20 vjet nga eksodi shqiptar në Itali

Bari përkujton në një javë eksodin e mbi 20 mijë shqiptarëve, që në 8 gusht të vitit 1991 zbarkuan në brigjet italiane. Një javë kushtuar pikërisht asaj kohe, por që do të shpërblehet me një Medalje Mirënjohje nga shteti shqiptar.
Lajmi konfirmohet nga gazeta italiane, La Repubblica, e cila i ka kushtuar një artikull të gjatë këtij eksodi.
Më 8 gusht të vitit 1991 shqiptarë të dëshpëruar zbarkuan me anije në portin e Barit. Ditë në të cilën kryeqendra pulieze u bë udhëkryq dhe shënoi një pikë kthimi në gjeopolitikën e Ballkanit.
Mikpritja ishte një shembull i patejkalueshëm, për të cilën qyteti do marrë Medaljen e Mirënjohjes nga shteti shqiptar, shkruan gazeta italiane.
Kujtesa nganjëherë mund të jetë një ushtrim kolektiv.
Kjo do të ndodhë në Bari, në përvjetorin e njëzetë të eksodit të mijëra shqiptarëve që u arratisën nga fuçia e barutit të Ballkanit nga vendi i shqiponjave, duke zbarkuar më 8 gusht, 1991, në Bari nëpërmjet anijes së tejmbushur, Vlora.
Që me ardhjen e tyre, qyteti i Barit i kryesuar nga kryebashkiaku, Enrico Dalfino, dëshmoi një gatishmëri të paprecedentë humanitare për të pritur këta njerëz, para se vetë qeveria italiane të kuptonte se çka po ndodhte atje.