E lindur më 7 prill
Ajo ka lindur ekzaktësisht si dje e 69 vite më parë, në ditën më kobzezë të historisë së kombit, në atë ditë që do të shënohet gjithmonë në almanakë si pushtimi fashist i Shqipërisë. Natyrisht që vetë nuk mban mend asgjë, por në kujtimet e mëpastajme, të rrëfyera nga goja e prindërve, Zyrafete Puka ka mësuar gjithçka mbi historinë e ditës ku doli në dritë si edhe mbi peripecitë që ka hequr familja e saj për t'i shpëtuar bombardimeve të avionëve italianë që fluturonin mbi qytetin e saj të lindjes. 69-vjeçarja, sot gjyshe me nipër e mbesa, ka lindur në qytetin e Kukësit, nga prindër me prejardhje nga Kosova, pikërisht më 7 prillin e errët të vitit të largët 1939. Kjo ditë e zezë për shqiptarët, u bë edhe shkak që Zyrafetja e vogël, të regjistrohej në gjendjen themeltare shumë më vonë se dita e saj e vërtetë e lindjes. Me sa i ka thënë, nëna më vonë, ajo është shënuar në regjistrat e kohës vetëm me datë 20 prill. Arsyeja ishte shumë e thjeshtë; menjëherë sapo Mbreti Zog u arratis nga Shqipëria, fill pas pushtimit fashist, administrata pushoi së punuari. Në ato ditë të zymta për fatet e vendit, askush nuk e kishte terezinë të merrej me çështje të tilla, qoftë edhe me regjistrimin e lindjeve. "Unë kam lindur më datë 7 prill 1939 dhe fillimisht më kanë regjistruar në administratë sikur kam lindur më datë 20 prill të po këtij viti. Më pas kur u bë edhe një regjistrim i dytë nga nxënësit e shkollave, që ndihmonin Këshillin e Lagjes, unë jam shënuar sikur kam lindur më 20 qershor. Në fakt kur e pashë këtë gjë, ishte shumë vonë dhe nuk kisha se çfarë të bëja. Kështu që u detyrova të pranoja datëlindjen e vënë nga nxënësit, por që në të vërtetë ditëlindja ime e saktë ishte 7 prill 1939". Zyrafetja nuk kujton asgjë nga lufta, e vetmja gjë që ajo di janë kujtimet e prindërve, dhe konkretisht të nënës së saj Nazes, e cila i ka rrëfyer edhe mbi ndodhitë e ditës kur ka lindur.
"Nëna më ka thënë më vonë, se pasi italianët pushtuan me radhë qytetet shqiptare, u drejtuan më së fundi edhe në Kukës, në qytetin ku ne jetonim. Atë ditë, kur italianët filluan bombardimin e qytetit, babai im kishte ftuar për drekë disa miq të tij. Nëna më ka rrëfyer, se në kohën që po përgatiste tavat me ëmbëlsira, se atëherë gatuanin me saç, u dukën në qiell edhe avionët e parë italianë. Menjëherë babai, gjithmonë sipas tregimeve të nënës, u fut brenda në shtëpi dhe e lajmëroi të mblidhte fëmijët dhe plaçkat dhe të dilte menjëherë nga shtëpia, pasi kishin filluar bombardimet." Të gjithë ashtu siç ishin, vetëm me rrobat e trupit, banorët e Kukësit, u vendosën në rresht për një për t'u strehuar në malësinë aty pranë. Të vetmit që qëndruan në qytet, sipas rrëfimeve që nëna i ka thënë Zyrafetes, ishin burrat, të cilët kishin vendosur të mbronin shtëpitë nga hajdutët. "Më tej nëna më ka rrëfyer që na mblodhi neve 5 fëmijëve, unë sapo kisha lindur, dhe shkoi bashkë me banorët e tjerë në fshat, kurse babai ndjeji në qytet me burrat e tjerë. Të gjithë në rresht për një u drejtuam drejt Krumës. Rreshtin e printe një burrë në krye dhe një në fund. Kush i paushqyer, kush i ç'veshur, kaluan nëpër male, duke