Dështimet për të kontrolluar SHISH

Një përpjekje për ndrysim në ligjin për Shërbimin
Informativ Kombëtar ka ngjallur dyshime të besueshme se kryeministri Berisha po
konsolidon një rrjet shërbimesh sekrete paralel me SHISH, duke anashkaluar këtë
institucion nga funksionet e tij, pasi ka dështuar në vendosjen e kontrollit
mbi të. Ndryshimet synojnë të fuqizojnë shërbimet e informacionit që varen nga
qeveria dhe që janë të shpërndarë në disa dikastere si polici, mbrojtje,
financa, etj.
Mero
Baze*
Kryeministri Berisha po përpiqet të krijoje
një infrastrukturë të re të shërbimeve të fshehta që kontrollohen prej tij,
pasi nuk ka mundur të fusë dot nën kontroll për shkak të legjislacionit dhe
presionit ndërkombëtar, Shërbimin Informativ Shtetëror. Me një strategji të
qartë injorimi dhe bashkëpunimi për mbi katër vjet, Berisha i ka humbur SHISH
rëndësinë si një institucion funksional në ndihmë të qeverisë, dhe ka reduktuar
potencialet e tij financiare dhe njerëzore, duke vënë në dyshim dhe luftën
kundër terrorizmit dhe bashkëpunimin me aleatët perëndimorë. Paralelisht me
këtë strategji injorimi dhe reduktimi të funksioneve të SHISH, Berisha rriti
rëndësinë e shërbimeve inteligjente që varen prej tij dhe që janë pjesë
funksionale e dikastereve të rëndësishëm si Mbrojtja, polica dhe financat. Në
të tri këto poste njerëzit kyçë që drejtojnë janë lidhje personale të Sali Berishës,
të cilët me ndryshimet ligjore të para disa muajve dhe fuqizimin e kompetencave
të tyre, kanë tani të drejt të survejojnë, dhe kontrollojnë bizneset mediat
dhe politiken për arsye te paqarta për opinionin publik. Kështu SHKB, shërbimi sekret
i policisë, drejtohet nga njerëz personal të Berishës dhe shërben si një
instrument kontrolli i tij mbi pjesën tjetër të Ministrisë. Edhe pse shpesh ky
institucion ka devijuar nga funksioni i vet, ai nuk ka pasur asnjë pasoje.
Detyra e tij kryesore është të përfaqësoj Berishën brenda policisë dhe ti
raportojë atij në mënyrë diskrete informacione të rezervuara. E njëjta gjë
ndodh dhe me SHIU, shërbimin informativ te Ushtrisë ku Berisha ka emëruar në
poste kyçe njerëz të familjes së tij, për ta përmbyllur këtë skemë me Task
Forcën e Ministrisë së Financave ku ka emëruar ish Gjeneral Agim Shehun, një
njeriu të përdorur prej tij si instrument ndaj kundërshtareve politik dhe në
periudhën para vitit 1997. Me këtë infrastrukturë private, që në të vërtet
zëvendëson shërbimin Informativ, Berisha ia ka arritur praktikisht të ndërtoj një
shërbim të shumëfishtë informative që varet dhe raporton vetëm para tij. Tashmë
pengesa e fundit është autoriteti i SHISH dhe atë po përpiqet ta denigrojë duke
e detyruar të raportoj para shërbimeve që varen nga kryeministri, duke
banalizuar funksionet e tij. Ky zhvillim është i rrezikshëm në një shtet, që është
arbitrar me ligjin, që ka demonstruar qartë se nuk respekton liritë njerëzore,
lirinë e shtypit, liritë politike dhe ato ekonomike. Po ti shtosh kësaj klime
dhe drejtimin e këtyre institucioneve me njerëz të familjes Berisha ose ushtarë
të bindur të tij, atëherë mund të themi pa frike se gjendemi pra një
infrastrukture antidemokratike, të krijuar me ligj për të formua një shtet
brenda shtetit, i cili funksion për llogari të pushtetit të kryeministrit Berisha.
Objekti i tij tashmë nuk janë më as pastrimi i pareve, as krimi i organizuar,
as lufta kundër terrorizmit, por përgjimi dhe përndjekja e gazetareve kritik, kundërshtarëve
politike të kryeministrit dhe bizneseve që nuk janë nën kontrollin e tij ose që
prishin planet e biznesit të familjes s së tij.
(*) Dërguar nga autori, pikëpamjet në shkrim
janë personale