E Diel, 1 Nëntor 2026

E lumja Shqypni, kush të ka qit’ me krye n’hi?

Sigurisht qe qeveria jone demokratike, jo se jo! Te tana qeverite e meparshme, po se po! Dhe as mos guxoje kush te thote se është fajtore qeveria aktuale që ikën dritat për mbi një orë në stadiumin “Qemal Stafa”, teksa një skuadër province (e Ersekës) po luante futboll për dy milionë e gjysmë euro me galaktikët e Realit të Madridit! As mos e shkojë kush ndërmend se është faji i qeverisë që pikërisht kur luhej kjo ndeshje, e cila me siguri do të hyjë në histori, një avion që ishte nisur nga Rinasi po endej nëpër qiell si çifuti në shkretëtirë ngaqë kishte defekt. Apo mos dyshoni se ka ndonjë faj qeveria që edhe para disa ditësh, një tjetër avion, i së njëjtës agjenci, me 110 shqiptarë në bord ndërroi drejtim dhe u ul në Bratislavë, sepse kishte defekt!? Nj’ashtu si për Gërdecin, nj’ashtu si për përmbytjet në Shkodër, edhe për këto raste fatkeqe (të shkaktuara ca prej natyrës, ca prej gabimit njerëzor), qeveria ka meritën se i menaxhoi mrekullisht situatat tejet të vështira! Ne shqiptarët tashmë mund të krenohemi se kemi një qeveri të menaxhimit të suksesshëm të vdekjeve, të ditës së zisë kombëtare, të katastrofave, të hedhjeve në erë me dinamit të zonave të banuara, të përmbytjeve të çerekut të vendit nga digat, të defekteve të avionëve në qiell, të ikjes së dritave jo vetëm në shtëpia, por edhe nëpër stadiume kur luajnë skuadra me famë botërore! Më e rëndësishme pra, është se në asnjë nga këto aksidente të pashembullta nuk pati humbje njerëzore, se as Kaka, as Ronaldo, askush nga lojtarët spanjollë nuk pësoi ndonjë tronditje psikike a ndonjë goditje të dhunshme nga tifozët e mërzitur! Edhe pasagjerët që u rrëmbyen nga pilotët sllovakë nuk pësuan ndonjë tronditje kushedi çfarë!...Por, edhe defekti i dritave në stadium u riparua shpejt, ndeshja nuk u pezullua, “kupa” më në fund iu dorëzua kapitenit Raul nga Taçi, drejtori i stadiumit për dhjetë minuta u shkarkua, avionët nuk u rrëzuan, e mbi të gjitha, Shqipëria, natyrisht pas Haitit, u bë edhe një herë tjetër “lajm” kryesor nëpër botë, domethënë nuk u la të harrohej nga të gjitha agjencitë e mëdha të botës! Mos ju duket ky një sukses i vogël? Një Shqipëri që nuk harrohet e që mbetet në qendër të vëmendjes së botës është ku e ku më mirë, më demokratike, më evropiane, më e hapur e rrjedhimisht, edhe më e lumtur se një Shqipëri e lënë mënjanë, e braktisur. A mund të përfytyrohej në të kaluarën tonë të largët, apo n’daç edhe të afërt (para vitit 2005, d.m.th para se të vinte Berisha në pushtet), që në këtë stadium, që ende mban emrin e një komunisti, të luante Milani i Berluskonit dhe tash edhe Reali mbretëror i Madridit, dhe Shqipëria, dikur aq e varfër, sa vuante për bukën e gojës, të paguante për këto ndeshje të mrekullueshme dhe “historike”, pa iu dridhur dora, disa milion euro? Cili vend në Ballkan e më gjerë mund të bëjë të tilla veprimtari kaq madhështore e të kushtueshme, për të cilat na ka zili e gjithë bota? Pa pikë dyshimi, këto janë arritje e fitore të cilat vetëm dashakeqët dhe