E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkoi tek e motra për pushime, mbytet në Vjosë 20-vjeçari fierak

PERMET- Një 20-vjeçar nga Fieri u mbyt pasditen e djeshme në ujërat e lumit Vjosë. Mësohet se viktima, Selman Hoxha, kishte shkuar me pushime në Përmet, në familjen e motrës së tij që ishte e martuar në këtë qytet. Bashkë me dy shokë të tij, nga qyteti i Përmetit, ai ka shkuar dje në mesditë për tu larë në lumin e Vjosës, pranë vendit të quajtur Skutaraq. Pasi ka notuar për disa minuta, 20-vjeçarin e ka marrë rrjedha duke e zhvendosur larg dy miqve të tij. Këta të fundit nuk kanë mundur ti përgjigjen në kohë thirrjes për ndihmë, pasi Hoxha po zhvendosej nga rrjedha. Ata e kanë parë në një moment ku ai është fundosur në thellësi. Rreth 100 metra më poshtë, lumi e ka nxjerrë trupin e 20-vjeçarit në sipërfaqe, por më pas e ka marrë përsëri në thellësi për të mos e nxjerrë më. Dy dëshmitarët e ngjarjes janë munduar fillimisht të shkojnë drejt vendit, por ata nuk e kanë parë më 20-vjeçarin Hoxha në sipërfaqe. Të ndodhur në këto kushte, ata sinjalizuan menjëherë policinë. 10 forca të Policisë të mbështetur më pas edhe nga polumbarët e forcave RENEA, si dhe disa banorë të zonës, janë duke kryer kërkime për gjetjen e trupit të 20-vjeçarit Selman Hoxha, por ende pa rezultat. Kërkimet po vijojnë në të dyja anët e lumit, si dhe në disa gropa të thella të Vjosës. Por, deri në orët e vona, trupi nuk u gjet. Ngjarja me të riun fierak shënoi ngjarjen e parë në këtë fundjavë të mbytjeve. Në javën e kaluar, një i ri nga Gjirokastra dhe një i moshuar në Durrës u mbytën në ujërat e Jonit dhe të Adriatikut. 19-vjeçari nga Gjirokastra, punëtor i një mobilierie, u fut të freskohej bashkë me dy shokë të tij në Sarandë, pasi kishin punuar gjithë ditën me instalimin e disa mobilierive. Por, ai nuk mundi të dilte më i gjallë. Ndërsa në Durrës, një 60- vjeçar gjeti vdekjen dhe u zbulua në ujë nga plazhistë të tjerë. Dyshohet se viktima është mbytur për shkak të një ataku kardiak në momentin e kontaktit me ujin. Disa ditë më parë janë shënuar të tjera tragjedi të mbytjeve, ku vetëm brenda një ditë gjetën vdekjen tre fëmijë 10-11 vjeç. Një prej viktimave u mbyt në Berat, ndërsa dy të tjerë, kushërinj të parë me njëri-tjetrin, u mbytën në Martanesh në një gropë që kishte hapur një firmë ndërtimi.                p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›