 9 viteve më parë. Edhe në kohë të diktaturës, kur Enveri, sa për t’i bërë qejfin përkohësisht Krushovit, nuk bëheshin dot ceremoni të tilla. Madje as pas ndërrimit të sistemeve! Kësaj i thonë të të ketë plasur cipa!
Kemi shkruar shpesh për fatkeqësitë që i ranë në kokë vendit tonë, kur diktatori Enver Hoxha, në vitin 1956, u vu para dilemës: Ose do të duhej të linte karrigen, sipas shembullit të vendeve komuniste europiane, që pranuan destalinizimin; ose do ta mbante kolltukun e përgjakur, duke mos e hedhur poshtë figurën kriminale të Stalinit. Kuptohet se Stalini shqiptar, Enveri, nuk e mohoi Josif Visarionoviçin. Jo se kishte rënë në dashuri me mustaqet e tij të bukura. Por sepse ishte komprometuar keq me metodat e tij kriminale. Po të vepronte si homologët e tij që mohuan Stalinin, ai do të përgjigjej për ruajtjen e atij kolltuku që përmendëm. Sepse i ishte bërë rrodhe atij kolltuku të shkretë, duke iu ngjitur si édera, duke shfarosur, përveç kundërshtarëve politikë, me faj apo pa faj, por edhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, pavarësisht se ata nuk ishin komplotistë ndaj personit të tij. Edhe të ekzekutuarit e tjerë, pas premtimit të pambajtur që i bëri Hrushovit në Tiranë, kishin pësuar të njëjtin fat gjer në 1985-n, kur vdiq. Të flijuarit i duheshin për të konsoliduar figurën e tij gjakatare.
Në funksion të kësaj veprimtarie monstruoze, Enveri kishte vënë në shërbim të tij një numër jo të vogël mëkatarësh, torturuesish sadistë, për të sajuar “provat” e paqenësishme, që të përligjeshin skenarët imagjinarë të asaj kasaphaneje. Me këta militantë mizorë në shërbim, sistemi diktatorial vazhdoi gjer në 1990-n, kur diktatura u rrëzua, por mbeti gjallë mendësia enveriste.
Kjo mendësi rrënimtare pasqyrohet thekshëm në banderolat në të cilat mund të lexohet “Konferenca e Pezës” dhe viti 2002 si edhe në dendësinë e fotove të diktatorit E, Hoxha përbën një paradoks të paparë në asnjë vend europian, që të mos shkojmë më tej, në kontinente të tjera.
A mund të përfytyrohet një vend demokratik në kohën e sotme që t’i bëjë ovacione qoftë Hitlerit, qoftë Stalinist, siç ndodh në vendin tonë me diktatorin E.H.-a? Ja edhe veteranët me kasketa e me borsalina, disa nga të cilët ende i kanë gishtat me gjak të mpiksur, nga viktima të pafajshme!
Këtyre borsalinave e kasketave, ai “antienveristi i tërbuar” (!) i vitit 1991, Edvini, ua prishi gjakun me atë luftën civile, që s’e pranon asnjëri nga ata që festojnë Enverin e paharruar e që, në foto, shihen majtas e djathtas fotografisë së tij të 2002-shit, me shallin e kuq enverist... Por gjaku s’bëhet ujë! Paçka se ai kishte shkruar, e zezë mbi të bardhë, se veteranët e partisë së Enverit duheshin varur në litar! Ata sot i bëjnë temenà kryetarit të tyre uzurpator të PS-së, se na qenkësh më i zoti nga të gjithë ata të skotës së enverizmit për ta bërë të zezën të bardhë (për veten) dhe të bardhën të zezë (për kundërshtarin e tij politik!), si askush tjetër nga njerëzit me namuz brenda radhëve. Këto aventura me tallje të së vërtetës i duhen për të ruajtur gjallë mendësinë se diktaturës.
Natyrisht që monitoruesit e BE-së mund të skandalizohen nga ky realitet i pangjarë pro diktaturës, nga E.Rama dhe propagandistët e tij, që sot ua do puna të thonë se janë pro Europës! Pse s’i bënë këto marrëzira në 16 shtatorin e 2011-s? Hipokrizia e tyre është tepër e trashë. Se s’mund të jesh edhe me diktaturën (shih fotot!) edhe me Europën (!) dhe të bësh një qark të shkurtër ndërmjet diktaturës dhe BE-së! Por mos të kujtojë ky besimtar shterp i vetvetes se ata europerëndimorë të nderuar i bën qole ai, të cilin e rren mendja se bota nuk e njeh në të gjitha paudhësitë e tij. Ato personalitete të BE-së, që populli i quan mirëdashësit e tij, nuk mendojnë, megjithatë, se do të munden të hyjnë edhe në punët e ndyra të opozitës që tashmë kryesohet nga Edi. Është një delikatesë e kuptueshme, për deri sa ata kërkojnë të na vënë në një tryezë mirëkuptimi. Por kjo opozitë e Edvinit mos të abuzojë me mirësjelljen e faktorit ndërkombëtar. Po të mos vinin kushte përmbi kërkesat europiane, e të silleshin luajalë, në kuptimin që të mos kërkonin pushtet në tavolinë, atëherë do të ishim më afër kandidaturës për në BE. Ndërkaq, a mund t’i përgjigjeshin kësaj pyetjeje? Në BE, a do të pranoheshin veprime si ato që shihen në fotot? Le t’i përgjigjet pyetjes Edvini, përgjegjësi i kësaj veprimtarie enveriste në Pezë. Nëse ia thotë truri “Po”, atëherë do të dilnin pyetje të tjera: Përse në 16 shtatorin e 2011-s nuk e vazhdoi ritin e idolatrisë për diktaturën? Nëse nuk i përgjigjet dot pyetjes, le t’i përgjigjej tjetrës: A mendoni se kur të anëtarësoheshim në BE (pavarësisht nga mosdashja e tij) a do ta kishte mundësinë të manifestonte endé për diktaturën? Ah, jo! Mbarojnë po-të. Nga të gjitha fotot e diktatorit që paraqiten në këtë shkrim. Si nuk dolën vetëm disa, për të përkujtuar datëlindjen e tij më 16 tetor? Hipokrizi e europianistit fals? Pa dyshim! E. Rama, po të respektonte BE-në, nuk do t’i vinte këmbën vendimit të Asamblesë Parlamentare të KE-së, për dënimin e krimeve të komunizmit. Ato foto që i paraqiten lexuesit, sa s’kanë gojë të bërtasin sesi i dënon krimet e komunizmit ky personifikim i rrenës e i hipokrizisë! Sa kriminelë komunistë mund të jenë ndër ato kasketa dhe borsalino, në hosanatë e tyre për të paharruarin, siç e quante protagonisti i masakrës së Tivarit?
Tani u drejtohemi propagandistëve të Edvinit:
Ja përse i hiqni këmbët zvarrë për t’u inkuadruar në BE! Vetëm atje do të shkulet kjo rrënjë e helmuar që e ka emrin mendësi enveriste, e cila ju ndihmoi të shini e të korrni në kurriz të popullit shqiptar. Gjatë diktaturës dhe pas saj!