nostalgjikët e diktaturës mund t’i mohojnë. Prandaj, edhe fikjen e dritave në stadium lipset ta shohim me këtë sy, si një arritje, si një tjetër sukses; sepse, tekefundit edhe kjo ngjarje aksidentale (apo mos është sabotuese?), ndonëse në pamje të parë mund të duket paksa e hidhët e dëshpëronjëse për naivët, në të vërtetë nuk është e tillë, pasi buja dhe fama e Shqipërisë kësaj here do të jenë në një shkallë akoma më të lartë se Gërdeci, se përmbytjet e Shkodrës e se aventurat me avionë të prishur e të rrëmbyer nga vetë pilotët...! Madje, nami i Realit që mbeti mbi 90 minuta në terr në Tiranë, që lojtarët më të famshëm të saj mbetën karkacul në dhomat e zhveshjes pa ditur se ç’po bëhej e ç’po ndodhte në këtë vend të “botës së tretë”, është më rrëzëllitës edhe se bojkoti i opozitës!...Sepse, tanimë nuk ka tifozë në botë që pas kësaj ngjarjeje të rrallë të mos e dijë ku ndodhet në hartë Shqipëria, se ku është ky kryeqytet që quhet Tiranë, në ç’gjendje është shoqëria shqiptare e për më tepër, nga kush drejtohet ky shtet i fuqishëm që luan edhe pa drita me Realin, e që njëkohësisht synon të bëhet anëtare me të drejta të plota edhe e BE-së! Nuk ka investim më të madh se ky!...Në botën e sotme, ku reklama nganjëherë peshon më shumë se malli që propagandon, ndoshta ia vlen të kërresh vetë edhe një sy, mjaft që të bëhesh i shquar, i famshëm dhe i njohur. A nuk pagoi Ministria jonë e Kulturës dhe Turizmit qindra mijë dollarë për një reklamë për turizmin në ‘CNN’?...E pra, ikja e dritave teksa luante Reali në Tiranë, në fund të fundit ishte një tjetër reklamë falas për të lumen Shqipëri! *** Para disa muajsh botova një shkrim ku thosha se fajin për përmbytjet në Lezhë e kanë hidrovoret...Kur ndodhën më pas përmbytjet në Shkodër, m’u duk se fajin e kishte administrata jonë e paaftë, partiake, e korruptuar si dhe largimi i specialistëve... Me të drejtë u sulmova andej-këndej nga hakersat pëdëistë të internetit, si një nostalgjik që mohoja sukseset e pamohueshme të qeverisë, e konkretisht të kryeministrit Berisha, i cili, sipas logjikës së tyre të mbrapshtë: “u dashka të shmangë edhe shirat, edhe tërmetet”... Tani mund të them me zemër në dorë se përnjëmend e kam pasur gabim, o bashkatdhetarët e mi të yshtur nga Berisha! Tash edhe unë jam më se i bindur që kryeministri ynë karizmatik ndihet dhe është aq i fuqishëm, sa ai sinqerisht beson se edhe tërmetet, edhe reshjet, edhe rrebeshet, edhe stuhitë, edhe kompromiset, edhe emërimet, edhe shkarkimet, edhe hapjet e portave të digave, edhe hapjet e kutive të votimit, edhe bojkotin, edhe vendimet e gjykatave e të opozitës, edhe dritat e shtëpive tona e të stadiumeve, edhe defektet e avionëve, edhe të ardhmen tonë...të gjitha këto i ka ai dhe vetëm ai në dorë! Ai paska në dorë edhe futjen ose jo të opozitës në Kuvend. Ai ka në dorë stabilitetin në Shqipëri, në Ballkan e më gjerë... Nisur nga kjo bindje, dikush pardje më tha me zë të ulët në vesh: pse nuk na e marrin ndërkombëtarët Berishën me gjithë qeverinë ta çojnë të menaxhojë situatën e vështirë në Haiti, që ne të biem ca