mërdhirë. Banorët, sipas nënës, ikën nga qyteti që të mos vriteshin. Lanë atje gjithçka". Gjithmonë duke ndjekur rrëfimin e nënës së saj, Zyrafetja, sqaron më tej se për të shkuar në atë kohë në fshatin Krumë, duhej të paktën një ditë në këmbë. "Kemi shkuar në Krumë vetëm me rrobat e trupit. T'u ec, e t'u pushu. Kush me bukë e kush pa bukë, shkuan nëpër fshatra. Në qytet mbetën vetëm baballarët tanë të armatosur. Për fat të mirë, nëna më ka treguar se përveç bombardimeve, këmbësorët italianë që hynë në qytet nuk hapën zjarr, kjo për të mos acaruar gjendjen". Më pas askush nuk e di çfarë është bërë në qytetin e pushtuar nga forcat italiane. Prindërit e Zyrafetes janë kthyer në Kukës vetëm pas stabilizimit disi të gjendjes. "Ne kishim një shtëpi shumë të mirë për kohën. Babai im ishte tregtar mishi. Ai kishte shtëpi si në Gjakovë, Prizren, ashtu edhe në Kukës. Shtëpia jonë ishte dykatëshe, me dy dhoma, një sallon dhe poshtë tyre dy bodrume. Njërin prej bodrumeve familja ime e përdorte gjatë verës. Aty ishte edhe oborri ku nëna ime, atë ditë që nisën bombardimet, kishte vendosur byrekun dhe ëmbëlsirën që të mos prisheshin nga vapa". Dhe pikërisht, njëra nga bombat e lëshuara nga avionët italianë, kishte qëlluar të binte pikërisht mbi tepsinë e ëmbëlsirës, si për të shënuar fundin e ditëve të paqta për banorët e Kukësit dhe jo vetëm. Fill pas bombardimit, shtëpia e Zyrafetes së vogël ishte kthyer në vendqëndrimi për italianët, ndërsa ajo së bashku me familjen prej 7 anëtarësh duhet të vazhdonte të ruante kokën në Kosovë. "Unë luftë me sy nuk kam parë. Deri në përfundim të saj unë kam qenë në Kosovë me familjen. Unë mbaj mend vetëm që në moshën 5-vjeçare kemi shpëtuar nga bombardimi i një avioni, që nuk e di se kujt i përkiste, kot fare. Në atë kohë, familja ime rrinte në shtëpinë që kishim në Gjakovë, e cila rrethohej nga 7 komshinj, që komunikonin me njëri-tjetrin me anë të një dere të vogël brenda avllive. Mbaj mend që oborri i shtëpisë sonë kishte një man të madh, aq sa degët e tij ishin gati sa një dhomë. Të gjithë komshinjtë sapo panë avionin, u futën poshtë manit. Duhet të ishim të paktën nja 50 vetë. Për fat aviatori, megjithëse kaloi sipër tjegullave të shtëpisë, nuk na pa që ishim fshehur poshtë manit. Aty, pasi avioni qëlloi kalldrëmin e shtëpisë, kam parë për herë të parë bombardim më sy". Ky është edhe kujtimi i vetëm që Zyrafetja mban mend nga periudha kur Shqipëria gjendej nën pushtimin italian e më pas gjerman. Tashmë që nga ajo kohë kanë kaluar plot 69 vite. Familja e saj u kthye në Kukës, vetëm pas çlirimitNë vitin 1956, Zyrafetja vjen nuse në një familje me tradita qytetare në Tiranë, martesë nga e cila solli në jetë 3 fëmijë, dy djem dhe një vajzë. Më tej për 20 vite me radhë, deri në ndërrimin e sistemeve, gruaja që lindi në ditën e mallkuar për shqiptarët, punoi në Ndërmarrjen Gjeologjike në Tiranë, në repartin special të lapimit të pistoletave të minatorëve Tashmë gjyshe me nipër e mbesa, Zyrafetja, gëzon e qetë pensionin së bashku më bashkëshortin e saj, ndërkohë që thotë se nuk e ka festuar kurrë ditëlindjen e saj të vërtetë dhe nuk do ta bëjë një gjë të tillë sa të jetë gjallë.