E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brenda editorialeve të Ramës

21-10-2011 / Redaksionale

Pikë e zezë. Në nahijen e vet në internet, kreu i PS-së ka shkruar një “meta-editorial” domethënë “një editorial mbi editorialet”, si një reagim shpjegues për komentet dhe opinionet e shprehura nga lexuesit jo vetëm për formën e tyre, por dhe për përmbajtjen e hartimeve të ashtuquajtura “Editorale”. Mirëpo Rama duhet ta ketë pasur të qartë qysh në fillim; nëse i nxjerr editorialet auto-referenciale nëpër “blogje”, afërmendsh duhet të përballet dhe me komentet e njerëzve dhe se c`farë shkruajnë njerëzit është plotësisht e drejtë e tyre. Si duket Ramën e shqetëson diçka tjetër. Fryma kritike e njerëzve ndaj editorialeve të tij, zhgënjimi i tyre. I fundit që komentoi kundër “kursit të ri” apo mënyrës së Ramës për të bërë opozitë ka qenë udhëheqësi shpirtëror i opozitës, Rexhep Qosja, i cili në një intervistë u shpreh se, “Saliu nuk rrëzohet me Editoriale”. Dhe ky përcaktim i liderit shpirtëror të Ramës, e bëri këtë të fundit të kthejë përgjigje shpjeguese me një komunikim retorik të titulluar: “A rrëzohet Saliu me editoriale?”.
Meqenëse mesazhi është i sojit retorik s’ka nevojë për komentim. Megjithëse Rama mbron fort qëllimin e këtyre editorialeve për shtyp, që sipas tij, janë për të rimëkëmbur komunikimin. Ky komunikim i shërben Ramës të kuptojë se çfarë mendon dhe sesi vepron Rama me botën. Kurse bota ka avaze të tjera.
Megjithatë po ta shikosh nga një këndvështrim tjetër hartimet e Ramës nuk kanë asgjë të keqe në vetvete. Janë shkrime. Por, çështja është se editorialet nuk i lexojnë as dhjetë për qind e atyre që duhet të shkojnë në kutitë e votimit nesër. Afërmendsh pushteti nuk merret me shkrime dhe konferenca për shtyp, por me programe, ide dhe vizion për të ardhmen, çka Rama e ka vështirë ta propozojë. Vetiu pushteti nuk merret duke qëndruar në zyrë dhe filozofuar mbi pamundësinë dhe përse “opozita është e dobët”, por duke dalë e takuar qytetarët në çdo cep të vendit dhe duke dëgjuar hallet e problemet e tyre. Editorialet e liderit të opozitës dëftejnë mbi të gjitha mbi “dobësinë” sipër-strukturore të opozitës.
Ta themi PS-ja nuk është mësuar kurrë të bëjë opozitë. Prandaj sot PS-ja është e dobët jo vetëm në numrat në parlament, por edhe jashtë saj ndër qytetarë. Zgjedhjet e fundit lokale, të cilat ishin konkurruese dhe transparente, dëftejnë se maxhoranca ka një bazë të gjerë mbështetje, që vlerësohet në 142 mijë vota më shumë. Pa harruar asnjë minutë se kjo shifër përkthehet në zgjedhje të mundshme parlamentare në një epërsi shtesë prej 7-8 deputetë për shumicën qeverisëse. opozita sot është e dobët sepse zëri i saj është konsumuar në opereta bajate, si melodi e kauzave të pasinqerta dhe absurde.
Edi Rama dhe shtabi i luftës socialiste i ka kumbuar aq herë “popullit opozitar”, saqë ka humbur besueshmërinë ndër qytetarë dhe është identifikuar si bllokuese e reformave integruese. Sidoqoftë e kanë thënë dhe të tjerë që është shqetësuese fakti ku kreu i Partisë më të madhe opozitare në vend që të bëjë opozitë politike e institucionale, domethënë të përfaqësojë ashtu siç është e natyrshme gjysmën e elektoratit që i ka dhënë votën, shkruan kinse “Editorial”, që në fakt janë variacione mbi të njëjtën temë: fajin e ka Saliu.
Dhe nota për këto hartime është pakaluese për provimin e vjeshtës opozitare, që po i bien edhe gjethet me të cilat mbulonte paaftësinë e saj për të qenë sadopak serioze dhe konkurruese. I thartuar në shpirt e zhgënjyer nga karriera politike, Edi Rama i është kthyer një profesioni të ushtruar 15 vjet më parë. Dukshëm ka humbur intuitën dhe magjinë e fjalës duke u kthyer në një analist të rëndomtë, edhe pse është ende kreu i Opozitës me Letra ta Hapura. Editorialet e fundit për shtyp janë sinjalizuese për gjendjen jo normale në të cilën gjallon lideri i opozitës, që është kthyer në një publicist gazetash kur duhet të kundërshtojë qeverinë me propozimeve dhe alternativa nëpërmjet grupit Parlamentar socialist në Kuvend. Vetëm në kuvend i ka hije opozitës të përballet me kryeministrin Berisha me armë të barabarta, pasi në fusha të tjera ndeshja është e humbur.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›