E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krejt kundër

Shefi i ICO’së, Pieter Feith, të gjitha partitë politike, Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës kanë dalë kundër planit të Vetëvendosjes për bllokimin e pikave kufitare me Serbinë më 14 janar. Sipas tyre, me këto veprime nuk i ndihmohet vendit. Megjithëkëtë, edhe të enjten, Albin Kurti ka vazhduar tubimet për t’i bindur qytetarët që t’i bashkohen në aksion.

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, e ka vazhduar të enjten thirrjen për të bllokuar dy pikat kufitare me Serbinë.

Ai është kthyer nga Tirana, ku një ditë më parë kërkoi përkrahjen e Shqipërisë për aksionin e bllokimit kufirit te Dheu i Bardhë dhe në Merdarë që Vetëvendosje synon ta bëjë më 14 janar.

Por, duket se me qëndrimin i tij në Tiranë nuk ka gjetur shumë përkrahje.

Qeveria e Shqipërisë ka dalë me deklaratë kundër aksionit të Vetëvendosjes, duke e krahasuar paralajmërimin e Albin Kurtit me thirrjet ekstremiste të serbëve.

Nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme, Tirana ka thënë se i dënon thirrjet e “disa shqiptarëve në Kosovë dhe në Shqipëri për bllokimin e pikave kufitare me Serbinë.

“Veprime të tilla, si imitim i politikave ekstremiste serbe, nuk kanë asgjë të përbashkët me sakrificat dhe përpjekjet konstruktive mbarëshqiptare për ndërtimin e shtetit demokratik të Kosovës dhe të një shoqërie multietnike, të një shteti që ndërton dhe zhvillon marrëdhënie të mira me fqinjët në shërbim të paqes e stabilitetit në Kosovë e rajon”, thuhet në komunikatën e MPJ’së së Shqipërisë.

“Përdorimi i retorikës nacionaliste e pseudo-patriotike në funksion të agjendave politike partiake nuk i shërben aspak objektivave madhore të shqiptarëve...”.

Ndryshe, udhëheqësi i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë në Podujevë se më 14 janar do të jetë i pari në Merdarë në mbrojtje të kufirit të Kosovës dhe vendimit për reciprocitet të Kuvendit.

”Në Merdarë do ta bllokojmë rrugën e mallrave serbe për në Kosovë dhe jo lëvizjen e qytetarëve. Do të qëndrojmë derisa ta realizojmë qëllimin tonë dhe do të gjejmë forma që të jemi 24 orë në pikat kufitare. Ne do të angazhohemi që në Kosovë të fillojë një epokë e re, një fazë dhe një periudhë e re, ku qëllimi ynë është që t'ia marrim pushtetin Serbisë në Kosovë, e ky pushtet është politik e sidomos ekonomik e tregtar”, ka deklaruar Kurti.

Lideri i Vetëvendosjes ka treguar edhe kohën e bllokimit të kufijve gjatë një fjalimi në Pallatinë e Rinisë në Prishtinë.

“Të organizohemi e të mobilizoheni sa më shumë për ditën e pasnesërme, për të shtunën, më 1 janar, në orën 13, në pikat kufitare ku do të fillojë zbatimi i këtij vendimi të Kuvendit dhe përfundimisht Republikën e Kosovës ta bëjmë Republikë Parlamentare, duke e shpëtuar shtetin e Kosovës nga kjo Qeveri”, ka thënë ai.

Gjatë një debati me qytetarë, Kurti iu përgjigj edhe deklaratave të Ministrit Rexhepi, duke i bërë thirrje atij që ta urrejë më shumë Serbinë sesa Vetëvendosjen.

Kurti ftoi Policinë e Kosovës të mos i nënshtrohet "urdhrave të verbra të Rexhepit".

Sipas zyrtarëve të Vetëvendosjes, këto nisma janë për marrjen e pushtetit nga Serbia në mënyrë që të forcohet shteti i Kosovës.

Por, kundër veprimeve të Vetëvendosjes ka dalë përsëri Kryeministri Hashim Thaçi.

Ai ka shtuar se nuk do të lejohet të përsëritet janari i vitit të kaluar në Tiranë, ku humbën jetën disa qytetarë shqiptarë në përleshje me policinë.

Sipas Thaçit, veprimet e Vetëvendosjes nuk janë legale.

“Paralajmërimet e krerëve të Lëvizjes Vetëvendosje për zhvillime apo reagime të dhunshme për të marrë në kontroll, në mënyrë formale, kufijtë e Kosovës, janë mesazhet më të këqija të mundshme që mund t’i ndodhin Kosovës në këtë kohë, tejkalojnë çdo autoritet kushtetues, legal dhe moral”, ka thënë Thaçi për Radio Europa e Lirë.

Shefi i Qeverisë i ka përsëritur cilësimet për udhëheqësit e Lëvizjes.

“Krerët e Lëvizjes Vetëvendosje do të vetëfundosen, por nuk do të lejojmë që Kosovën ta fundosin në asnjë rrethanë. Paralajmërimet për veprime të dhunshme të krerëve të kësaj partie janë ogurzeza për Kosovën”, ka deklaruar ai.

Duke thënë se pushteti nuk mund të merret me dhunë, Thaçi ka dhënë porosi të mos imitohen “kriminelët serbë të veriut”.

“Sot patriotizmi më i madh për të gjithë njerëzit është respektimi i Kushtetutës dhe ligjeve. Puna për integrime europiane dhe jo imitimi i Zvonko Veselinovicit nga këta krerë të paralajmërimeve të dhunshme.

I pyetur s a do të veprojë Qeveria e Kosovës për zhbllokimin e barrikadave në veri, Kryeministri Thaçi ka thënë se askush nuk duhet të marrë modelin e serbëve për të aplikuar në pjesë tjera të vendit.

“Nuk është mirë që këta krerë marrin si shembull modelin serb të bllokadave. Perspektiva e Kosovës është në procesin integrues dhe jo në atë bllokues”, ka thënë Thaçi.

Paralajmërimi i Vetëvendosjes për bllokimin e pikave kufitare vjen pas miratimit në Kuvendin e Kosovës të një mocioni në dhjetor të vitit të kaluar, ku i bëhet thirrje Qeverisë së Kosovës për reciprocitet të plotë politik, ekonomik e tregtar ndaj Serbisë.

Premtimet e Policisë

Zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë marrë garanci nga Policia e Kosovës se nuk do të pengohen aktivistët që të shkojnë në dy pikat kufitare. Takimi mes zyrtarëve të Lëvizjes dhe Policisë është mbajtur në orët e mbrëmjes në selinë e Vetëvendosjes.

Sekretari i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj ka thënë se protesta do të jetë paqësore dhe nuk do të ndalohen qytetarët dhe as mallrat transit.

“Nuk do të ketë bllokada të rrugëve, nuk do të ketë barrikada, por do të ketë bllokim të Serbisë në këto dy pika”, ka thënë Molliqaj.

“Morëm garanca se nuk do të ketë bllokim të ardhjes së autobusëve prej qytetarëve dhe shteteve tjera. Pra, gjithë qytetarët e Kosovës dhe jashtë saj mund të vijnë lirshëm në aktivitetin e Lëvizjes”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës nuk ka njoftuar për takimin e as për marrëveshjen e arritur me Vetëvendosjen.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›