E Diel, 1 Nëntor 2026

"Shes veshkën 160 mijë EUR, që vajza ime të jetojë si të tjerët"

 

SHËNIM I REDAKTORIT: Artikulli i mëposhtëm na është dërguar nga lexues Isuf Zherja shoqëruar me shënimin: "Në këtë denoncim të bërë nga gazetari J.Musliu, gazeta "Express" (KS), tregohet ma së miri situatat e varfërisë në Kosovë dhe sfidat që na presin".

B.S., nga një fshat i Vushtrrisë, ka marrë vendimin përfundimtar. Ai ka vendosur të shesë njërën nga veshkat e tij. B.S., beson se nuk ka më asnjë rrugë tjetër për të shpëtuar nga gjendja e vështirë ekonomike, në të cilën ndodhet familja e tij.

"Këtë e kam vendosur. Nuk është e lehtë. Ai që ofron 160 mijë euro, duke përfshirë edhe shpenzimet mjekësore, e ka të sigurt veshkën time",- thotë B.S. Ai, gruaja e tij dhe vajza E.S., 15-muajshe, jetojnë si të mundin. Tash kanë dy javë që janë vendosur në Prishtinë, në lagjen "Kolovicë", në një shtëpi të vjetër njëdhomëshe. Ai ka vendosur që shumë më shpejt të shesë veshkën e tij, për të përmirësuar gjendjen e tij të rëndë ekonomike. Qiraja e shtëpisë ku jeton B.S., dhe familja e tij, është 110 euro në muaj, ndërkohë që babai, vëllezërit dhe motrat, thotë se nuk duan të dëgjojnë për hallin e tij.

"Unë nuk u kam bërë asgjë. Si fëmijë kam punuar në tregun e Vushtrrisë me karrocë për t'iu ndihmuar. Babai ka qenë kumarxhi",- tregon B.S. Ai ka edhe një vëlla në Prishtinë, i cili nuk e ka gjendjen e mirë ekonomike, ndërkohë që një vëlla dhe motër që ka në Zvicër, thotë se nuk duan të dëgjojnë për të.

"Dua që vajza ime të jetojë si duhet, të ketë shtëpi. Për mua nuk është me rëndësi jeta", thotë ai, i bindur se është duke bërë gjënë e duhur. Edhe pse është vetëm 30 vjeç, jetën e tij, B.S., e përshkruan si një libër që në asnjë faqe të tij nuk ka diçka të mirë apo të gëzuar. "Kam jetuar në Mal të Zi, Bosnje, Novi Pazar, Vushtrri e tash në Prishtinë. Sikur të merresha me hajni, ndoshta nuk do të isha në këtë gjendje",- shprehet B.S.

Gruaja, e cila nuk dëshiron t'i publikohet emri, ka kryer shkollën e lartë për mësim klasor, por thotë se nuk mund të hyjë në punë, ngase duhet pasur njerëz të njohur. Ndërkohë, B.S., tregon se për të shitur veshkën e tij, do të bëjë marrëveshje përmes avokatit dhe gjykatësit, në mënyrë që të mos ketë më probleme.

Shitja e veshkave në Kosovë për qëllime përfitimi ekonomike ka filluar të rritet, ndërkohë që çmimet janë të ndryshme. Rasti i fundit është në Gjilan, kur një person ka ofruar veshkën e tij për një shumë prej 70 mijë Euro, ndërkohë që çmimi për këtë organ vazhdon të rritet.

Aktualisht, vendi ka një shkallë shumë të lartë të papunësisë që jo zyrtarisht llogaritet të jetë mbi 50 për qind, ndërkohë që sipas zyrtarëve përkatës, ajo është në shifrën prej 40 për qind. Por në bazë të një raporti të publikuar të enjten nga Banka Botërore, varfëria në shtetin më të ri të Evropës, në krahasim me vendet e tjera të këtij kontinenti, është shumë e lartë. Ministri i Shërbimeve Publike, pas publikimit të këtij dokumenti, ka deklaruar se Qeveria do të hartojë strategji afatgjate. Derisa të realizohet strategjia e ministrit, B.S., ka gjetur strategjinë e tij për të dalë nga fukarallëku.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›