ditë rehat? Jo, i thashë, se ndërkombëtarët kanë hallin e stabilitetit tonë! Se, a mund të ketë stabilitet këtu pa Berishën?... A nuk është e vërtetë që stabilitetin ndër ne e ka dorë pikërisht ai që është i aftë të shkaktojë sistematikisht destabilitet?... Ke të drejtë, tha miku im... Andaj duhet thënë: të lumët ne ndjekësit e tij që jemi kaq të kënaqur e si lum kjo Shqypnia jonë që nuk i ka më kryet në hi, po në ujë, në pasiguri, në konflikt, në sherr, në shkatërrim, mbi dinamit e në miliona euro e dollarë që fluturojnë përherë në drejtim të paditur e që bujarisht dalin nga xhepat tanë për të dëmshpërblyer apo për të shpërblyer tender-marrësit e hidrovoreve që nuk punojnë, të argjinaturave që nuk ekzistojnë, të rrugëve që asfaltohen e që i merr shiu, të avionëve që nuk dihet ku shkojnë...të ‘Bechtelit’, të Milanit e të Realit, etj, etj...Jemi ne që paguajmë rregullisht taksat dhe faturat, jo vetëm për ata që nuk paguajnë, po edhe për ata zyrtarë të lartë që bëjnë zarare kombëtare, duke na përsëritur më pas me mburrje fjalët “humane”: “qeveria ime do të dëmshpërblejë një për një të përmbyturit”... Por fjala “dëm” e lidhur me fjalën “shpërblim”, këto ditë ngjan si të kërkosh pajtimin e viktimës me vrasësin. Por, në fund të fundit, a nuk është e njëjta gjë si të vësh të luajë Gramozin me Realin e pastaj të ikin dritat, e këtë ta quash sukses?! E pra, dëmi me shpërblimin tani po luajnë futboll edhe në stadiumin “Qemal Stafa”! Skuadra e dëmit e ka emrin Gramoz, e shpërblimit: Real! *** Ja përse për të ilustruar të vërtetën e çudi-mrekullisë shqiptare shërben edhe ngjarja me Realin... Kështu, para se të luante Reali e të iknin dritat, një tjetër skandal ishte bërë problem ndërkombëtar po në këtë stadium: lojtarët danezë që kishin luajtur në “Qemal Stafa”, nuk kishin pasur mundësinë më minimale të laheshin në dushe pas ndeshjes, ndaj edhe ikën andej nga kishin ardhur pa u larë...Por, ja ku doli në media drejtori i stadiumit dhe e mohoi këtë “gënjeshtër”, që u bë enkas për të prishur “imazhin e Shqipërisë” nëpër botë... E sigurisht që pas kësaj ai mbeti drejtor, pasi siç dihet, emërimi i tij, si i shumicës dërrmuese të drejtorëve anekënd Shqipërisë, është i pastër, një emërim (d.m.th shpërblim) politik. Nuk pinë ujë as ankesat e sportistëve të huaj, as kritikat e shtypit të huaj, as paralajmërimi i FIFA-s! Fakti që ky drejtor u la në detyrë edhe pas këtij skandali, nuk e bën me faj Dhalesin për ikjen e dritave, as për mungesën e një gjeneratori, as për këtë skandal të pashembullt, i cili në asnjë vend të botës së tretë nuk përfytyrohet se mund të ndodhë. Me këtë logjikë, nuk ka faj as Gjykata e Tiranës që para disa ditësh nuk guxoi të prekë Sefgjinin, po ka faj ai që e mban në detyrë, për të na bindur e për të na thënë: njerëzit që mbroj e që emëroj unë, as mos guxoni t’i prekni! As Gjykata e Lartë, që po luan “futboll” pa drita me çështjen e ‘Gërdecit’, as Prokuroria e Përgjithshme që rri e bën sehir e qetë se si po shembet jo vetëm tuneli, po edhe traseja e rrugës së kombit, nuk paskan faj... Ky vend ka një dhe