E Shtunë, 31 Tetor 2026

E kushtëzojnë me Kosovën

Analistë serbë tërheqin vërejtjen se Serbia do ta ketë të vështirë hyrjen në Bashkimin Europian pa zgjidhur problemet që ka me Kosovën. Sipas tyre, pas mbylljes së çështjeve me Tribunalin e Hagës, tani Kosova u shndërrua në prioritet Nga Express më 02 gusht 2011 në ora 11:16

Analistët e integrime evropiane në Serbi mendojnë se pa normalizimin e raporteve me Kosovën, Beogradi nuk mund të hyjë në Bashkimin Europian.

Analistët serbë thonë se situata e krijuar në veri vetëm sa forcon bindjen se rruga e Serbisë kah BE’ja kalon nëpër Kosovë.

Analistët serbë tërheqin vërejtjen se Serbia do ta ketë të vështirë hyrjen në Bashkimin Evropian pa zgjidhur problemet që ka me Kosovën.

Njohësit e proceseve integruese në Serbi thonë se sikur për çdo shtet, edhe për Serbinë, BE ka kërkuar zgjidhjen e problemeve hap pas hapi.

Sipas Aleksandra Joksimovic nga Forumi për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, sapo u mbyll çështja me Tribunalin e Hagës, pas arrestimit të Goran Haxhiqit, Kosova u shndërrua në prioritet.

“Bashkimi Europian deri më tash ka treguar mjaft mirëkuptim me qeverinë serbe kur është fjala për Kosovën. Beogradi është dashur të dijë se ekziston një kufi i durimit dhe nuk do të duhej që këtë durim ta vinte në sprovë. Mënyra se si reagon Brukseli kur kalohet ky kufi është parë me propozim-rezolutën e Serbisë pas opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Joksimovi për Radion Europa e Lirë.

Po ashtu, edhe profesori i shkencave politike në Universitetin e Beogradit, Predrag Simic, vëren se rrjedha e ngjarjeve pas arrestimit të Haxhiqit ka shkuar në atë drejtim, që Kosova të trajtohet me prioritet.

“Çështja e Kosovës shumë shpejt dhe në ditën e njëjtë kur është dorëzuar Haxhiqi është shndërruar në prioritet. Ka ardhur lajmi se dialogu është shtyrë për shtator, pastaj Prishtina ka vendosur embargon ndaj mallit të Serbisë dhe kishim ditët kritike në veri me aksionin e njësive speciale të Policisë së Kosovës në pikat kufitare, djegien e objekteve dhe krejt kjo mori përmasa dramatike”, thotë Simic, duke paralajmëruar për mundësi të incidenteve tjera.

“Frikësohem se në fillim të vjeshtës, kur të fillojë fushata zgjedhore, do të ketë incidente të reja, që janë mjete shumë të përshtatshme për të bërë presion mbi Beogradin në drejtimin në të cilat autoritetet në Kosovë do të dëshironin”, tha ai.
Prishtina dhe Beogradi kanë nisur bisedimet për çështje teknike nën ndërmjetësimin e BE’së në muajin mars. Por, ato u ndërprenë në korrik. Prishtina akuzoi Beogradin se u tërhoq nga marrëveshja për vulat doganore.

Pas kësaj shtyrjeje të dialogut, Qeveria e Kosovës mori vendim për të zbatuar masat e reciprocitetit ndaj Serbisë, duke ndaluar hyrjen e mallit serb, ashtu siç kishte bërë Beogradi me mallin kosovar që nga 2008’ta kur u shpall pavarësia.

Analistja Aleksandra Joksimovic mendon se Beogradi nuk është i gatshëm të arrijë me të vërtetë marrëveshje me Prishtinën.

“Në bisedimet aktuale, pozicioni i Beogradit është më i dobët. Para së gjithash për shkak se autoritetet qeveritare duan dialogun vetëm që të marrin statusin e kandidatit, e pa këtë status partitë në pushtet vështirë se do të fitojnë zgjedhjet”, thotë Joksimovic.

Ajo thotë se një gabim tjetër i Beogradit është se kërkesën e Brukselit për arritjen e rezultateve në dialog e merr si rritje të presionit, duke dalë pastaj me deklaratat për ndarjen e Kosovës dhe se Serbia duhet të jetë e gatshme për skenarë të ndryshëm, si ai i zëvendëskryeministrit Ivica Dacic.

Por, ideja e ndarjes së Kosovës, sipas profesorit Simic, është parë se nuk ka mbështetje në qendrat vendimmarrëse.

“Loja me ndarjen e Kosovës dhe lobimi i diplomacisë sonë në Washginton për këtë opsion janë treguar të pasuksesshme. Është treguar se këtë nuk e mbështet as Brukseli as Washingtoni. Që të dy palët kërkojnë zgjidhje përmes bisedimeve”, tha Simic.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›