Një fund, por jo fundi për lirinë e medies

Duke pushuar së dali në treg pas 11 vitesh
mbijetese, ne, pak gazetarët e mbetur në këtë gazetë, po aq pak sa kanë qenë
kur e nisëm, nuk ndjehemi të frikësuar për të ardhmen tonë personale, dhe as
jemi duke i kërkuar dikujt të solidarizohet me gjestin tonë pas mbylljes së
gazetës
Nga
Mero Baze*
Kjo është dita e fundit kur gazeta TemA do
të jetë në treg. Pas një përpjekjeje për të mbijetuar pas më shumë se një viti,
në kushtet e bllokimit arbitrar prej policisë dhe shkatërrimit të investimeve
të saj, situata financiare ka kaluar kufijtë e mbijetesës. Gjykata e Tiranës, e
cila duhet të shqyrtonte dhe për shkak të rëndësisë së ngjarjes me precedencë
padinë e ngritur ndaj Ministrisë së Ekonomisë dhe asaj të Rendit për shkatërrim
të pasurisë dhe investimit të bërë pranë ish-Tipografisë Ushtarake, ende nuk
kanë bërë seancën e parë të rregullt gjyqësore pas më shumë se një viti nga
koha kur është ngritur padia. Në këto kushte gazeta nuk mund të mbijetojë, po
të kemi parasysh, jo vetëm shkatërrimin e investimeve, por dhe mungesën e
reklamave dhe politikën e frikësimit që shteti ndjek ndaj bizneseve që
reklamojnë në gazetë. Kontrollet selektive financiare dhe presionet që nisin me
bilancet e gazetës prej vitit 2004, po ashtu e kanë forcuar klimën armiqësore
ndaj nesh.
Duke pushuar së dali në treg pas 11 vitesh
mbijetese, ne, pak gazetarët e mbetur në këtë gazetë, po aq pak sa kanë qenë
kur e nisëm, nuk ndjehemi të frikësuar për të ardhmen tonë personale, dhe as
jemi duke i kërkuar dikujt të solidarizohet me gjestin tonë pas mbylljes së
gazetës.
Jemi të vetëdijshëm se modeli i shpërblimit që
ka prodhuar qeveria Berisha me medien servile të saj, dhe modeli i ndëshkimit
që prodhoi me gazetën TemA, do ti rëndojnë gjatë në ndërgjegje shoqërisë
shqiptare që e pranoi dhe u konfirmua me këtë situatë.
E dimë që duke mbyllur këtë gazetë ne kemi
gëzuar shumë vetë dhe kemi mërzitur po aq shumë vetë.
Ne e dimë se sot do të gëzohen hapur ministra,
deputetë, biznesmenë të qeverisë, dhe gazeta-shkruajtës të qeverisë. Do të
gëzohen njerëz që gazeta ka denoncuar kur kanë prekur paratë publike, kur kanë
kapur shtetin, kur kanë vjedhur dhe kur kanë vrarë për të vjedhur. Do të
gëzohen përtej tyre dhe kolegë tanë gazetarë, nga ata që i bezdis fjala e
ashpër dhe e thënë drejtpërdrejt, nga ata që nuk duan ta shikojnë kurrë të
keqen që është përpara, por duan të gjejnë dhe një të keqe tjetër, që të
balancojnë kështu një mision të pakuptimtë në favor të status quo-së. Shpresoj
të qetësohet pas kësaj dhe ndonjë koleg, i cili në një seri sulmesh të liga
ndaj gazetës kohët e fundit, pyeste çdo ditë: Si ia dalin që nuk mbyllen? I
siguroj se dhe ne do të gëzohemi që ata ndjehen mirë me mbylljen e gazetës. Së
paku ia kemi dalë që në mungesë të frikës nga ligji, të kenë pasur një frikë
dhe makth nga media.
Por jemi të sigurt se shumë herë më tepër
njerëz do të mërziten. Do të mërziten lexuesit tanë besnikë të djathtë dhe të
majtë, që iu shtuan gazetës, sidomos kohët e fundit. Do të shqetësohen ata, që
shikojnë dhe kuptojnë se si mediet po bien një nga një dhe si po krijohet
pushteti i frikës ndaj fjalës së lirë.
Ne sot skemi shumë të drejtë tu japim
kurajë, por kemi guximin tu themi se do shikohemi përsëri në faqet e shtypit
shqiptar, të shpërndarë apo të ribashkuar dikur më vonë. E sigurt është se do
të vazhdojmë të shkruajmë përditë, do të përpiqemi të botojmë përditë, derisa
kjo gjë të jetë e mundur në këtë vend. Nëse bëhet e pamundur, atëherë nuk do të
jetë më faji ynë.
(*) Dërguar nga autori, pikëpamjet e shprehura janë personale