E Diel, 1 Nëntor 2026

Intervista/ Luan Skuqi: Vullneti politik dhe reformat e qeverisë e nxorën Shqipërinë nga lista e zezë

Deputeti i PD-së Luan Skuqi, analizon situatën politike, në një intervistë ekskluzive për gazetën “55”


Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Skuqi në një intervistë për gazetën “55” ndalet në disa çështje kryesore të aktualitetit politik shqiptar. Qeveria Berisha, sipas tij, bëri të mundur me anë të reformave nxjerrjen e Shqipërisë nga harta e vendeve të përfshira në listën e zezë. Tërësia e këtyre reformave u karakterizua nga në nivel i lartë i vullnetit politik, përfshirë këtu edhe vullnetin e qeverisë për të bashkëpunuar me opozitën. Në sajë të këtyre reformave të ndërmarra nga qeveria në këto vite Shqipëria u rendit në krye të vendeve të botës për lirinë ekonomike dhe sjellje miqësore ndaj biznesit.


Nënshkrimi i marrëveshjeve midis vendit tonë dhe Italisë përbën edhe nismën e realizimit të një nga prioriteteve kryesore të qeverisë në lidhje me prodhimin e energjisë elektrike. Reformën elektorale deputeti Skuqi e konsideron si një domosdoshmëri për përjashtimin e një sërë fenomenesh negative që kanë shoqëruar proceset zgjedhore. Kodi i ri Zgjedhor, shprehet më tej Skuqi, për herë të parë realizon barazinë e peshës së çdo votë, zhduk fenomenin Dushk dhe detyron përfaqësimin e grave duke vendosur një kuotë të caktuar.


Si i vlerësoni reformat e ndërmarra në fusha të ndryshme nga qeveria Berisha në këto tre vite?


Para se të flas për reformat e ndërmarra nga qeveria Berisha desha të përshkruaj shkurtimisht situatën në të cilën ndodhej vendi në vitin 2005 kur ne erdhëm në pushtet. Është e njohur nga të gjithë se vendin në vitin 2005 e drejtonte një qeveri e kapur nga krimi. Sipas statistikave dhe analizave të bëra edhe nga partnerët tanë ndërkombëtar rrënjët e krimit shtriheshin deri në sferat e larta të administratës shtetërore. Ekonomia e vendit ishte e mbërthyer nga monopolet,të ardhurat nga tatimet dhe doganat përfundonin në xhepat e qeveritarëve të asaj kohe dhe ligjin e bënte rruga. I damkosur nga këto akuza, për vendin tonë ishin ngrirë të gjitha proceset integruese duke e lënë atë jashtë dyerve të Evropës. Në këto kushte, qeveria e Berishës duhet të përcaktonte rrugën për nxjerrjen e vendit nga kriza dhe kjo rruge ishte ajo e reformave të thella e të gjera në të gjitha fushat e jetës së vendit. Këto reforma konsistonin në nxjerrjen e qeverisjes nga konflikti i interesit në zhdukjen e monopoleve,në realizimin e një revolucioni të vërtetë fiskal, në reformimin e drejtësisë, në forcat e armatosura, në fushën e rendit, në sistemin zgjedhor etj. Të gjitha këto reforma u shoqëruan nga një vullnet i qeverisë për bashkëpunim me opozitën dhe zero tolerancë ndaj krimit e korrupsionit. Këto reforma, ky vullnet politik nxori përfundimisht Shqipërinë nga harta e vendeve të zeza të Evropës duke bërë të mundur që pas firmosje së MSA-së sot të jemi shumë afër liberalizimit të vizave me BE-në dhe anëtarësimit të plotë në të. Rezultati i këtyre reformave bëri të mundur marrjen e ftesës për NATO dhe sigurinë e plotë që në Samitin e prillit vendi ynë do të jetë anëtar me të drejta të plota i kësaj organizate duke shënuar kështu ngjarjen historike më madhore të arritur nga vendi ynë pas pavarësisë. Ishin reformat ato që sollën dyfishimin e buxhetit të shtetit, rritjen e pagave e pensioneve, rritjen e investimeve në infrastrukturë duke e kthyer vendin në kantier ndërtimi.


Në këtë kontekst, çfarë mund të thoni për nënshkrimin e marrëveshjeve midis vendit tonë dhe Italisë për realizimin e projekteve për prodhimin e energjisë?