vetëm një zot! Nuk e di si do të jenë ndjerë Ronaldo, Raul e Kaka, teksa prisnin me ankth në dhomat e zhveshjes të vinin dritat...Të kenë ndjerë frikë e të kenë menduar: ç’na u desh të vinim në këtë vend të çuditshëm? A thua t’i ketë vrarë ndërgjegjja: pse dhe si e bëmë ne këtë hata, të luajmë këtu, në këtë vend të errët e t’u marrim disa milion euro këtyre të mjerëve?! Jam i bindur se të gjithë lojtarët e Realit, po të kishin bërë një vizitë turistike në Ersekë, në kryeqytetin e skuadrës me të cilën luajtën, nuk do të pranonin të merrnin asnjë euro... Realistët dhe milanistët me siguri do t’i kishin dhënë ato para për të bërë autostradë rrugën që lidh Korçën me Ersekën, për të shpëtuar këtë zonë që e la të izoluar nga Shqipëria diktatura, por edhe ky palo sistem, që prodhon vetëm suksese dhe lumturi; e po të kishin kaluar nëpër Gërmenj e të shihnin se si pyjet me pisha që nga Qafa e Qarrit janë të sëmura e po thahen nga sëmundja e procesionares, po të shihnin se si fshatra të tërë janë shkretuar e braktisur, si askurrkund, po të shihnin se si banorët e mbetur të kësaj zone, që ka merita historike dhe aq shumë bukuri natyrore, janë lënë në një mjerim migjenian... ata me siguri do të prekeshin....Por, si mund të pretendojmë të mallëngjehen këta lojtarë, kur nuk u bën syri tërr atyre shqipfolësve që na drejtojnë. Kjo është çështja. Kjo është ajo që e bën edhe më të rëndë skandalin e ikjes së dritave në stadiumin “Qemal Stafa”. Apo mos vallë këtë “sabotim” e kanë bërë nostalgjikët e diktaturës, kur dëgjuan propozimin për t’i ndërruar emrin stadiumit? Mos ka ndërhyrë terrorizmi ndërkombëtar dhe qeveria jonë e shmangu gjëmën? Nuk është çudi edhe kjo! Mund t’i dëgjojmë këto ukubera nga ministrat e zëdhënësit e tyre këto ditë...Sepse, përherë fajin na e ka, në mos armiku i jashtëm, ai i brendshëm, që nuk e lë qeverinë tonë “demokratike” të punojë për të mirën tonë! E megjithatë, më duhet të them: faleminderit yjeve të Realit që nuk ikën nga sytë këmbët, po me një durim shembullor prej profesionistësh të vërtetë, edhe pse nuk e dinin se ç’do të bënte vaki nga minuta në minutë, ndenjën me ankth e shqetësim në pritje të dritave, për të vazhduar paskësaj pjesën e dytë të ndeshjes...Dhe, e fituan kupën, edhe pse nuk e dinin, e rrezik ende nuk e dinë, që emri Gramoz i skuadrës kundërshtare është emri i një mali në Juglindje... I një mali që shqiptarët e kapërcenin në diktaturë e tash edhe në demokraci për t’u arratisur për në Greqi. Kështu që edhe Reali na ndihmoi, natyrisht pa dashje, të arratisemi për pak kohë në... në një botë që nuk e di, e me sa duket nuk e kupton dot se ç’do të thotë të mbetesh e të jetosh kaq gjatë pa dritën e së vërtetës dhe të Drejtësisë! E pra, a mos po pyet kush, pas fikjes së dritave në stadiumin e kryeqytetit, se si po shkon halli i dy emigrantëve tanë të humbur pikërisht në këto ditë diku në malet e Gramozit a të Kapshticës?... Qoftëlarg, humbja e jetëve të tyre paska shumë më pak rëndësi se ikja e dritave në stadium, apo jo?!g.sh/BallkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›