Shqiptarët mes dilemës etnike

Regjistrimi i popullsisë mbi baza etnike dhe
fetare ka ngjallur debat në Shqipëri, duke rihapur çështjen e të drejtave të
njeriut dhe lirisë që qytetarët duhet të kenë, të mos deklarojnë përkatësinë e
tyre fetare apo etnike. Por qeveria dhe partia Bashkimi i të Drejtave të
Njeriut që mbrojnë këtë aksion, këmbëngulin po ashtu se duhen respektuar dhe të
drejtat e atyre që duan ta theksojnë këtë identitet të tyre. Debati zhvillohet
në një kohë kur vendi fqinj Greqia ka njoftuar se është e gatshme tu japë
shtetësinë emigrantëve shqiptarë që kanë origjinë greke, dhe kur ekspertët paralajmërojnë
një spekulim të mundshëm me identitetin për shkak të standardit të ulët
ekonomik dhe demokratik që Shqipëria ka në raport me vendet fqinje
Mero
Baze*
Debatin për rrezikun nga vetëdeklarimi i
identitetit etnik apo fetar, nuk e nxit as ksenofobia as ndonjë linjë e
urrejtjes raciste në Shqipëri, por standardi i ulët që shoqëria shqiptare ka
nga pikëpamja ekonomike, dhe liria e lëvizjes në raport me vendin fqinj,
Greqinë.
Pa dashur të hyj në argumentet e të dy palëve,
në atë të pakicës greke dhe qeverisë nga një anë dhe në atë të shumicës së
ekspertëve historianëve dhe ish-zyrtarëve të lartë të shtetit nga ana tjetër,
një gjë shihet fare qartë, se frika buron nga fakti se shumë shqiptarë për të
përfituar pasaportë greke, apo për të siguruar një liri lëvizje më të madhe do
të jenë të gatshëm që siç kanë ndërruar emrat në Greqi, të ndërrojnë dhe fenë
dhe identitetin e tyre etnik.
Kjo rihap një temë shumë delikate mbi vlerat
reale të shoqërisë shqiptare dhe teston në një farë mënyre dhe disa tipare të
deklaruara të shqiptarëve, siç është krenaria kombëtare, të cilat mund të vihen
në dyshim. Ky debat bëhet shumë social nëse fillon e krahason atë çfarë i ofron
një qytetari shqiptar, shteti i vet dhe atë çfarë i ofron shteti fqinj.
Shteti shqiptar i ofron varfëri, mungesë
personaliteti, arbitraritet, grabitje prone, dhunim të lirive njerëzore, lirisë
së shprehjes dhe lirisë ekonomike, ndërsa shteti fqinj, një vend anëtar i
Bashkimit Evropian ja ofron të gjitha këto mundësi, por e kushtëzon tek
identiteti.
Tanimë pyetja lind, a ja vlen që një shqiptar
mesatar, me njëqind probleme të tilla në vendin e vet, të hezitojë për të mos
deklaruar origjinë greke, në shkëmbim të gjithë standardeve të tjera pozitive?
Kësaj dileme është gabim ti përgjigjesh në këto kushte.
Është gabim, pasi në të gjitha rastet dikujt
duhet ti hysh në hak. Mbas të gjithash, kësaj pyetjeje nuk bën ti japë
përgjigje në këto kushte shteti shqiptar. Qeveria shqiptare është përgjegjëse
për varfërinë, dhe standardin e ulët të lirive që ka prodhuar për qytetarët e
saj.
Debati që ajo po hap është një debat luksoz,
të cilin ajo nuk e përballon dot. Përgjigjja ndaj këtij debati në këto momente,
do të jetë e gënjeshtërt, pasi qytetarët shqiptarë dhe këtu nuk kam parasysh
pak vetë, do të zgjedhin standardet e lirisë dhe mirëqenies, para krenarisë
boshe kombëtare në këto raste.
Prandaj do të ishte e udhës që ky debat të
shtyhej për më vonë, atëherë kur së paku shqiptarët, të kishin standarde të
krahasueshme me fqinjin tonë evropian.
Meqë konflikti real qëndron mes Shqipërisë dhe
Greqisë dhe problemi real është lëvizja e lirisë dhe varfëria, atëherë ky debat
duhet të hapet kur ne dhe Greqia të jemi në kushte të krahasueshme sa u përket
së paku këtyre dy fenomeneve.
Shqipëria duhet të fitojë njëherë të drejtën e
lëvizjes së lirë, me qëllim që shqiptarët të mos joshen sa i përket identitetit
vetëm për një leje qëndrimi dhe së dyti Shqipëria duhet të bëjë hapa serioze
drejt luftës kundër varfërisë dhe korrupsionit me qëllim që shqiptarët të mos
joshen për një copë bukë dhe një trajtim më dinjitoz nga shteti, në shkëmbim të
identitetit të tyre.
Kështu që është mirë që qeveria para se të
mendojë për një debat të tillë luksoz tani, le të punojë për liberalizimin e
vizave dhe luftën kundër varfërisë e korrupsionit për ti vënë qytetarët e saj
në pozita të barabarta me ata fqinjë. Dhe kur të jemi të barabartë, atëherë
jemi më të lirë dhe më të drejtë në zgjedhjen tonë.
(*) Dërguar nga autori, qëndrimet e shprehura
janë personale