E kthejnë me urdhër
Ia kishte mësyrë Luginës së Preshevës, por ka ngecur në zonën neutrale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi një urdhër i autoriteteve serbe ndaloi hyrjen e tij.
Ministri i Kosovës për Diasporë, Ibrahim Makolli dhe eskorta e tij janë kthyer prapa nga kufiri me Serbinë në Konçul, të enjten, gjatë tentimit për të hyrë në Serbi.
Makolli pati deklaruar se do të shkojë për vizitë atje me targa RKS. Por, një gjë e tillë ka qenë e pamundur edhe me vetura të pushtetarëve lokalë shqiptarë të Luginës së Preshevës, të cilët kishin dalë për ta pritur Makollin në kufi.
I mllefosur nga mosrealizimi i vizitës së tij, ministri Makolli ka deklaruar para medieve se autoritetet serbe nuk e kishin lejuar në asnjë mënyre hyrjen e tij.
“Ata as nuk më lejuan të hyj e as nuk më treguan arsyen”, është shprehur Makolli para medieve.
Sipas tij, kjo dëshmoi edhe njëherë që Serbia është ajo e cila nuk është e interesuar që të zbatojë marrëveshjet me Kosovën.
“Serbia po dëshmon se nuk është e interesuar për përmirësim të marrëdhënieve në Ballkan. Me forma të tilla, ajo po ndikon në përkeqësimin e raporteve të përgjithshme në Ballkan”, tha Makolli.
Ky i fundit kishte planifikuar që të takohej me lidershipin shqiptar në Preshevë dhe Bujanoc, por këtë arriti ta realizojë vetëm në zonën neutrale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Konçul.
Pas takimit pothuajse një orësh me Makollin në zonën neutrale , përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës janë shprehur të mllefosur ndaj aktit të autoriteteve serbe.
Kryetari i Komunës në Bujanovc, Shaip Kamberi si dhe deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Riza Halimi, e kanë quajtur këtë ndalesë skandal politik.
Kamberi madje ka thënë se për moskalimin e Makollit ka pasur urdhër të prerë nga autoritetet serbe.
“Moslejimi i Makollit që të hyjë nëpërmjet Konçulit nuk mund të quhet ndryshe pos një skandal politik i panevojshëm, që e ka provokuar Qeveria e Serbisë në Bujanovc dhe Ministria e Punëve të Brendshme”, ka deklaruar Halimi.
Kamberi ndërkaq ka thënë se vizita e Makollit ka qenë një akt simbolik i një situate më stabile në këtë pjesë, derisa ka theksuar se Qeveria e Serbisë ka treguar se është destabilizuese e tërë Ballkanit Perëndimor.
“Njëra nga temat për të cilat kemi dashur të bisedojmë është edhe çështja e uljes së çmimit të polisave të sigurimit për veturat me targa të Serbisë Qendrore, për të cilat aktualisht duhet të paguhet 60 euro për 15 ditë“, ka thënë Kamberi.
Sipas tij, gjithçka ka shkuar në rregull, përderisa policët serbë kanë refuzuar të kryejnë procedurat e nevojshme për të hyrë në Serbi.
Ndërkohë, autoritetet serbe janë përgjigjur për vendimin e tyre, duke marrë për bazë marrëveshjen për lëvizje të lirë të arritur në korrik me Kosovën.
Ministri serb i Punëve të Brendshme, Ivica Dacic, ka deklaruar se në Bruksel nuk është arritur asnjë marrëveshje e cila lejon politikanët kosovarë të kryejnë aktivitete politike në Serbi.
“MPB nuk është e njoftuar se është arritur ndonjë marrëveshje për atë që politikanët kosovarë të hyjnë në Serbi për të kryer funksionet e tyre politike. Kjo do të thotë se secili mund të hyjë si qytetar i zakonshëm e jo si i ashtuquajtur ministër për diasporë”, ka thënë Dacic.
Ndryshe, vizita e Makollit në Preshevë ishte paralajmëruar ditë më parë. Ky vendim kishte ardhur pak ditë pasi që Presidenti serb, Boris Tadic, kishte vizituar Kosovën.
Autoritetet kosovare si dukej kishin vendosur që t’i përgjigjeshin kësaj vizite, duke e dërguar Makollin në Preshevë. E për këtë si pretekst e kanë marrë ftesën që u është bërë autoriteteve të Kosovës e Shqipërisë nga lidershipi shqiptar atje.
Ndërsa vetë Makolli pati mohuar këtë. Ai ka thënë se këtë vizitë e ka planifikuat qysh moti. Pavarësisht kësaj, plani i dështoi.
Ndërkohë që nisma për t’iu kundërpërgjigjur Serbisë nuk u përkrah as nga analistë të ndryshëm, të cilët konsiderojnë se imitimi i politikës serbe nuk është i mirë.