E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Vetëdije për lugën e zbrazur dhe mos harroni: Drejtësi për Gërdecin!"

 

 

Mos vallë, Samiti i NATO-s duhet të na bëjë që tragjedia e Gërdecit të harrohet dhe viktimat të lihen në harresë? Natyrisht që marrja e ftesës për në NATO pati dhe ka rëndësinë e vet, por në asnjë mënyrë ajo nuk është licencë që shteti ynë të vazhdojë të udhëhiqet drejt "harresës" se çfarë ka ndodhur apo çfarë ka bërë në dëm të qytetarëve të vet.

Mendoj se Gjermania nuk është më pak e zhvilluar në mentalitet, apo aspekt tjetër, kur Kancelarja gjermane kërkon falje për viktimat e Holokaustit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ndërsa pushtetarët tanë vrasin dhe dëmtojnë qytetarët e tyre dhe nuk denjojnë as të kërkojnë falje publike. Kudo nëpër media sot na trumbetohet nga politikanët NATO! NATO! NATO! dhe qytetarët e Gërdecit harrohen. As protestat e vakëta të opozitës nuk po bëjnë efekt mbi asnjë dhe asgjë. Kryeministri na thotë se ishin arritjet dhe përparimet e bëra nga Shqipëria, të cilat bënë të mundur marrjen e ftesës. Ok! Por nuk duhet harruar që dhjetëra njerëz vdiqën nga moszbatimi i këtyre reformave të "arritura", mijëra të tjerë janë akoma në qiell të hapur dhe në mes të katër rrugëve. Atëherë, ku janë reformat e "arritura" që qeveria i valëvit me shumë fuqi?

E morëm këtë ftesë sepse kishim atë mbështetje të SHBA-së, që e dimë të gjithë. Sigurisht që shija e kësaj ftese do ishte krejt ndryshe nëse vërtet do ta meritonim. Ndaj, Qeveria në veçanti dhe klasa politike në përgjithësi, të mos gënjejë as veten e as ne me lugë të zbrazur.

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›