Në sajë të reformave të thella të qeverisë Berisha, Shqipëria u rendit në krye të vendeve të botes për lirinë ekonomike dhe sjelljen miqësore ndaj biznesit. Thjeshtimi i procedurave administrative dhe ulja drastike e tatimeve, lufta pa kompromis ndaj korrupsionit dhe rritja e nivelit të sigurisë tashmë kanë bërë të mundur që mjedisi investues dhe klima e biznesit në Shqipëri të jetë shumë dashamirëse. Këtu e kanë themelin të gjitha këto investime që kanë nisur e do nisin në të ardhmen nga investitorë të të gjitha fushave e niveleve duke përfshire këtu edhe marrëveshjet që u firmosen kohët e fundit në fushën e energjetikës me rastin e vizitës së Kryeministrit italian Silvio Berluskoni në Shqipëri. Para disa muajsh, Kryeministri Berisha, kishte deklaruar prioritetet e qeverisë së tij për zhvillime të fuqishme në fushën e energjetikës nisur kjo nga nevojat e vendit dhe tregut ndërkombëtar, duke synuar kthimin e vendit në një eksportues të energjisë. Pra, realizimi i marrëveshjeve është jo vetëm një paketë e fuqishme investimesh prej 2.5 miliard euro por edhe realizimi i një prioriteti të qeverisë Berisha. Doja të sillja në vëmendje të lexuesve të gazetës “55” se po në këtë fushë janë realizuar tashmë marrëveshje koncesionare për 146 hidrocentrale, ndërsa ato që u firmosën me Italinë kanë pozitive faktin e shfrytëzimit të energjisë së erës, më e pastra ndër ato të prodhuara deri më sot dhe fut gjithashtu vendin në rrjetin evropian të gazit.


Në kuadrin e reformës elektorale, cilat do të jenë ndryshimet që do të sjellë sistemi i ri elektoral? Si e komentoni kthimin e kodit për rishqyrtim nga Presidenti?


Siç dihet, zgjedhjet në vendin tonë kanë krijuar në të kaluarën mjaft probleme që nga listat e zgjedhësve, certifikatat,trafikun e votës deri tek i ashtuquajturi fenomeni i Dushkut, probleme të cilat kanë sjellë deformime në përfaqësimin real në parlament duke u bërë objekt kritikash të forta nga komuniteti ndërkombëtar dhe njëherësh kusht i saj për proceset integruese të vendit. Në këtë kuptim, sipas meje, realizimi i një reforme zgjedhore sa më përjashtuese ndaj këtyre fenomeneve ishte një domosdoshmëri për politikën shqiptare. Për pasojë Kodi i ri Zgjedhor, i cili kaloj në një mbështetje mjaft të gjerë parlamentare, përbën një arritje të politikës dhe ngjarje që duhet përshëndetur. Ky kod, realizon për herë të parë barazinë e peshës së çdo vote, detyron përfaqësimin e femrave me një kuotë të caktuar, zhduk përfundimisht fenomenin dushk dhe rrit rolin e alternativave dhe programeve qeverisëse. Për sa i përket kthimit të këtij kodi nga presidenti unë mendoj se në aspektin ligjor e institucional është e drejta e tij, për të bërë një gjë të tillë. Sipas meje arsyetimi i presidentit për kthimin e kodit ishte i kapërcyeshëm dhe dekretimi i tij do të përbënte një shërbim më të mirë ndaj asaj fryme mirëkuptimi dhe përgjegjësie që kishte përfshire shumicën dërrmuese përfaqësuese të politikës shqiptare. Nëse presidenti përmes këtij kthimi ka pasur qëllim të riaktivizoj rezervat ndaj kodit të disa segmenteve të vogla të politikës kjo është një çështje e këndvështrimi të tij për të cilën nuk dua të bëj komente.


Tërësia e arritjeve dhe rezultateve pozitive të një sërë projektesh të ndërmarra nga qeveria a e bëjnë më të sigurt fitoren e PD-së në zgjedhjet e ardhshme elektorale?


Problemi i rezultateve të zgjedhjeve të ardhshme mendoj se në radhë të parë do të jetë një përgjigje me vote ndaj arritjeve të qeverisë dhe perspektivave të ardhme përballe alternativës opozitare. Duke mos dashur të bie në përsëritje do dua të sjell në vëmendje arritjet e qeverisjes në disa drejtime jetike. E para suksesi i arritur në luftën ndaj krimit dhe korrupsioni; e dyta realizimi i revolucionit fiskal dhe dyfishimi i të ardhurave në buxhet; e treta rritja e lartë ekonomike; e katërta niveli i larte i investimeve publike; e pesta rritja e investimeve te huaja; e gjashta ruajtja e nivelit të lartë të rritjes ekonomike; e shtata realizimi me sukses i politikave integruese në NATO dhe BE. Të gjitha këto janë baza më e sigurt që partia demokratike përmes një programi ambicioz të sigurojë një fitore të bujshme në zgjedhjet e ardhshme. Në anën tjetër ndodhet opozita e cila në mungesë të plotë të alternativave konkurruese është shndërruar në një kor vajtojcash për fatet e vendit. Nuk është e rastit që kjo opozitë në vend të propozimeve i bie borive për krizën financiare që kaploi SHBA-në dhe Perëndimin në përgjithësi me një zell aq të tepruar saqë të duket sikur gëzohet me këtë krizë dhe pret me ankth ditën kur ajo të shtrihet në Shqipëri. Kjo sjellje e opozitës më bën të mendoj që kriza shikohet nga ana e saj si i vetmi liman i shpëtimit. Për një gjë jam i sigurt, që kriza e vërtetë është opozita.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›