Kur gjuha (s)shëron plagë
Që në kohërat e lashta, gjuha për njerëzimin ka shërbyer si një mjet për komunikim mes popujve, por në raste të veçanta ajo ka shërbyer edhe si mjet për ti nënshtruar popujt. Duke qenë pjesë e evolucionit njerëzor dhe social, më të fortit kanë tentuar që t’ua imponojnë më të dobëtëve gjuhën e tyre, me qëllim që kjo të jetë gjuha e përbashkët dhe gjuha e nënshtrimit. Por historia dëshmon se asnjëherë me forcë nuk është mundur të arrihet ky efekt, sepse kultura dhe tradita nuk mund të imponohen, por ato absorbohen vetëm me vullnet të lirë.
Gjatë shekullit të 20-të, shumë superfuqi Botërore u përpoqën ta impononin gjuhën e tyre si një mjet për komunikim global. Vendet e ish bllokut Sovjetik ua impononin vasalëve të tyre gjuhën Ruse, me shpresën se ajo një ditë do të bëhej gjuhë botërore në komunikimin global. Por me përfundimin e po atij shekulli, bashkë me bllokun sovjetik ra edhe ëndrra e Stalinit që Bota të fliste vetëm gjuhën sllave. Gjuha angleze zuri vendin e saj meritor dhe shekulli i ri (21) u zgjua duke folur anglisht.
Sot në Botë gjuhën e angleze e flasin më tepër se gjysma e popullatës së rruzullit tokësor dhe në plot kuptimin e fjalës anglishtja është kthyer në gjuhën e ardhmërisë.
Shumë shtete, në plan programet e tyre arsimore e kanë një rregullore që fëmijët pas gjuhës së tyre amtare, ta mësojnë edhe gjuhën e ardhmërisë – anglishten.
Sipas mendimit të shumë specialistëve dhe institucioneve që merren me edukimin e fëmijëve, filloristët kanë mundësi që përveç gjuhës amtare të mësojnë edhe një gjuhë të huaj. Çdo përpjekje për të futur edhe një gjuhë të tretë, do të sillte regres në arsimimin dhe edukimin normal të fëmijëve.
Kjo praktike e paraparë me ligj, aplikohet edhe në vendin tonë, Republikën e Maqedonisë, por fatkeqësisht, vetëm për nxënësit që gjuhë amtare e kanë maqedonishten. Ndërsa për të tjerët, për ata që quhen pjesëtarë të bashkësive etnike sipas ministrisë së Arsimit, gjuha maqedonishte është gjuhë zyrtare dhe ajo duhet të jetë si gjuhë e dytë për ta. T’ua mundësosh nxënësve maqedonas gjuhën e ardhmërisë dhe ti dënosh të tjerët që në vend të gjuhës së ardhmërisë të mësojnë një gjuhë e cila bën pjesë në grupin e gjuhëve që e flasin më pak se 3 milionë njerëz, është njësoj si t’i privosh këta fëmijë nga ardhmëria e tyre natyrore.
Jo rastësisht prindërit e nxënësve shqiptarë dhe subjektet politike shqiptare në vend, nuk mund të pajtohen me këtë politikë të imponuar nga Qeveria. Por edhe përkundër gjitha reagimeve dhe rezistencës, me një prepotencë të paparë dhe diktat të paskajshëm, Ministri i Arsimit Nikolla Todorov u deklaroi gazetarëve se: “Me ligjin që është në fuqi, përcaktohet se gjuha maqedonishte është gjuhë zyrtare e mbarë territorit të Republikës së Maqedonisë. Me të parashihet se pjesëtarët e bashkësive kanë të drejtë të mësojnë në gjuhën e vet amtare, por kjo nuk përjashton faktin që të mësojnë edhe gjuhën maqedonishte që në klasën e parë”.
Sipas një fjale të urte maqedonase, se “Bota është një fushë për gara, në spektrin kulturor mes popujve”, ministri Todorov na e bëri shumë të qartë neve, pjesëtarëve të grupeve – edhe pse sipas marrëveshjes (inekzistente) të Ohrit, ne kemi statusin e popujve, se prej ku do ta kemi startin në këtë garë.
Përderisa fëmijët maqedonas do ta fillojnë garën nga vija e startit, imagjinoni se prej ku duhet të startojnë fëmijët tanë në këtë garë. Kuptohet, do të jetë një garë “Fair Play”, e cila do t’ua shkon edhe ideve të komunistëve më të mençur të viteve ‘80 nga shekulli i kaluar, kur u munduan që gjuhën shqipe ta çrrënjosin nga ky nënqiell.
Ndërsa tani, pjesëtarët e grupit (popullit) shqiptar, gjuha e të cilëve bën pjesë në gjuhët që e flasin deri në 15 milion, si gjuhë të dytë duhet ta kenë gjuhën, të cilën e flasin më pak se 3 milion, në vend të gjuhës së ardhmërisë.
Ardhmëria e Maqedonisë kalon nëpër dyert e shkollave çdo ditë, ndërsa ardhmëria e shqiptarëve të Maqedonisë, edhe ajo kalon nga dyert e shkollave, por varet nga vendimet merren për ti shëruar plagët politikanët joshqiptarë.