Përmbytjet, banorët e Trushit në protestë

Banorët e fshatit Trush, dje në protestë
Vonesa e marrjes së parave të dëmshpërblimit të përmbytjeve në Shkodër ka çuar në protestë sërish banorët e fshatit Trush. Dhjetëra banorë të këtij fshati u vendosën dje në një anë të rrugës nacionale Shkodër- Velipojë, ndërsa kërkuan paratë e dëmeve si pasojë e përmbytjes. Protesta u zhvillua paraditen e djeshme, pikërisht kur dhe fluksi i lëvizjes së makinave në këtë aks rrugor është shumë i madh, pasi destinacioni i qytetarëve në këto ditë të nxehta është plazhi i Velipojës. Banorët kishin paralajmëruar që një javë më parë se do të kishte një zhvillim të tillë ditën e diel. Me anë të një shkresë zyrtare, ata shpreheshin se nuk mund të presin pafundësisht për të marrë paratë që iu takojnë sipas një VKM-je. Dalja jonë në rrugën nacionale me parulla është vetëm hapi i parë i një proteste që do të nisë në masë edhe më të gjerë nëse nuk do të merren masa për të na shpërndarë paratë. Banorët e Nënshkodrës kanë kohë që presin për të marrë paratë që u takojnë dhe që u janë premtuar. Askush nuk dëgjon asnjë kërkesë tonën për përmbytjen e dy viteve më parë, u shpreh njëri nga banorët e fshatit Trush. Kjo e diel ka shënuar fillimin e protestave, pasi sipas banorëve, në rast se kërkesa e tyre e ligjshme nuk do të merret në konsideratë, ata do të vazhdojnë përshkallëzimin e protestave deri edhe me bllokim të rrugës Shkodër-Velipojë. Tashmë që sezoni turistik ka filluar, aksi që lidhet me Velipojën është mjaft i frekuentuar, jo vetëm nga banorët e zonës, por nga qindra turistë nga i gjithë vendi dhe të huaj. Protesta e djeshme u vëzhgua nga forcat e Policisë pasi mendohej se do të bllokohej rruga, por dje banorët qëndruan në anë të rrugës dhe nuk e bllokuan për asnjë moment atë. Zona e Trushit në Nënshkodër është më e prekura nga përmbytjet. Në fund të 2010-s dhe në fillim të 2011-s, në qarkun e Shkodrës u shënuan rreth 8 mijë banesa të përmbytura, 16 mijë ha tokë e përmbytur dhe 35 mijë bagëti të ngordhura. Kjo situate u quajt si një katastrofë dhe dëmet e shkaktuara prej saj ishin mjaft të rënda.
SHKODER/ RIDVAN DIBRA