E Shtunë, 31 Tetor 2026

E keqja vjen më pas

Share

Nga Altin Ketro

73 të pamandatuar nga shumica popullore morën mbi supet e tyre një nga turpet më të mëdha në historinë e ligjvënies shqiptare. Ata e dinin këtë gjë, pra turpin që do i mbulonte gjithë jetën, e përsëri nuk u tërhoqën, por i mbajtën ison atij që si dridhet dora të vrasë e jo më të ndotë Shqipërinë e shqiptarët duke i vrarë dalëngadalë.

Kthimi i ligjit për rishqyrtim nga ana e Presidentit të Republikës, z.Bamir Topi, ishte një shanc shumë i mirë që mazhoranca e djathtë, udhëheqësi i saj Berisha dhe gjithë shpura që i shkon pas, të mundnin të reflektonin edhe një herë për gafën që bënë pak kohë më parë duke e miratuar atë. Opinionbërësit politikë e civilë, shoqatat dhe individët, të gjithë ata që nuk rrojnë nën ombrellën e qeverisë, po reagonin në një zë kundër këtij ligji. Në ndihmë u erdhi edhe opinioni i dy personazheve të njohur përtej Adriatikut, përkatësisht Roberto Saviano dhe Gaetano Vassallo, i pari i dënuar me vdekje nga mafia për pasqyrën e qartë që i ka bërë krimeve të asaj, i dyti i penduar i drejtësisë italiane e që është marrë pikërisht me plehrat. Të dy e kanë bërë të qartë rrezikun që vjen nga ato, ku, nën koperturën e përpunimit të mbetjeve të ligjshme dhe riciklimit, fshihet trafiku i mbetjeve toksike.

Por, fatkeqësisht ligji u trajtua si një sfidë personale nga ana e Berishës, ku nga njëra anë duhet të mbante fjalën që u ka dhënë atyre që i kanë premtuar miliona nga ky biznes, dhe nga ana tjetër duhet ti vendoste kufirit tek thana Kryetarit të Shtetit, i cili kurrsesi nuk duhet të kthejë mbrapsht asnjë ligj të miratuar njëherë me vullnet të plotë nga Berisha. Vetëm një ego e sëmurë bën që sundimtarë të tipit Berisha të mos arrijnë të qartësojnë asnjëherë mendimin në situata të tilla për të parë se çfarë do të ndodhë, por i bën më të vendosur për ta çuar deri në fund çmendurinë e tyre.

Përfundimisht, as faktorët e brendshëm e as ata të jashtëm nuk u dëgjuan. Sepse qeveria dhe ligjvënësit nuk kanë kohë të dëgjojnë. Ata kanë kohë që janë shkëputur nga realiteti, sepse makutëria dhe babëzia u kanë errur sytë, u kanë turbulluar mendjen e rrjedhimisht papërgjegjshmëria që tregojnë është kthyer në një arrogancë të pashembullt në raportet qeveri-popull.

Unë nuk pres që qysh ditët e para, bashkë me plehrat, të vijnë edhe mbetje toksike. Absolutisht Jo! Sepse e di që Berisha dhe të tijët janë shumë të zgjuar për të mos u ngutur pas zhurmës që shoqëria civile dhe opozita bën për ta kundërshtuar. Biles, as eksportuesve andej dhe importuesve këndej, nuk do u interesonte një gjë e tillë. Do duhet pak kohë, sepse duhet krijuar në popull nëpërmjet propagandës, një klimë mirëbësimi. Do vërshojnë ditët e para të mbërritjes së këtyre mbetjeve, kronika e reportazhe televizive e gazetareske të stilit qeveritar, ku do paraqiten veçse mbetje që do i shërbejnë industrisë për riciklim, biles, me shumë gjasë, do akuzohen edhe kundërshtuesit e këtyre mbetjeve, si pjesë e një skenari që do mund të penalizonte vendin tonë nga kjo lëndë e parë. Pronarët e ndërmarrjeve industriale padyshim do jenë të gatshëm për tiu paraqitur publikut sesi i morën mbetjet dhe sesi i rikthyhen ato në produkte të dobishme. Qëllimi djallëzor është që të dalin fillimisht bllof përpara opinionit ata që e kundërshtuan ligjin.

Por, e keqja do vijë më pas, atëherë kur vëmendja e publikut do të jetë shpërqendruar nga hallet e përditshmërisë që kalon shoqëria jonë. Lufta e ndezur politike do shkëpusë edhe vëmendjen e politikës. Atëherë do fillojë mënxyra, ku nën petkun e mbetjeve të riciklueshme, do vërshojnë lum mbetjet toksike. Ato mbetje të cilat i shpëtuan syrit, përvojës dhe mbikqyrjes së rreptë të vendve që kanë shtet me ligje të konsoliduara dhe struktura të mirëpërgatitura. Sepse edhe atje paraja arriti tu errësojë shikimin pushtetarëve, atje ku presioni dhe reagimi i publikut është i dhunshëm e i pamëshirshëm ndaj fenomeneve të tilla. Po këtu, ku historia edhe e këtyre 6 vite qeverisje të Berishës, do mjaftonte për të kuptuar se sa e rëndë do jetë për brezin e sotëm e të nesërm, ky legjitimim i mbledhjes së mbetjeve të rrezikshme nga bota. Prandaj, po e përsëris edhe unë thirrjen: Popull, ju lutem, jini Vigjilentë!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›